My Motivation Quote


"It is no use saying, 'We are doing our best.' You have got to succeed in doing what is necessary." ~ Sir Winston Churchill


Monday, September 28, 2009

"Turizmi shqiptar në dritë-hije"- 28.09.2009, Revista MAPO

interviste me Presidentin e ATA-s z. Kliton Gerxhani,

Shkruan: Ervin Qafmolla

Rreth 2.1 milionë vizitorë shkelën Shqipërinë për periudhën janar-gusht 2009. Të paktën kështu thonë shifrat zyrtare. Shifra totale është pak a shumë sa prurjet e turistëve për gjithë vitin 2008, nëse marrim parasysh variantin e fundit zyrtar të korrektuar. Vizitat nga jashtë-brenda vendit kanë arritur pikun për muajt korrik-gusht, kur nga 951 mijë që kishin regjistruar deri në qershor të këtij viti, shifra zyrtare mbërriti në rreth 2.1 milion për dy muajt pasardhës, çka do të thotë se është regjistruar një rritje maksimale prej më shumë se 1.1 milion brenda kësaj periudhe. Sipas Ministrisë së Turizmit, vizitorë të huaj janë 1.4 milion, ndërsa vizitorë me nënshtetësi shqiptare të cilët janë rezidentë në vende të ndryshme 709 mijë.

Rreth 45% e vizitorëve janë nga Kosova. Me ç’duket nga të dhënat e qeverisë, kriza ekonomike botërore, por edhe ajo lokale nuk ka ndikuar në mënyrë drastike – siç pritej nga ekspertë të ndryshëm të ekonomisë, në statistikat e sektorit të turizmit. Të paktën, nuk ka pasur rënie në shifrat zyrtare, pa përjashtuar mundësinë që situata e vështirë ekonomike të ketë ndikuar për keq te vetë rritja, e cila në kushte të tjera mund të kishte qenë më e madhe. Për më tepër, shifra prej 2.1 milion turistësh përkthehet në rreth 2 miliardë euro xhiro, nëse merren parasysh ecuria e përpjesëtimeve “turistë / para” të viteve të shkuara.
Një ndryshim me statistikat është se së fundmi, qeveria ka ndryshuar termin nga “turist” në “vizitor”. Më parë regjistroheshin si turistë edhe vizitorët një-ditorë, edhe ata që vinin në Shqipëri për arsye biznesi, apo emigrantët që ktheheshin 2 javë për të takuar familjet. Në fakt, çdo person jo rezident që kalon kufirin shqiptar, cilado qoftë arsyeja që e sillte në këtë vend dhe koha që ai shpenzonte këtu, konsiderohej automatikisht turist. Me sa duket, formulimi “turist” për çdo njeri që kalonte kufirin mori ngjyrime mjaftueshëm komike në media përgjatë dy viteve të fundit, saqë aktualisht përballemi me një term më modest: “vizitor”.

Ndërkaq, shifrat flasin për rritje të numrit të vizitorëve, dhe logjikisht edhe të të ardhurave në sektorin e turizmit. “Nëse vërejmë rritje në këtë sektor, nuk ndodh si rrjedhojë e investimeve të qenësishme apo politikave të mirëfillta shtetërore, por thjesht si inerci”, thotë Kliton Gërxhani, president i Shoqatës Shqiptare të Turizmit (ATA). Ai vëren se problemi kryesor me turizmin në Shqipëri është trajtimi i tij si sektor dytësor. Në fakt, turizmi kthehet në vëmendjen e publikut vetëm gjatë stinës së verës, përmes publikimit të statistikave të hyrje-daljeve të vizitorëve të ndryshëm edhe pse në të vërtetë aktiviteti turistik shtrihet përgjatë gjithë vitit. Ndërkaq, mundësitë paraqiten të mëdha.
Gërxhani thotë se nuk duhet kurrsesi të shpërfillet fakti që Shqipëria ka rreth 300 kilometra bregdet ranor në Adriatik, i cili aktualisht ka mbetur i pazhvilluar dhe i paorganizuar. “Nëse drejtojmë sytë në vendi si Kroacia, për shembull, ku ekziston një industri e turizmit e organizuar shumë mirë, vërejmë se të ardhurat nga ky sektor llogariten në rreth 9 miliardë euro në vit, kundrejt rreth 9 milionë turistëve që vizitojnë vendin. Ky është një shembull shumë domethënës”, vëren ai. “Nuk po themi që vendi të orientohet 100% drejt turizmit, por është e pafalshme që mundësitë ekzistuese të injorohen, apo më keq, të goditen”, shton presidenti i ATA-s. Ai thotë se në një kontekst të përfitimeve si në afatin e afërt ashtu dhe të largët, shpërfillja e mundësive dhe zhvillimit që ofron ky sektor është mbi të gjitha, joracionale.

Sektori i shpërfillur

Gjatë fushatës elektorale të qershorit të këtij viti, tre partitë kryesore kishin ndër prioritetet e zhvillimit të vendit edhe turizmin. Por kjo nuk është diçka e re. Edhe në vitin 2005, madje edhe në zgjedhjet e vitit 2001, turizmi ishte i pranishëm si sektor tepër i rëndësishëm për zhvillimin e ekonomisë dhe tregut të punës në vend. Edhe strategjitë paszgjedhore të zhvillimit të këtij sektori kanë rezultuar përgjithësisht dokumente që mund të lexohen me kërshëri, por përveç zhvillimit të disa akseve kryesore dhe një numri të papërfillshëm aksesh dytësore, gjithçka tjetër është kufizuar brenda hapësirës së letrës ku janë shtypur këto strategji.

Sipas Gërxhanit, nevojitet një strategji e mirëfilltë dhe realiste e zhvillimit të turizmit shqiptar. “Duhet të kemi parasysh se ndonëse flasim për një treg prej 1.5 miliard euro për vitin e kaluar, Ministria e Turizmit ka një buxhet më të vogël se 1 milion euro. Dhe vetë brenda kësaj ministrie, zëri specifik për turizmin është më i vogli krahasuar me zërat e sektorëve të tjerë, siç janë sporti dhe kultura”, sqaron ai.

Presidenti i ATA-s shton se mungojnë edhe investimet bazë infrastrukturore. “Ndonëse është bërë progres i dukshëm në disa akse kryesore, infrastruktura dytësore vazhdojnë të jenë problem real. Për shembull, Bylisi apo Finiqi janë praktikisht të paaksesueshme për autobusët e turistëve”, vëren Gërxhani.
Ndërkohë ekzistojnë edhe probleme të ndjeshme me karakter rregullator, siç është heqja e sistemit të klasifikimit për hotelet. “Shoqata Shqiptare e Turizmit ka kërkuar që ky rregull të vijë sërish në fuqi, sepse përballë kërkesave të sotme të zhvillimit, nuk mund të vazhdojë të ketë kapitalizëm kaubojsh”, thekson Kliton Gërxhani. Ai thotë se pavarësisht dhe në respekt ndaj kompetencave të pushtetit vendor, duhet të ketë një mbikëqyrjeje më të zgjeruar nga qeverisja qendrore, në mënyrë që të mos ndodhin sërish trauma turistike si Golemi apo Saranda.
Eksperti i sektorit të turizmit, vëren se në plan të parë vjen ndërgjegjësimi në nivel publik dhe institucional. “Për sa kohë nuk ka ndërgjegjësim, ky sektor do të vazhdojë të vuajë. Dhe sa për ilustrim, mjafton të kujtojmë që interesi për turizmin zgjohet vetëm gjatë sezonit veror dhe shuhet me ardhjen e vjeshtës”, thotë Gërxhani.

Problem imazhi
Sipas presidentit të ATA-s, pavarësisht problemeve të shumta që vuan sektori, një ndër mangësitë kryesore lidhet pikërisht me imazhin. Dhe në këtë të fundit ndikojnë një sërë faktorësh të tjerë.
“Faktorë të tjerë që kanë ndikim thelbësor në këtë drejtim janë zinxhirët e hotelerisë ndërkombëtare. Ndonëse në vetvete nuk është e thënë të kenë një impakt direkt të rëndësishëm në ekonominë e vendit, në terma marketingu dhe imazhi, ato janë shumë të rëndësishme”, thotë ai. Sipas Gërxhanit, në Shqipëri, i vetmi emër deri diku gjerësisht i njohur nga operatorët dhe klientët ndërkombëtarë është Sheratoni, ndërsa Mali i Zi, për shembull ka pesë emra të tillë. Ai thekson se shqiptarët arritën të përzënë edhe Club Med-in, i cili ndonëse në vetvete mund të mos kishte ndonjë ndikim thelbësor ekonomik, prapë se prapë do të shërbente si garanci për imazhin dhe mundësitë e vendit në sytë e investitorëve të tjerë ndërkombëtarë. “Dhe ne kemi nevojë urgjente për investime të huaja në turizëm. Aktualisht, pjesa dërrmuese e hoteleve në bregdet ofrojnë vetëm dhoma plazhi. Shtretër, ushqim, televizor dhe plazh. Vetëm kaq. Mungojnë mundësitë e tjera shplodhëse dhe argëtuese. Kjo tregon një mungesë të theksuar vizioni në organizimin e objekteve turistike”, vëren ai.

Prioritetet reale
E vërteta është që në zemër të interesave zhvilluese të vendit është vendosur sektori industrial në tërësi dhe ai energjetik në veçanti. Një sërë projektesh me karakter energjetik janë parashikuar të zhvillohen në të ardhmen e afërt, pa folur edhe për mega-projekte në formë ëndrrash të mbetur sirtarëve, siç është rasti i dëshirës për të ndërtuar një central bërthamor në Shqipëri. Ndonëse ideja e këtij projekti është frenuar të paktën përkohësisht, kryesisht nga shqetësimi i fqinjëve, përfshi dhe faktorë të tjerë, projekte të tjera, siç janë termocentrale të ndryshme janë në zhvillim e sipër. Dhe këto janë kryesisht vepra me një ndotje të ndjeshme në mjedis.
Kliton Gërxhani pranon se prioritet përtej çdo dyshimi është bërë industrializimi i vendit. Por ai shton se nga ana tjetër është e pamundur që, në një vend me madhësinë e Shqipërisë dhe për resurset që ai ofron, këta sektorë të zhvillohen njëkohësisht. Gërxhani thotë se në këtë pikë nevojitet një diskutim i mirëfilltë mbi prioritetet e zhvillimit të vendit, jo thjesht në afatin e shkurtër por brenda një konteksti që përfshin një vizion afatgjatë.
“Së pari, duhet marrë parasysh se disa nga projektet ekzistuese industriale-energjetike janë trashëguar nga qeveritë e mëparshme. Në këtë drejtim përveç interesave afatshkurtra të zhvillimit të vendit, por dhe të palëve të interesuara, pa dyshim, ka ndikuar edhe mungesa e dijes dhe ndërgjegjësimit mbi potencialin turistik”, thotë drejtuesi i ATA-s. Ai vëren se për pasojë sektori turistik shqiptar ka marrë goditje të përsëritura nga zhvillimi i pakontrolluar i industrisë në zona të cilat duhet të kenë turizmin si prioritet. Të paktën në nivel lokal.
“Në këtë kuptim nevojitet ndërgjegjësim më i madh si parakusht jo vetëm për zhvillimin e sektorit turistik por edhe për një menaxhim më të mirë dhe të harmonizuar të burimeve të vendit.
Duhet të jemi të ndërgjegjshëm se pasuritë nëntokësore janë të kufizuara. Gjë që e bën industrinë e rëndë jo të qëndrueshme në afatin e gjatë, ndërsa pikëpyetje mund të ngrihen edhe për të ardhmen afatmesme”, thotë eksperti i sektorit të turizmit.
Ai shpjegon se industria ka kufizime shumë të theksuara në hapësirë, punësim etj. Ndërsa shton se turizmi nuk ka kufizime të kësaj natyre, sepse ka një shtrirje virtualisht të pakufizuar në të gjithë territorin e vendit. Por që kjo të mundësohet, nevojiten të ndërmerren hapa thelbësorë, jo vetëm nga sipërmarrësit e sektorit por dhe nga institucionet shtetërore përkatëse.
Sipas Gërxhanit, burimet e tjera si natyra, dielli e deti janë të pakufizuara. Ai sqaron se si rrjedhojë, avantazhet e turizmit ndaj industrisë janë shumë të mëdha. “Më së paku, turizmi sjell rreth 1-2 milionë konsumatorë të tjerë në tregun vendas, nëse i referohemi një mesatareje të prurjeve vjetore. Nëse kemi rreth 1.5 miliard euro të hyra nga turizmi, pa pasur asnjë lloj ndihme në vite, është e paimagjinueshme që të goditet ky sektor dhe të rrezikohet ky burim shumë i rëndësishëm të ardhurash në ekonomi”, përfundon Gërxhani.

Monday, September 14, 2009

"Po turizmi ç’faj ka?!"- 14.09.2009, Gazeta Shqip

Komente nxitur nga shkrimi “TURIZMI SHQIPTAR, NJE ILUZION TEJMASE I USHQYER” i z. Adri Nurellari datë 12/09/2009

Nuk mund të rrija pa reaguar ndaj artikullit të z. Nurellari mbi turizmin, sepse megjithëse pajtohem më shumë nga kritikat që në atë shkrim bëhen për fenomene negative të zhvillimit të turizmit tonë, zgjidhjet që jepen më duken të gabuara. Aq me tepër që për të kritikuar këto zhvillime negative nuk mund të injorohet potenciali i turizmit tonë dhe rëndësia qe ai duhet të zërë në zhvillimin ekonomik të vendit. Kësaj i thonë: “s’ke ç’i bën derës dhe i bije dritares”.

Si fillim më duhet të theksoj që turizmi është një nga sektorët më të rinj në ekonominë tonë, dhe lufta që ky sektor po bën për të mbijetuar dhe zënë vendin që i takon është e jashtëzakonshme. Për shkak të historisë së tij të re ne na është dashur që të luftojmë çdo ditë për të sensibilizuar opinionin publik dhe sidomos shtetin për potencialin që mbart ky sektor. I gjithë ai imazh që është krijuar nga mediat për turizmin si qendra e vëmendjes se qeverisë është thjesht një iluzion, sepse në realitet turizmi tek ne as ka qenë dhe as është akoma (për fat të keq) degë prioritare e ekonomisë. Investimet dhe deklaratat e fundit tregojnë që në Shqipëri do të ndërtohet industria e rëndë dhe me pas do mendohet për turizmin (nëse do ngelet ndonjë copë toke e pa ndotur). Pra askush nuk ka pse te shtrëngohet të zvogëlojë potencialin që mbart turizmi ynë, nga inati i disa mediave mediokre, sepse është thjesht luftë me mullinjtë e erës në gjendjen që ndodhet ky turizëm sot.

Është mosnjohje e realitetit të thuash “...duke bërë që gjithnjë e më shumë burime të çohen në një sektor të gabuar të ekonomisë, që vështirë se është shumë premtues për një vend si Shqipëria”. E para përveç disa rrugëve nuk e di se për çfarë burimesh e ka fjalën autori që qenkan çuar drejt sektorit të gabuar të ekonomisë, pra turizmit. Për cilat investime e ka fjalën autori kur thotë që turizmi “aq më pak nuk mund të jetë epiqendra e investimeve publike dhe private”, sepse këtë nuk ka guxuar ta thotë as një qeveri e jona deri tani?! Dhe e dyta nëse turizmi nuk qenka shumë premtues për Shqipërinë, për kë do të jetë atëherë, për Alaskën?

Ç’lidhje kanë kilometrat më shumë bregdet të Greqisë, e Kroacisë me potencialin e zhvillimit të turizmit tonë?! Autori përmend vendet e Mesdheut me gjatësi më të madhe bregdeti, por ç’duhet të themi për Malin e Zi, Slloveninë, Portugalinë, Qipron, Maltën? Maqedonia ka vetëm një gjysmë liqeni dhe nuk ka lënë gjë pa bërë për t’i marrë maksimumin e potencialit turistik që ai i ofron. Më thoni një vend të vetëm në Mesdhe, të madh apo të vogël, që nuk ka prioritet turizmin? Që nga ishuj si Malta e deri në shtete me një pasuri natyrore e intelektuale të jashtëzakonshme si Franca (që është vendi me numrin më të madh të vizitorëve në botë). Të qenit të vobektë nuk ka të bëjë me numrin e kilometrave të bregdetit që të ka falur natyra por me çfarë jemi ne në gjendje të bëjmë me ato kilometra. Këtu jam plotësisht dakord që po të shikosh se çfarë kemi bërë ne shqiptarët KUDO ku kemi vënë dorë ne ato kilometra është vërtet një vobektësi, e madhe madje. Por paaftësisë tonë për të bërë punët si duhet nuk mund t’ia shkarkojmë në kurriz turizmit, siç ndodhi psh me logjikën e ndalimit të mjeteve lundruese.

Ne nuk duam të marrim më shumë se na takon nga tregu turistik: nëse kemi 400 km bregdet ajo që duam të synojmë është që të marrim numrin optimal të turisteve që mund të akomodohen në këto 400 km gjatë një viti. Dhe këtu jemi thjesht duke u fokusuar tek turizmi i plazhit pa përmendur turizmin kulturor, atë të natyrës, të interesit të veçantë etj. Të gjithë po i përtypim lustrat mediatike boshe për turistë që shtohen nga 1 milionë çdo vit ndërkohë që askush nuk plotëson asnjë formular në pikat e kufirit për të deklaruar qëllimin e udhëtimit; po përtypim akuzat për nihilizëm; po përtypim deklarata për zhvillime marramendëse në turizëm (pa bërë asgjë për të). Por të gjitha këto janë më të pranueshme sesa ti biem me qafë turizmit dhe potencialit që ai ka për shkak të kusureve njerëzore tonat.

Unë mendoj se autori përsërit të njëjtin gabim duke i rënë në qafë natyrës për gabimet e njerëzve, kur thotë se “një njeri që flet për plazhe shqiptare të virgjëra e të pashkelura, për një perlë në Mesdhe, është pa dyshim një romantik i padalë dhe i keq informuar". Njerëzit që kanë bërë gabimin të reklamojnë plazhet e virgjëra shqiptare kanë qenë gazetarë të mediave prestigjioze perëndimore që kanë ardhur dhe i kanë vizituar vetë këto vende. Por ata kanë shkruar për plazhin e Dhërmiut dhe jo atë te Golemit apo Sarandës (të cilët kanë që po aq të virgjër dhe të bukur përpara sesa të lëshohej mbi to batërdia “ e investimeve publike dhe privatë” siç thotë autori.)
Meqë përmenden ishujt e Kroacisë: në ishullin Lopud ndodhet një plazh të cilin vendasit e reklamonin si një nga 70 plazhet më të bukura në botë. Dhe e dini çfarë kishte të veçantë ky plazh: ishte plazh ranor me rreth 100 metra i gjatë dhe 10 metra i gjere. Dhe kjo e bënte atë të veçantë, sepse ne të gjithë ato 5000 km bregdet të Kroacisë plazhe te tilla numëroheshin me gishtat e njërës dorë. Për të vajtur në “plazhin e 70 më të bukur në botë” ne na u desh të paguanim autobusin për të vajtur tek anija, të paguanin anijen për të vajtur tek ishulli, të paguanim makinën elektrike në ishull për të vajtur në krahun tjetër të tij ku ndodhej plazhi, dhe atje të paguanim çadrën e shezlonin, dhe të gjitha këto me një çmim 10 herë më të lartë sesa në Shqipëri. Nuk e di nëse autori e ka provuar këtë ndjenjë zhgënjimi të thellë, jo shumë me plazhin dhe çmimet sesa me atë që ne shqiptarët po i bëjmë turizmit tonë duke na detyruar të bredhim si çifutët në shkretëtirë për të kërkuar një plazh me rërë sikur të ishim eskimezë. Më lejoni t’ju kujtoj se ne kemi rreth 300 Km plazh ranor në Adriatik me jo 10 m gjerësi por që shkon edhe deri në 100-200 m. Por ne këtë “potencial të vobektë” e kemi quajtur si “plazh për popullin” sepse “elita” do kishte plazhin e Jonit. Dhe e dini çfarë ka bërë “përqendrimi i investimeve publike dhe privatë” në këto 300 km të rralla për Kroacinë, por të tepërta për ne: e ka rrethuar me depozita nafte nga Shëngjini në Vlorë, i ka planifikuar një TEC gjigand në Durrës dhe ca të tjerë në Vlorë, i ka planifikuar portin më të madh të mallrave në Mesdhe e fabrika të panumërta çimentoje rreth e rrotull, ka krijuar formën më të shëmtuar të turizmit masiv, kaotik, në çdo vend ku është ndërtuar, duke treguar që Golemi nuk qe një gabim rastësor, por modeli sesi ne duam të bëjmë turizëm. A e mendojmë njëherë se çdo të ndodhte po të shkëmbenim ne bregdetin tonë me atë kroat? Mendoni se rezultati do ishte siç është sot? Jo, ju garantoj që jo vetëm kroatët por kushdo (përveç nesh) do kishte bërë mrekullira me këtë bregdet dhe këtë vend që ne kemi.
Është e vërtet që në bregun tonë nuk gjendet qoftë edhe një hotel apo resort i vetëm i ndonjë prej kompanive të mëdha ndërkombëtare hotelerike. Po kjo konfirmon se sa shumë vëmendje i është kushtuar turizmit tek ne për të thithur investime të huaja që pothuajse janë zero.

Kompania e vetme me emër mbas Sheratonit, Club Med, zgjodhi të investonte në Shqipëri jo se ne nuk kemi potencial turistik e plazhe të virgjëra, por se potenciali qe Kakomeja ofronte ja kalonte shumë fqinjëve tanë. Por për fat të keq Club Med deklaroi i lodhur se heq dorë nga investimi në Shqipëri jo se në turizëm ka “një inkurajim të tepruar të politikave qeveritare” apo se gjithnjë e më shumë burime çohen në këtë “sektor të gabuar të ekonomisë, që vështirë se është shumë premtues për një vend si Shqipëria” dhe jo se “turizmi është epiqendra e investimeve publike dhe privatë”. Club Med-i iku pikërisht sepse realiteti është krejt i kundërt me te gjithë ato çfarë citohen më sipër.

Çfarë politikash stimuluese qeveritare ka ndaj turizmit tonë kur një hotel në Shqipëri paguan rreth 40 % të xhiros së tij në shtet (20%TVSH, + 5% taksa e bashkisë, + 10% tatim fitimi, + 3-4 % bankave për pagesat me kartë kredit, pa përmendur taksat e gjelbërimit, të pastrimit, të tabelës, taksën e të drejtës së autorit që po kërkohet të vihet tani, etj.etj.), ndërkohë që fqinjët tanë paguajnë maksimumi deri në 10% taksë?! Kjo është ndihma për të qenë konkurrues në tregun ndërkombëtar? Ne vend te këtyre shteti krijoj edhe “shpikjen” e fundit për te ulur pragun e xhiros se biznesit te vogël ne 4 milion Lek ne vit (nga 8 milion qe ka qene me pare) duke bere qe edhe hotele me 5 dhoma te quhen biznes i madh tani, duke zhdukur praktikisht çdo biznes te vogël ne turizëm (ne vend qe te konsolidohej ai dhe te mendohej edhe për krijimin e një shtrese biznesi te mesëm) dhe duke bere qe çdo biznes ne turizëm ta paguaj atë 20% TVSH pa pasur shansin ta marri mbrapsh ndonjëherë atë, duke e kthyer kështu ne një taks te pastër. Dhe nuk mund të vazhdojmë të bëjmë sikur harrojmë që të ardhurat nga turizmi janë mbi 1 miliard Euro në vit duke qenë kështu më të mëdhatë në vend dhe duke bërë turizmin sektorin me volumin më të madh të eksporteve në vend (rreth 50% të totalit të eksporteve), ndërkohë që nga ana tjetër nuk përfiton asnjë incentive nga shteti siç përfitojnë degët e tjera të eksportit.

Nëse është ndërtuar një rrugë kombëtare me ndikim direkt në turizëm është rruga e bregut Vlorë-Sarandë, sepse pothuajse të gjithë rrugët e tjera janë bërë me qëllim zhvillimin e industrisë. Nuk ka si të shpjegohet ndryshe zgjerimi i rrugës të Shkëmbit të Kavajës përveçse si rrugë transporti që do lidhte Portin e Vlorës me veriun dhe sidomos me rrugën Durrës-Kukës. Për dëmin që do shkaktonte kjo rrugë u ngritën dhe të gjithë bizneset e turizmit të asaj zone por askush nuk i dëgjoi.
Jam dakord me mendimin e autorit se ideja e shtimit të dhomave do stimulojë ndërtimet kaotike por përsëri: kjo nuk tregon se po investohet në turizëm por që zhvillimet në turizëm vazhdojnë të ngelen kaotike dhe të pa drejtuara dhe kontrolluara nga shteti, sepse në të kundërt, përpara se të ndërtohej rruga e bregut dhe të gjendeshim të papërgatitur për mungesën e kapacitetit (gjë që ishte e logjikshme që do vinte) kishim menduar si të shtonim kapacitetin njëherë pastaj të ndërtonim rrugën.

Jam plotësisht dakord me autorin për analizën që i bën tregut turistik që viziton Shqipërinë, dhe konkluzionin që ky treg është “dhuratë” e faktorëve objektiv dhe jo një rezultat i një përpjekje të studiuar mirë nga Ministria e Turizmit. Por nuk jam dakord me idenë që nëse këta faktorë objektivë do ndryshojnë në 2-3 vjet dhe numri i turistëve pritet të pësojë rënie, atëherë fajin e ka prapë turizmi dhe ne nuk duhet t’i kushtojmë vëmendje këtij sektori. Sfida është t’i paraprihet këtyre ndryshimeve që jo vetëm të mbajmë maksimumin e këtij tregu që kemi por të shtojmë edhe treg të ri kryesisht të huaj.

Si përfundim: këtu nuk flitet për simpatinë ose jo ndaj turizmit të njërit apo tjetrit. Përzgjedhja e turizmit si sektori kryesor ekonomik në vend është i detyrueshëm për vete rrethanat gjeografike të vendit tonë dhe potencialin e pasur turistik që vendi ynë mbart duke kaluar çdo burim tjetër natyror që Shqipëria ka dhe që mund të garantoj një zhvillim afatgjatë dhe të qëndrueshëm. Turizmi ka aftësinë e jashtëzakonshme që të krijoj të ardhura edhe në zonat më të thella ku investimi publik apo privat është thuajse i pamundur, ka aftësinë që të rrisë punësimin shumë herë më shumë se çdo sektor tjetër edhe për shkak të efekteve të tij stimuluese sekondare në sektorët e lidhur me të, dhe të “sjell” një treg të gatshëm në vend për të lehtësuar shitjen e produkteve të industrisë së lehtë. Prandaj turizmi i kombinuar me industrinë e lehtë krijon një bazë të shëndoshë të ekonomisë tonë duke shmangur eksperimentet tashmë të provuara si të dështuara siç është industria e rëndë.

Kliton Gërxhani, President i Shoqatës Shqiptare të Turizmit (ATA)