My Motivation Quote


"It is no use saying, 'We are doing our best.' You have got to succeed in doing what is necessary." ~ Sir Winston Churchill


Friday, January 24, 2003

'Refleksione nga nje panair turizmi' - Gazeta Shekulli 24/01/2003

Si cdo vit gjate qendrimit tim ne Holland, edhe kete here nuk mund te lija pa vizituar ngjarjen me te rendesishme te turizmit ketu, Panairin e Utretit. Ky Panair eshte nje nga me te medhat ne Europe dhe dihet qe tregu hollandez eshte nje nga me atraktivet per bisnesin e turizmit sepse turisti hollandez pervec se eshte nje turist me te ardhura te larta, ka edhe avantazhin tjeter qe shkon me pushime me shume se njehere ne vit ne vende te ndryshem te botes.
Pervec interesit profesional, arsyeja tjeter qe me ka shtyre te mos mungoj ne kete Panair ka qene perfaqsimi ne te i Shqiperise. Qe para se ta vizitoja Panairin kontrollova ne internet nese Shqiperia perfaqsohej ne te por nuk e gjeta. Pyeta tek qendra e informacionit kur hyra ne Panair, nese kishte ndonje sektor ku perfaqsohej Shqiperia, por edhe ata pasi kontrolluan me thane se nuk perfaqsohej. I merzitur mendova qe “tradita” jone nuk qe prishur, sepse dy vjet me pare mezi gjeta diku nje stend te vogel shqipetare pa perfaqsues ne te dhe vetem disa postera, kurse vjet nuk mund ti gjeja gjekundi...
Keshtu qe fillova te shikoja me se ishin paraqitur fqinjet tane te Ballkanit dhe te Mesdheut. E fillova me viziten ne stenden e Maqedonis qe eshte prezantuar ne te treja heret qe une kam qene ne kete Panair, nga Ministria e Turizmit, dhe qe stenden e ka patur gjithmon prane vendeve te Mesdheut !!! (qe mua me duket nje zgjidhje taktikisht shume e zgjuar nderkohe qe nuk ka dalje fare ne Mesdhe.) Atje, per cudine time me te madhe, me than qe edhe Shqiperia perfaqsohej diku jo ne stendat e Mesdheut, jo ne ato te Evropes Lindore apo te Ballkanit por...ne stendat e Vendeve te Largeta!!!(si vende te Azise, te Afrikes etj). Arsyeja ishte shume “e thjesht”: ne ato stenda paraqitja sponsorizohej nga nje organizate...
Nuk prita me dhe nxitova te gjeja stenden tone tek “Vendet e Largeta”, por si edhe me pare per fatin tim te keq atje gjeta vetem disa postera...Shqiperia perfaqsohej nga Albturizmi. I zhgenjyer pyeta maqedonsin qe kishte vizituar stenden tone me pare se cfare ofronin tek stenda jone, pra me cfare ishin paraqitur ket vit, dhe ai me tregoi disa fletepalosje qe i kishin dhene dhe qe une i kisha pare qe prej 3-4 vjetesh...
Ne ndryshim me ate qe une pash para dy vjeteve ne stenden tone, ishte shtuar posteri “i famshem” i vajzes me fustan te kuq qe ka kethyer kurrizin, gje qe per koincidence simbolizon ne menyre perfekte turizmin tone ne mardhenie me vizitoret. Pra ne “pa dashje” vazhdojm tu themi vizitoreve:”Na vjen keq por edhe kete vit po ju kethejme kurrizin...”. Nga ana tjeter si per ironi ne ate poster shkruhej: ”Zbuloni (njihni) Shqiperine” nderkohe qe ato fjale me perforcuan mendimin se ne duhet ta zbulojme njehere vete Shqiperin sepse me ate prezantim qe po i bejme tregojme se akoma nuk po e njohim ashtu sic duhet...

Kjo paraqitje e ulet (e radhes) si dhe paraqitja dinjitoze e fqinjeve tane, me bene te revoltohem ne fillim, por me vone revoltimi mu kethye ne nje shije te trishtueshme.

Ne fillim u revoltova per ate paraqitje te pakuptimt te nje agjensie qe megjithse nuk merret vesh nese ekziston akoma apo eshte shperbere, praktikisht funksionon me mire sesa Shoqata (legjitime) e Agjensive Turistike!!!
Nga ana tjeter po mendoja nese ja vlen te paraqitesh kot, apo te mos paraqitesh fare kur nuk ke se cfare te ofrosh. Duke menduar te gjeja fillimin e problemit, llogjika ndiqte nje spirale qe me conte tek e njejta pike sa e dobet aq edhe e rendesisheme ne turizmin tone: tek drejtuesit kryesor te turizmit apo me fjale te tjera, tek Ministria e Turizmit.
Ne radhe te pare kjo Ministri duhet te paraqitej vete ne keto panaire te rendesishme ashtu si homologet e veta. Qe te paraqitet vete, duhet te ofroj nje ose disa produkte turistike. Por qe te krijohet nje produkt turistik, Ministria duhet te hartoj strategji per drejtimin qe do marri zhvillimi i turizmit ne vendin tone, duhet te stimuloj investitoret vendas dhe te huaj qe te investojne ne nje forme te caktuar te turizmit, ne perputhje me strategjine e hartuar, e cila duhet te marri ne konsiderate faktoret tone te brendeshem ekonomik, social, kulturor dhe natyror. Dhe ketu qendron problemi kryesor. Pra pasi te hartohet nje strategji jetegjate ku te merren parasysh te gjithe faktoret e permendur me siper, dhe me e rendesishmja, pasi te zbatohet ajo, do jete me e lehte per te reklamuar produktet e saj jo vetem nga ana e Ministris por edhe nga vete agjensite turistike.

Nje strategji e mire (megjithse per mendimin tim-jo e plote) ishte hartuar tashme me ndihmen e GTZ por qe nuk u zbatua asnjhere...Tani nga nje intervist e Ministrit te Turizmit mesojme se jane ne hartim e siper te nje strategjie te re. Sic e permenda me siper, nuk eshte se strategjia e meparshme nuk kishte nevoje qe te permiresohej por kush na garanton se edhe strategjia e re nuk do pesoj fatin e te pares?
Kemi mbi 10 vjet qe nuk po i japim nje drejtim te caktuar turizmit tone. Kemi vite qe kujtohemi per turizmin vetem disa jave para se te filloj sezoni i tij. Pervoja e vendeve te zhvilluara ne turizem tregon qe per sezonin e veres te ketij viti, fillohet te punohet qe ne mbyllje te sezonit te vitit te shkuar, pra rreth Gusht-Shtatorit. Nderkohe qe ne nga Nentori menduam vetem te prishnim ndertimet e paligjshme dhe ne Janar po flasim per hartimin e nje strategjie te re!!!
Por per te rindertuar kur do fillojme?! Cfare do u ofrojme pushuesve ne kete vere pervec se disa akomodime ilegale me pak?!!
Fakti qe mendojme te hartojme nje strategji te re ne Janar te ben te mendosh qe zbatimi i saj (nese do ndodh ndonjehere) mund te japi disa efekte te vogla vetem ne vitin tjeter. Perseris pyetjen: Po per kete vit cfare ka menduar Ministria jone e Turizmit?! Do veme prap nje jave para se te filloj sezoni, tu pergjerohemi vellezerve tane kosovare te na vijne per pushime qe te mos na deshtoj sezoni? Jemi te sigurt qe me ato qe u ofrojme do na pergjigjen perseri me entuziazmin e vitit te kaluar?!

Jane shume pyetje qe presin qe Ministria e Turizmit t’u japi pergjigje. Ashtu si une ka dhe shume te tjere te interesuar (shqipetare dhe te huaj) te marrin informacion nga kjo Ministri se cfare eshte bere, cfare po behet, dhe cfare eshte planifikuar te behet ne fushen e turizmit shqipetar.
Ftesa e Ministrit te Turizmit ne artikullin e tij tek Shekulli per nevojen e shkembimit te mendimeve me te interesuarit e tjere ne turizmin tone, eshte per tu pergezuar, por se pari une mendoj se ky shkembim mendimesh duhet te behet jo ne median e zakonshme por ne nje media te specializuar sic mund te jete faqa ne internet e Ministris, e cila vazhdon te mos funksionoj megjithse kritiken e shpesht per te ne shtyp. E kam te pamundur te gjej arsye te mungeses se asaj faqeje dhe nga pervoja them qe mungesa e saj eshte rast unik(negativ) ne llojin e vet, dhe qe bene qe i vetmi burim kontakti ta izoloj kete Ministri nga shume te interesuar mbi aktivitetin e saj, brenda dhe jashte vendit. Nuk eshte me normale qe per te marr vesh aktivitetin e Ministris se Turizmit duhet te kontrollosh gjithmon shtypin shqipetar deri sa te “zbulosh” dicka...
Nje forme tjeter komunikimi apo informimi do ishte edhe botimi i nje periodiku nga ana e kesaj Ministrie, por qe kur mendon mungesen e pallogjikshme te faqes ne internet, kjo e fundit duket nje “luks”.
Gjithsesi e perseris qe, ftesa per dhenie mendimi mbi te ardhem e turizmit tone - te cilin une e konisderoj si nje ftese bashkpunimi me te gjithe palet e interesuara – mund te jete nje pike kethese per fatet e turizmit tone. Eshte pikerisht mungesa e bashkpunimit dhe e dijeve qe e kane lene turizmin tone ne nje stad kaq te prapambetur.

Une se bashku me disa te rinj te tjere, shqipetare dhe te huaj, te interesuar ne zhvillimin e turizmit tone, kemi krijuar Klubin Shqipetare te Turizmit dhe jemi duke kontribuar tashme nepermjet artikujve ne media, mbi problemet e turizmit tone dhe rruget e mundeshme te zgjidhjeve. Nga reagimet tona te fundit ne media, mund te permend shkrimet e shumta qe botuam kunder ndarjes se zones se Adriatikut dhe Jonit, respektivisht ne zona te turizmit masiv dhe te elites, gje qe per fat te keq pame qe u konfirmua edhe ne intervisten e Ministrit te Turizmit.
Ne jemi te hapur per te bashkpunuar me te gjithe te interesuarit ne kete fushe dhe e konsiderojme kete bashkpunim shume te rendesishem. Per kete kemi patur reagime pozitive dhe mbeshtetje nga shume personalitete te turizmit dhe politikes, si te huaj edhe shqipetare.
Le te kontribuojme se bashku ne ndertimin e nje turizmi shqipetare modern dhe jetegjate qe te mos prezantohemi me ne “Vendet e Largeta” por atje ku na takon.


Kliton Gërxhani

Student ne degen e
Manaxhimit dhe Konsulences ne Turizmin Nderkombetar, Holland