My Motivation Quote


"It is no use saying, 'We are doing our best.' You have got to succeed in doing what is necessary." ~ Sir Winston Churchill


Sunday, July 10, 2011

“Refleksione mbi turizmin e Korfuzit dhe tonin…”- Gazeta Shqip, 10/07/2011

Pushimet sivjet vendosa t’i kaloja në Korfuz. Nuk kisha qenë ndonjëherë në këtë ishull dhe kisha dëgjuar fjalë të mira për të, kështu që një rrugë e dy punë: familja pushonte, kurse unë pushoja duke mbajtur të hapur dritaren e profesionit në kokë. Ngaqë do të shkoja me makinën time në fillim pyeta se nga ishte më mirë të shkoja. “Mos shko me tragetin e Sarandës se është i vogël, dhe të vonojnë në portin e Korfuzit me kontrollet e tepërta për shqiptarët”-më thanë. Kështu që alternativa ishte të shkoja në Igumenicë dhe të merrja tragetin atje. “Më kanë thënë se është autostradë nga Saranda në Qafë-Botë” i thashë një miku tim në Sarandë. “Po ç’ autostradë,”-më tha- “rrugë e ngushtë me dy kalime, pastaj fillon rruga e vjetër e dëmtuar dhe pastaj ke rreth 1 km rruge të pashtruar fare.” “Po andej nga Greku, deri në Igumenicë?”- e pyeta. “Edhe andej njësoj, mos prit ndonjë gjë të madhe. Rrugë e ngushtë, fshatrave të Greqisë dhe qyteza e parë që shikon është Igumenica”. Dhe ishte 100% i saktë me këtë që më tha. Fshatra të humbur, të harruar si këtej si andej, dhe rrugë të ngushta të amortizuara pa asnjë sinjalistikë rrugore. “Nga kalohet për në Igumenicë? Si nuk ka një tabelë orientuese edhe këtej në Greqi?!” i thashë një sarandioti që pashë në rrugë duke ardhur me makinën e vet nga Igumenica. “ Ja tani do t’i vënë, si të duash ti”-më tha duke qeshur, “ Po ç’ pret nga këta ore, si puna jonë janë edhe këta, ç’e dite ti”-tha dhe u largua.

Duke ecur dhe duke pyetur e gjeta edhe unë Igumenicën. Atje për fat të mirë nuk kishe pse të nguteshe sepse tragetet për në Korfuz niseshin çdo një orë dhe merrnin me qindra makina e njerëz. Udhëtimi qe komod, trageti i pajisur me të gjitha gjërat e nevojshme madje edhe me TV ku grekët ishin grumbulluar gjithë vëmendje dhe dëgjonin lajmet. Aty u kujtova që ky shtet kishte mbi dy vjet që ishte bërë problemi ekonomik i Europës; që Athina dhe Selaniku digjeshin nga demonstratat edhe të dhunshme; që disa politikanë europianë po i kërkonin Greqisë që të shiste edhe deri tek ishujt dhe pasurinë kulturore kombëtare nëse nuk do jetë në gjendje të paguajë borxhet. Ndërkohë tragetet vazhdonin të çonin turistë, makina e autobusë çdo një orë drejt Korfuzit. Mu kujtua 21 Janari ku për një ditë trazira, shumë biznese shqiptare të turizmit u dëmtuan rëndë prej anulimeve të grupeve turistike të planifikuar muaj më parë. Nuk dija se si të shpjegoja këtë ndryshim në reagimin e turistëve kundrejt turizmit të Greqisë dhe tonit, përveçse me simbolikën e trageteve gjigande që niseshin nga qyteza e Igumenicës plot dhe tragetit të vogël të Sarandës që nisej vetëm një herë në ditë, merrte vetëm 4 makina dhe tundej nga çdo dallgë...

Mbërrita në Korfuz. Përveç qytezës së Korfuzit, pjesa tjetër ishte me fshatra të vegjël njëri pas tjetrit, që lidheshin nga një “rrugë kryesore” që ishte e ngushtë dhe amortizuar. U zhgënjeva, sepse prisja rrugë më të mira, por ndërkohë mendova që kur ne nuk kishim as rrugë as karroca, këta ndërtuan rrugët e tyre këtu, dhe sot e kësaj dite po i vjelin të ardhurat këtyre rrugëve me turizëm. Ne akoma nuk kemi mbyllur një autostradë të vetme që të lidhë nga fillimi deri në fund një pikë kufitare me Tiranën. Le që ç’ them edhe unë, sot është tmerr të çosh turistë në Berat me atë gjendje që është katandisur rruga, kur Berati është realisht atraksioni i dytë më i rëndësishëm në vend mbas Butrintit.

Mbërrita në rezort. Hapësirë e pafund e gjelbëruar, e mbushur me palma, me mbi 500 dhoma, dhe më e rëndësishmja dhe e çuditshmja për realitetin shqiptar, 500 dhoma të ndërtuara në godina dy katëshe (po po vetëm dykatëshe!) uniforme në arkitekturë e dizajn, të shtrira vertikalisht (jo horizontalisht si tek ne) drejt detit. (Mundohuni t’i bëni bashkë 500 dhoma për t’i menaxhuar në Golem, Sarandë apo kudo në Shqipëri dhe do më kuptoni çka jam duke thënë).

Në dhomë çdo gjë ishte gati nga menaxhimi i rezortit grek, edhe krevati i vogël i fëmijës. Na falënderuan 100 herë që zgjodhëm rezortin e tyre dhe që i bëmë 2-3 sugjerime të cilat na i mirëpritën dhe na dhanë madje edhe një shishe verë si dhuratë të nesërmen, duke treguar vëmendje për ne megjithëse rezorti kishte mbi 1000 e ca pushues në atë kohë (“Me të vërtet ishin të sjellshëm grekët me ju edhe pasi morën vesh qe jeni shqiptarë?!”- më pyesnin miqtë e mi këtu). Ndërkohë që kur u ktheva në Sarandë dhe ndalova te një hotel pronari i të cilit më kishte ftuar vetë të shikoja hotelin e tij, kur i thashë për krevat fëmijësh më tha:“Vëlla, fli në krevat dopjo me fëmijën e vogël siç kemi bërë ne të gjithë më parë. Ne e kemi hotelin për çifte jo për kalamaq, nuk do ziejmë edhe fasule tani në hotel”.

Në rezort çdo turoperator shiste ndërmjet të tjerave edhe vizita në Butrint. Kur fola me një nga punonjëset e një kompanie për turin e Butrintit më tha që 35 Euro bën transporti deri në Sarandë, pastaj 10 Euro është taksa e hyrjes. “Taksa e hyrjes?!” – “Ne nuk kemi më taksë hyrje, e kemi hequr prej kohësh”- i thashë. “Është taksë hyrje, ose vize, ose diçka tjetër. Nuk e di saktësisht, por di që e merr turoperatori grek që i ofron shërbimet në Sarandë dhe është lidhur me një agjensi lokale aty”. Kur nuk ka kontroll, është e lehtë që duke ia lënë fajin shtetit shqiptar të bësh lek për vete, sepse ato 10 Euro mund të jenë fitim mbi fitimin e paketës.

Kur filloi të më marrë malli për mëmëdheun dhe doja të mësoja diçka, kërkoja i dëshpëruar kush nga mediat kryesore në Shqipëri shpërndante twitter-a të paktën, që është shumë praktik në këto raste, në krahasim me kanalet e tjera të rrjeteve sociale. Por edhe mediat kryesore që na lodhin kokën nga mëngjesi në darkë në Shqipëri me politikë, mezi nisnin 2 twittera në javë, edhe ato mbi pinguinët e Zelandës së Re apo porshin që e qëlloi me plumba një i pasur për inat të së dashurës. Lajmet e vetme që mora në smartfonin tim ishin nga twitterat e mediave ballkanike që edhe pse ndodheshin me qendër në Bullgari apo Serbi, më njoftonin saktë ç’të reja kishte mbi Shqipërinë. Mbrapa si kudo në krahasim me botën, edhe në rrjetet sociale të cilat janë bërë të domosdoshme sot për informim dhe promovim. Edhe pse sipas një studimi mediat tona I kanë blerë njerëzit më me influencë në politikën shqiptare, ose ndoshta pikërisht, sepse mediat tona I kanë blerë njerëzit më me influencë në politikën shqiptare.

Pushimet mbaruan, erdhi koha të kthehesha. Ma kishte qejfi ta kurseja atë rrugën e lodhur Igumenicë –Sarandë dhe zgjidhja më e mirë ishte natyrisht trageti që të merrte në Korfuz dhe të zbriste në Sarandë. “Mos merr tragetin e Sarandës që nga Korfuzi”më thanë edhe ne kthim, “sepse ka dallgë dhe ndjehen shumë lëkundjet se është i vogël”. Po mirë aeroportin që nuk e ndërtojmë dot akoma në jug sepse na i ka futur gjermani i TIA-s të dyja këmbët në një këpucë, por një traget për të qenë që merr dhe makina a autobusë pse nuk e vendosim? Janë me qindra mijëra pasagjerë dhe makina që kalojnë nëpërmjet Igumenicës dhe një pjesë e tyre vijnë edhe në Shqipëri. Sa të ardhura shtesë do kishim marrë prej tyre? Në qoftë se nuk u krijojmë kushte lehtësuese turistëve për të ardhur, si mund të pretendojmë për sasi dhe cilësi turistësh? Në Korfuz çdo një orë fluturonte një charter i cili mund të mbajë mbi 100 turistë, pa llogaritur tragetet, dhe prapë thonë që kanë rreth 1 milionë turistë në vit. Nëse tek ne akoma nuk ka shkelur charteri i parë (ufoja I parë) pra është akoma një diçka e panjohur (si puna e twitterit), dhe trageti që kemi me Korfuzin merr ndonjëherë me kohë të mirë 4 makina, me çfarë na vijnë ne mbi 3 milionë turistë sipas qeverisë?! Në këmbë, me gomerë, apo me not, sepse po të vijnë të gjithë në rrugë tokësore me makina, na duhet të akomodojmë mbi 1 milionë makina në 2 muaj verë me këtë llogjikë (kur vijnë edhe gati 80% e vizitorëve) pra edhe me tre kate t’i kishim rrugët nuk do kalonte dot njeri.

E ndërsa ne me gjithë këto kusure, ne këtë vend ku falimentojnë furrat e bukës dhe lulëzojnë kazinotë, nuk na rri dhe goja dhe mburremi me këtë turizëm, më kujtohet miku gjerman Dieter që njoha në rezort që me çudi më thoshte: “ Po ju kur jeni fqinj me Greqinë dhe keni edhe det, pse vini këtu për pushime?! Nuk keni rezorte të tilla në Shqipëri?!

Nga halli u ktheva andej nga erdha, pra nga rruga e humbur e Igumenicës për në Sarandë. Kur hyn për në Sarandë nga Qaf Bota vë re që kanceri i betonizimit po përhapet frikshëm me shpejtësi drejt Kanalit të Çukës. Mendova se këtu nuk ka asnjë garanci që kjo nuk do të shkoje drejt Ksamilit, dhe pastaj Butrintit, për të ndaluar vetëm në Qafë Botë në kufi me Grekun, sepse nuk kemi ç’ti bëjmë ngaqë është tjetër shtet atje, se po ta kishim tonin... “Po ti ku i bën pushimet?” i thashë një mikut tim pronar i një hoteli të njohur në Sarandë, “Në Korfuz” më tha “ marr një vilë atje dhe rri 10-15 ditë me familjen. Është shumë shtrenjtë por ç’të bëj, ka hapësirë, gjelbërim dhe çlodh pak nervat pasi lodhem nga stresi i punës dhe kjo shëmtirë që kemi bërë ne me Sarandën. Po të kisha mundësi edhe hotelin tim do e prishja dhe do ta ribëja edhe njëherë mirë nga e para”.



Emisioni mbi turizmin

U ktheva në Tiranë dhe për koincidencë të nesërmen në një emision popullor në TV po diskutohej për turizmin. Për çudi të ftuar nuk qenë specialistë të turizmit, por një miksim gazetarësh, opinionistësh, pedagogësh, të ngeshmish (të paktën në titra nuk u vendosej ndonjë titull) etj. Nuk e di përse, ndoshta ngaqë turizmi konsiderohet dava qejfi dhe për të mund të flasë kushdo që ka qenë njëherë në plazh, ndoshta ngaqë nuk na pëlqen të na thonë se kush janë problemet reale të turizmit dhe si mund të zgjidhen ato, ndoshta ngaqë nga Ministria e Turizmit ka qenë gjithmonë problem të vijë dikush në debat të përballet me këta specialistë, apo ndoshta edhe se specialist të mirëfilltë turizmi nuk para gjen kollaj. Gjithsesi 2-3 gjëra më bënë përshtypje. E para emisioni u nis me kritika të forta që në fillim mbi Dhërmiun dhe merret me mend se ç’ ngelej për të thënë për Durrësin dhe Sarandën, (madje për këto të fundit duket sikur nuk po do më njeri të flasë) dhe pothuajse askush nuk po gjente diçka pozitive për turizmin tonë, ndërkohë që drejtuesi ndoshta donte të bënte një emision pak më rozë me këtë zgjedhje paneli. Kur u përmend pak turizmi i Durrësit, të cilin një gazetar kosovar aty e quajti “turizëm i domates”, drejtuesi I emisionit me naivitet (ose ironi) tha “Po, por megjithatë Durrësi është plot”. Është dhe ndoshta do të jetë edhe ca kohë “plot” kur mendon që 80 - 90% e tregut kosovar dhe shqiptar që e frekuentojnë atë janë njerëz me të ardhura mesatare mujore 100-200 Euro. Dhe kjo përbën ndoshta një treg gati 3-4 milion shtresë të varfër, që një pjesë e tyre do të donin të kalonin 10 ditë pushime me sa më pak lek (pra për fat të keq “turizmi i domates”) dhe këtij tregu i përshtaten kryesisht zonat e “Golemizuara” për shkak të përputhjes së standardit shumë të ulët si të kërkesës ashtu edhe të ofertës. Dhe e fundit ajo që një opinionist I njohur tha në emision kur u pyet për një projekt për të kthyer një burg (ndoshta të Spaçit) në një qendër të vizitueshme për turistët, ai u përgjigj me hidhërim “Jo, në këtë vend nuk bëhet asgjë”. Më dhembi dorëzimi edhe i atij personi I cili ka një influencë të konsiderueshme në vend, siç më dhembi edhe mos realizimi i një projekti të tillë që do ishte një produkt shumë atraktiv për turistet e huaj. Nga ana tjetër mu kujtua që një politikane, e cila për ironi të fatit përflitet të jetë edhe Ministre e Turizmit, tha që ne duhet t’i zhdukim të gjithë bunkerët nga vendi (një nga elementët kryesorë për të cilin kanë kuriozitet turistët e huaj). Mu kujtua edhe diskutimi për Piramidën I cili nuk do bëhet as muze, as qendër biznesi që të na japë të ardhura por do marrim lek borxh dhe do ta bëjmë Parlament ! Sipas medias dy janë projektet që do marrë qeveria borxh këtë vit: tuneli Elbasan-Tiranë dhe Parlamenti. Më kujtohet një komshiu im që merrte 1000 lekë borxh të atit për kartë celulari dhe shënonte emrin në listë për të blerë bukë!

Tushemishti ose “ju Tiranasit ! ”

Këtë fundjave shkova në Tushemisht. Mallkova veten sepse desha të qetësohesha, por më la pa gjumë. Në qendër të fshatit (të bukur të Teto Ollgës), po ngrihej një pallat (po po PALLAT) 5 katësh sipas projektit, por që kishte telat mbi katin e pestë për t’u ngjitur edhe ndonjë kat më sipër. Madje ngjitur me të ishte edhe një ndërtesë tjetër katrore që reklamohej në projekt si qendër biznesi apo turistike, por kishte edhe ajo formën e pallatit. Nuk më hiqen dot nga mendja ato copëra bisedash me njerëzit e thjeshtë dhe të mrekullueshëm të Tushemishtit: “Ju Tiransit po na shkatërroni edhe fshatin. Po ndërtoni pallate edhe këtu si në Tiranë”, “Nëse dikush vinte në këtë fshat, vinte për ajrin e pastër, për ujin, për arkitekturën uniforme të shtëpive të fshatit, për kalldrëmet e teto Ollgës, për Drilonin. Tani këtu është kthyer në kantier ndërtimi, si në Tiranë, Durrës apo Sarandë. Dhe po u nis një pallat, fshati do të zhduket sepse do ndërtohen blloqe të tëra pallatesh si kudo. Ndërkohë që nuk kemi një trotuar që të lëvizin pushuesit nga fshati në Drilon, ndërkohë që kalldrëmet e brendshme të fshatit janë shkatërruar”, “Po u blihen tokat fshatarëve për të ndërtuar pallate dhe nuk u jepet asnjë kokërr leku, por u premtohet që do t’u jepen vetëm hyrje falas”, ”Pogradeci ka patur që në kohën e Zogut një plan urbanistik që do të zhvillonte qytetin në formë amfiteatri me shtëpi të vogla në kodra që do shikonin të gjitha drejt liqenit, kurse ne e fillojmë duke ndërtuar pallate gjigande në anë të liqenit”, “Njëlloj po bëhet edhe në qytet ku edhe atje pallatet e betonit po na mbysin, e ke parë që kanë ndërtuar edhe brenda ne lulishte?! Pra me shumë se me krahun politik kjo punë ka të bëjë me njerëzit e zgjedhur që “dorëzohen nga halli” përpara parasë së betonit”. Dhe me mungesën e vullnetit politik, - do të shtoja unë, me kaosin total, dhe mungesën e planeve të zhvillimi të turizmit, që shfrytëzohen aq mirë nga “biznesmenët e rinj” të ndërtimeve, ose siç emërtoheshin në Tushemisht me dëshpërim dhe përbuzje: “ju Tiranasit”.

Në mbyllje…

Kur i thashë një mikut tim që do shkruaja një artikull për këto probleme, më tha “kot sa shqetësohesh, t’i mund të shkruash, por asgjë s’do të ndryshojë”. Ndoshta, por të paktën e hoqa edhe këtë siklet nga vetja me shpresën se do të dëgjohet nga veshi i duhur.

Kliton Gërxhani

Ekspert Turizmi