My Motivation Quote


"It is no use saying, 'We are doing our best.' You have got to succeed in doing what is necessary." ~ Sir Winston Churchill


Wednesday, July 10, 2002

"Koha e strategjive mbi turizmin" - Gazeta Shekulli 10/07/2002

Dy miq holandezë më kërkuan t'i shoqëroja për një javë në Shqipëri. Për shkak të studimeve, pra largësisë nga Shqipëria, as unë vetë nuk i kisha parë ndryshimet. Në Tiranë ishte e admirueshme se si parku "Rinia" ishte rikthyer në një park të gjelbër, në të cilin vazhdohej të punohej. Pallatet rreth qendrës ishin lyer me ngjyra të ngrohta, të çelura dhe menjëherë na thanë se kjo ishte një ide e Edi Ramës. Ky koncept medoj se duhet shtrirë në tërë Tiranën. Edhe holandezët që shoqëroja, më shprehën hapur admirimin për këtë zgjedhje ngjyrash.

Udhëtimin e parë e bëmë në Krujë. Muzeu i Skënderbeut, Muzeu Etnografik dhe Pazari i Krujës hyjnë në produktet turistike pothuaj të kompletuara. Është për të ardhur keq që atyre u mungon reklama. Muzeu i Skënderbeut ofronte një fletëpalosje në anglisht, por i duhet patjetër faqja e tij në internet. Me çudi konstatova se edhe disa krutanë të moshuar kishin mësuar disa fjalë bazë në anglisht për të shitur mallrat e tyre. Fola me një pronar të një dyqani artikujsh karakteristik që e kryente këtë aktivitet për rreth 8 vjet. Më tha që asnjeri nuk kishte ardhur ta pyeste për problemet që kishte, por vinin vetëm kur i merrnin taksën.

Durrësi ishte vizita jonë e dytë. Një zhgënjim i madh. Zona tek plazhi i Plepave mund të them se ishte shokuese. Një zonë e tërë e betonuar, pa kurrfarë plani, pa stil, pa formë. Po të kishte gojë ai plazh do të kishte ulëritur nga dhimbja. Më zuri një frikë se kështu mund të bëhet e gjithë Shqipëria po të mos i kushtohet vëmendje turizmit. Në Plepa jane harxhuar aq shumë lekë dhe energji saqë vetvetiu të lind pyetja: Për kë? Për një treg të brendshëm dhe shqiptarët jashtë Shqipërisë? Po sa përqind e këtij tregu dëshiron t'i kalojnë pushimet aty në ato kushte që ishin katandisur Plepat?

Destinacioni tjetër ishte Saranda. Gjëja e parë që më bëri përshtypje qe rruga e re e asfaltuar duke shkuar për në Llogara. Është një rrugë për të cilën është folur shumë dhe unë prisja thjesht një zgjerim të saj, por në të vërtetë kishin bërë një punë fantastike. Por sigurisht që duhej të ishin shtuar vijëzimet, muret anësore dhe tabelat që tregonin për kthesat e vështira. Ishin 16 km që të bënin të harroje që ishe në Shqipërinë që jemi mësuar të shohim deri tani. Kisha qënë deri në pikën më të lartë të Llogarasë më parë, po nuk kisha shkuar më tutje kështu që edhe për mua, ishte hera e pare që vizitoja Rivierën Shqiptare.
Në pikën më të lartë të Llogarasë të shfaqej një pamje magjepse e detit blu dhe e natyrës përreth. Në atë pikë ishin dy restorante të thjeshta dhe po ndërtoheshin edhe dy objekte të tjera, njëri prej të cilit, hotel (sipas pronarit të njërit prej restoranteve). Gjë shumë pozitive ishte fakti që të gjithë pronarët e objekteve në Llogara ishin shqiptarë, nga Vlora dhe fshatrat përreth.
Por çdo ëndrre i vjen fundi... pas 16 km të rrugës "europiane" "mbërritëm sërisht në "Shqipërinë normale". Për mungesë fondesh ajo rrugë ishte lënë përgjysmë dhe pjesa që vinte, ishte dhe dukej e tmerrshme, sidomos "kur mësohesh keq".

Nejse të paktën, Riviera na ofronte pas çdo kthese një pamje tjetër gjithmonë e më të bukur. Palasa, Dhërmiu, Vunoi, Himara, Qeparo, Borsh, Lukovë. Më bëri sidomos përshtypje Borshi që kishte një fushë të gjerë të mrekullueshme dhe plazhin më të gjatë në Rivierë, pra mund të jetë edhe më i thjeshti për të investuar. Megjithëse në një ndalese që bëra në Lukovë një pronar i një bari të vogël më tha që Buneci (plazhi i Lukovës) është plazhi më i bukur i Jugut, sepse është me rërë (gjë që sic e dimë është nje "luks" në relievin shkëmbor të Jugut) dhe i pastër. Ajo shprehu keqardhjen që të gjithë të rinjtë e Lukovës ( që ka rreth 1500 banorë) kanë emigruar në Greqi dhe akoma preferojnë të bëjnë punë të rënda atje. Nuk i ndihmon askush të kthehen dhe të investojnë lekët që kanë fituar ne turizëm. Ndoshta një rrugë ë mirë deri në Sarandë, do ta bënte investimin më tërheqës për ta.

Kurse në Sarandë, në nje bisedë që pata me një pronar restoranti me përmendi problemin e propagandës shumë të keqe që grekët u bëjnë turistëve që duan të vizitojnë Sarandën. Këtë e dëgjova edhe disa herë të tjera dhe mendova që sarandiotëve u duhej të punonin dy herë më shumë se të tjerët për t'u treguar atyre të huajve që "guxonin të vinin" se realiteti është ndryshe nga propaganda greke, e cila tregon thjesht frikën qe ata kanë ndaj konkurrencës.
Duke u kthyer nga Gjirokastra, menduam të vizitonim edhe Syrin e Kaltër, një pikë e mrekullueshme çlodhjeje. Me pak investime mund të ndërtohej rruga që të çon atje, sepse ajo aktualja ishte po aq e ngushtë sa një rrugë biçikletash në Holandë.

Ky udhëtim përgjatë Rivierës më krijoi atë bindje që tashmë mund ta kenë shumë shqiptarë. Natyra na ka ofruar shansin e të bërit turizëm. Ngelet vetëm të bëjmë zgjedhjen e duhur nëpërmjet një masterplani të studiuar mirë për t'ju dhënë mundësinë investitorëve, sidomos atyre shqiptarë, të angazhohen për një turizëm jetëgjatë.

Kliton Gërxhani

Student ne degen e
Manaxhimit dhe Konsulences ne Turizmin Nderkombetar, Holland