My Motivation Quote


"It is no use saying, 'We are doing our best.' You have got to succeed in doing what is necessary." ~ Sir Winston Churchill


Monday, August 18, 2008

"Sektori i turizmit i druhet krizës" - Gazeta Shqip 18.08.2008

interviste me Z. Kliton Gërxhani,

Shoqata Shqiptare e Turizmit (ATA) ka shprehur shqetësimin e saj rreth pasojave negative që mund t‘i shkaktojë kriza ekonomike e vitit 2009. Që nga krijimi i kësaj shoqate, më 29 prill 2008, roli i operatorëve turistikë në zhvillimin e vendit ka luajtur një peshë të madhe, ndërsa nuk fshin shqetësimin që ka për efektet negative që mund të shkaktojë rënia e ekonomisë së vendit vitin tjetër.

Kliton Gërxhani, Kryetari për Sektorin e Agjencive Turistike dhe Transportit, shprehet se sektori i operatorëve turistikë, agjencive turistike dhe agjencive të transportit kanë problematikë të shumëllojshme për vetë natyrën e këtyre bizneseve. Sidomos sektori i operatorëve turistikë është ai që i ndjen më shumë pothuajse të gjithë problematikën e turizmit, sepse edhe produkti që ofron është bashkimi i shërbimeve të sektorëve të tjerë brenda turizmit. "Nga përvoja jonë dhe takimet që kemi bërë me anëtarët tanë, kanë dalë një seri problematikash. Në nivel ndërkombëtar na pret një vit i vështirë për shkak të krizës financiare globale. Kurse në nivel kombëtar, megjithëse shpesh trumbetohet se turizmi është sektor prioritar, realiteti tregon se po ndodh e kundërta, se po shtohen parqet industriale, TEC-et me qymyr, depozitat e naftës, fabrikat e çimentos, deri edhe centralet bërthamore", shprehet Gërxhani në raportin periodik të shoqatës, i pari që nga krijimi i ATA-s. Sipas tij, këto zhvillime do t‘i marrin frymën turizmit, që do të thotë se "e ardhmja e bizneseve tona do të vihet në rrezik".

Sot, ATA do të zhvillojë një konferencë të hapur për të bërë publike planet për të ardhmen.

Monday, August 4, 2008

"Hotelet, 84 për qind pa licenca profesionale" - Gazeta Shekulli, 04.08.2008

interviste me Z. Kliton Gërxhani,

Numrin çdo ditë e në rritje të hoteleve në Shqipëri, si dhe shërbimin që ofrohet në to, specialistët e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e kanë thuajse të pamundur ta kontrollojnë.

Valmora Gogo Hene, 04 Gusht 2008 13:54:00
Specialistët e Departamentit të Standardeve në Ministrinë e Turizmit kontrollojnë vetëm 32 hotele në të gjithë vendin, duke i vlerësuar dhe rivlerësuar sipas kushteve dhe nivelit të shërbimit, me dy, tre, katër dhe pesë yje. Shifrat tregojnë se numri i hoteleve në Shqipëri është 20-fish më i lartë, por specialistët e MTKRS-së e kanë të pamundur për t’i regjistruar. Shoqata e Turizmit Shqiptar kërkon rikthimin e licencimit profesional të hoteleve, i cili është hequr së fundi.Numrin çdo ditë e në rritje të hoteleve në Shqipëri, si dhe shërbimin që ofrohet në to, specialistët e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e kanë thuajse të pamundur ta kontrollojnë. Sipas të dhënave zyrtare nga Departamenti i Standardeve në Ministrinë e Turizmit, nga 629 hotele në të gjithë vendin, ata mund të kontrollojnë vetëm 38 prej tyre.

Thënë nga specialistët, regjistrimi si njësi akomoduese turistike nuk është bërë ende i detyrueshëm, edhe pse me qindra hotele vazhdojnë të presin turistët që shkelin Shqipërinë. Por një punë të vështirë ka hapur edhe klasifikimi i hoteleve, pronarët e të cilëve kanë aplikuar për regjistrim, pasi inspektimin dhe kontrollin e kushteve dhe të shërbimit që ata ofrojnë nuk e ndihmojnë as Zyrat e Shërbimit Turistik. Edhe pse janë miratuar ligjërisht, këto zyra ende nuk po funksionojnë nëpër qytete.

Regjistrimi
Regjistrimi i një hoteli si njësi akomoduese turistike pranë ministrisë varet ende nga dëshira e sipërmarrësve për të regjistruar subjektin e tyre dhe për të marrë “notën” e shërbimit. Të 38 sipërmarrësit që kanë regjistruar veprimtarinë e tyre, janë paraqitur vetë pranë zyrave të Drejtorisë së Turizmit, ku pasi kanë dorëzuar dokumentacionin bazë, kanë qëndruar në pritje të inspektimit nga specialistët. Sigurisht që regjistrimi i të 38 hoteleve nuk është kryer brenda vitit 2008.25 mijë lekë të reja kushton regjistrimi i një hoteli për të marrë të drejtën e njohjes nga Ministria e Turizmit si dhe klasifikimin në bazë të nivelit të shërbimit. Por nga ana tjetër, ajo që mbetet shqetësuese është se 84 për qind e hoteleve ekzistuese nuk figurojnë të regjistruar dhe të klasifikuar. MTKRS-ja njeh vetëm 16 për qind të numrit real të hoteleve që funksionojnë në total në vendin tonë. Kështu për shembull, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve nuk mund të ketë një funksion detyrues që sipërmarrësit e 595 hoteleve të panjohura prej saj të marrin vulën e regjistrimit.

Specialistët e Departamentit të Standardeve në Ministri shprehen se shkak për të gjithë këtë situatë bëhen Zyrat e Tatimeve nëpër qytete, të cilat i njohin këto subjekte duke i regjistruar si tatim-paguese. “Situata është e tillë pasi Zyrat e Tatimeve i kanë regjistruar si subjekte që paguajnë tatime, ndërkohë që sipërmarrësit privatë të këtyre hoteleve nuk drejtohen në ministri t’u regjistruar si njësi akomoduese turistike dhe për të marrë klasifikimin”, shprehet për gazetën “Shekulli”, Enton Diamanti, përgjegjës i Sektorit të Standardeve.

Nga ana tjetër, Ministria e Turizmit nuk gëzon asnjë të drejtë për mbylljen e aktivitetit të këtyre subjekteve, veçse kontrollin e herëpashershëm për ato subjekte që janë regjistruar pranë saj. Nga 38 hotele të regjistruara si njësi akomoduese pranë MTKRS-së, 6 prej tyre ende nuk kanë mundur të klasifikohen sipas kushteve dhe nivelit të shërbimit, për shkak të rikonstruksionit që po kryejnë në këtë periudhë.

Klasifikimi
Një sistem nga dy deri në 5 yje funksionon për vlerësimin e kushteve dhe cilësisë së shërbimit të hoteleve shqiptare. Në ato pak hotele të regjistruar, ku rekordi mbahet nga Tirana, me numrin e 18 hoteleve të regjistruar dhe 15 të klasifikuar, vetëm 4 mbajnë cilësinë më të lartë, atë të 5 yjeve. Sigurisht që niveli i arritur vlerësohet duke krahasuar standardet e hoteleve me njëri-tjetrin, nëpërmjet një sistemi pikësh që vendoset nga një komision i posaçëm, si dhe nga disa standarde bazë.

Ndër to përfshihen hapësirat e dhomave të akomodimit dhe aksesorët e tyre, kushtet dhe shërbimi në barin dhe restorantin e hotelit, kushtet higjieno-sanitare si dhe masat ndaj zjarrit. Ajo që mbetet e përbashkët për të gjithë sistemin e klasifikimit të hoteleve, është se gjatë viteve të fundit po u bëhet një vlerësim vetëm për ambientet e brendshme dhe jo për ambientet e jashtme të tyre. Në sistemin e vlerësimit, pikë të rëndësishme jep edhe cilësia dhe mënyra e shërbimit, si një pjesë e domosdoshme e akomodimit të klientëve. Por ajo që mbetet e çuditshme në gjithë sistemin e klasifikimit, është fakti që edhe pse nuk ekziston vlerësimi me 1 yll, ende 4 hotele në vendin tonë mbajnë këtë cilësim. Katër hotelet në fjalë kanë marrë këtë kualifikim që para vitit 2006.Ndërsa për komplekset apo fshatrat turistikë, për të cilat veprojnë të tjera rregulla vlerësimi, nuk ekziston asnjë regjistrim apo klasifikim pranë Departamentit të Standardeve në MTKRS.Megjithatë për hotelet inspektimet realizohen dy herë në vit, një herë para sezonit turistik dhe një herë tjetër pas tij. “Me mundësitë që kemi ne kryejmë kontrolle vetëm dy herë në vit, para dhe pas sezonit por vetëm në ato hotele që rezultojnë të regjistruar në ministri”, thekson specialisti Diamanti. Ajo që mbetet e pohueshme edhe nga vetë specialistët që inspektojnë, është se një pjesë e konsiderueshme e hoteleve të klasifikuara në qytetet bregdetare, por edhe ato që nuk janë në këtë listë, qëndrojnë të mbyllur gjatë dimrit, ose në rastin më të mirë reduktojnë në maksimum numrin e personave që punojnë në këto subjekte.

Standardet
Për të klasifikuar hotelet sipas kushteve dhe nivelit të shërbimit përdoret sistemi i yjeve, nga 2 deri në 5. Për të regjistruar e më pas klasifikuar këto njësi akomodimi, së pari, nga një Komision Vlerësimi, shihet nëse janë plotësuar standardet e detyrueshme e më pas kalohet tek standarde të tjera, që edhe pse nuk janë të detyrueshme, shtojnë pikë në klasifikim.

Kështu për shembull, dhomat duhet të kenë një hapësirë të domosdoshme duke nisur nga 12 metër/katrorë e duke përfunduar tek 28 metër/katrorë, sipërfaqe e nevojshme për suitat e hoteleve me 5 yje. Por ajo që mbetet kategorike është numri i personave të lejueshëm në një dhomë dhe numri i shtretërve shtesë. Mesatarja lejon deri në 4 persona në një dhomë, por në rast se akomodohen më shumë se 6 persona, në të duhet të shtohet një tualet i dytë. Në rregulloren e klasifikimit përcaktohen me saktësi edhe përmasat e krevateve, për tekët, 85 me 190 centimetër dhe për krevatet dopio 135 me 190 centimetër.

Nga ana tjetër, ndriçimi natyral, ventilimi dhe perdet errësuese janë të detyrueshme për çdo hotel. Do të ishte e përshtatshme që mobiliet e hoteleve të ishin të gjitha në gjendje shumë të mirë, me tualete të rregullta dhe higjienë të përhershme. Ajo që mbetet në kërkesat për hotelet që duan të klasifikohen në grupin me 5 yje, është domosdoshmëria e një pishine të hapur por njëkohësisht disa kushte specifike për suitat. Këto të fundit, duhet të kenë patjetër dritë natyrale, tavolinë për kafe, sipërfaqe të konsiderueshme për ndenjje, tavolinë me pasqyrë, dritë për lexim, sistem ngrohjeje, ajër i kondicionuar me komandë individuale, perde errësuese, si dhe telefon të brendshëm, ndërqytetës dhe ndërkombëtar.

Sa i përket sistemit elektrik të hoteleve, standardet kërkojnë që për ato më dy, tre apo katër yje të përdoret sistemi europian i prizave, ndërsa ashensori mbetet i detyrueshëm për të gjitha grupimet. I detyrueshëm mbetet edhe shërbimi 8-orarësh nga personeli. Hotelet që mund të klasifikohen me 4 apo me 5 yje duhet të shërbejnë mëngjesin sipas një mënyre së caktuar. Kjo do të thotë se gjatë mëngjesit, ushqimet duhet të kenë linjën e verdhë, të kuqe, kafe dhe jeshile, që e përkthyer në gjuhën e ushqimeve do të thotë bukë, gjalpë, reçel, mish, varietete veze si dhe sallatë frutash. Në restorant, i cili është i detyrueshëm për hotelet, duhet të shërbehen 10 lloje gatimi, të paktën 2 të jenë të nxehta.

Nga ana tjetër menyja duhet të jetë në gjuhën angleze dhe shqipe, por njëkohësisht hotelet duhet të kenë marrë masa të rrepta për mbrojtjen nga zjarret dhe çdo emergjencë të mundshme. Një tabelë e dukshme për emergjencat dhe evakuimin, si “Mos përdorni ashensorin në rast rënie zjarri” apo tabela në zonat e rrezikshme “Ndalohet duhani”, janë të detyrueshme në hotelet shqiptare.

----------------------------------------------

Kliton Gërxhani, Kryetar i Sektorit të Agjencive Turistike dhe Transportit në këtë shoqatë thotë për gazetën “Shekulli” se nëpërmjet një memorandumi drejtuar ministrit të Turizmit, Ylli Pango, kanë kërkuar rikthimin e licencimit.

Shoqata e Turizmit Shqiptar: “Të rikthehet licencimi profesional për hotelet”

Fluksit të pritshëm të turistëve drejt Shqipërisë, sipas Shoqatës së Turizmit Shqiptar, Ministria e Turizmit duket se ka zgjedhur që t’i përballojë nëpërmjet zgjerimit të kapaciteteve hoteliere. Kjo, shpjeguar nga Kliton Gërxhani, Kryetar i Sektorit të Agjencive Turistike dhe Transportit në Shoqatën e Turizmit, është menduar të zgjidhet duke hequr kriteret për ndërtimin e hoteleve të reja në vend. “Kategorizimi nuk ka qenë i detyrueshëm më parë, kurse licencimi profesional po. Kurse tani është hequr licencimi profesional për hotelet dhe këto funksionojnë vetëm si subjekte biznesi që mbajnë një numër NIPT-i.

Madje tashmë nuk bëhet fjalë as për të patur një kategorizim sipas nivelit të shërbimit të hoteleve”,- komenton Gerxhani. Sipas tij, kjo iniciativë është marrë për shkak të dëshirës për të zgjeruar kapacitetet e hoteleve në vend, në funksion të pritjes së turistëve. “Por ne jemi kundër heqjes së këtyre kritereve sepse kjo situatë, në fazën e parë ku ndodhet turizmi ynë, do të sjellë një zhvillim të pakontrolluar të hoteleve, ku çdokush që ka para, pa kurrfarë kriteri mund të ndërtojë një hotel”,- shpjegon më tej Gerxhani. Në këtë mënyrë, Shoqata e Turizmit Shqiptar i ka dërguar një memorandum ministrit të Turizmit, Ylli Pango, ku kërkohet edhe rikthimi i licencimit profesional për hotelet. “Urojmë që licencimi profesional të rikthehet sepse kështu ne mund të rrezikojmë imazhin e Shqipërisë. Ne nuk kemi shansin që të presim derisa të jenë vetë turistët që të bëjnë seleksionimin e hoteleve në vendin tonë”,- përfundon Kliton Gërxhani, kryetar i Sektorit të Agjencive dhe Transportit në Shoqatën e Turizmit Shqiptar.

Zyrat e Shërbimit Turistik
Këto lloj zyrash mund të rregullonin tej mase kontrollin ndaj hoteleve apo njësive të tjera akomoduese në rast se do të kishin nisur të funksiononin. Megjithëse mungesa e tyre ka krijuar një hendek në bashkëpunimin mes qyteteve dhe MTKRS-së, sërish mbetet i rëndësishëm funksioni detyrues për regjistrimin e subjekteve në zyrat e ministrisë përgjegjëse. Kështu, duket se mund të kontrollohet më mirë aktiviteti i çdo njësie që provon t’u shërbejë klientëve. Por në pikëpyetje vihet edhe fakti nëse hotelet ekzistues, të regjistruar dhe të klasifikuar, mund të kenë përballuar shifrat e turistëve që bëhen me dije, po nga Ministria e Turizmit. Për muajin qershor të këtij viti, numri i turistëve ka qenë rreth 123 mijë, ndërkohë që numri i shtretërve të ofruar nga njësitë tona akomoduese shkon vetëm në shifrën e rreth 34 mijëve.Vetëm 4 hotele janë me 5 yje në Shqipëri, pesë janë me 4 yje, 10 janë me tre yje, 9 janë me dy yje dhe 4 mbajnë vetëm një yll, edhe pse ky i fundit ka dalë nga sistemi i vlerësimit. Edhe pse në sistemin e klasifikimit të hoteleve nuk ekziston klasifikimi me një yll, sërish nga të dhënat e Ministrisë së Turizmit rezulton se para vitit 2006 janë klasifikuar 4 hotele si të tilla.Cilësohen si Njësi Akomoduese Turistike; hotelet, fshatrat turistikë, shtëpitë e pushimit, fjetinat, bujtinat, fermat turistike, komplekset turistike dhe apartamentet private (turizmi familjar).Nuk ka asnjë fshat apo kompleks turistik të klasifikuar nga Departamenti i Standardeve në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.Ndërkohë që numri në total i shtretërve është 34096 dhe numri i turistëve vetëm në muajin qershor ka qenë rreth 123 mijë, nuk përjashtohet edhe mundësia e qëndrimit në Shqipëri vetëm për pak ditë e turistëve.

0 Komplekse apo fshatra turistikë janë regjistruar me qëllim klasifikimin në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

1 Hotel është riklasifikuar në vitin 2008 nga ekspertët e Departamentit të Standardeve në Ministrinë e Turizmit.

4 Hotele janë klasifikuar në vitin 2008, pasi janë regjistruar në Ministrinë e Turizmit.

5 Hotele janë klasifikuar në vitin 2007, pasi janë regjistruar në Ministrinë e Turizmit.11Hotele janë klasifikuar në vitin 2006, pasi janë regjistruar në Ministrinë e Turizmit.

38 Hotele janë të regjistruar në MTKRS për të gjithë vendin, nga të cilët, 6 prej tyre ende nuk janë klasifikuar për shkak të rikonstruksionit.

11200 është numri i shtretërve, të cilët i përkasin turizmit familjar dhe njësive akomoduese turistike që përbëhen nga më pak se 6 dhoma.

22896 është numri i shtretërve në hotelet e vendit, ku numrin më të madh e ka Vlora dhe Himara.

34096 është numri i përgjithshëm i shtretërve për njësitë akomoduese turistike në të gjithë vendin

Hotelet në Shqipëri

Tiranë 75

Durrës 85

Golem 96

Lushnjë 5

Fier 2

Berat 9

Vlorë dhe Himarë 82

Sarandë dhe Ksamil 71

Gjirokastër 12

Tepelenë 2

Përmet 5

Korçë 11

Pogradec 27

Elbasan 8

Krujë 3

Lezhë dhe Shëngjin 17

Shkodër 11

Velipojë 102

Dibër 4

Pukë 1

Kukës 1