My Motivation Quote


"It is no use saying, 'We are doing our best.' You have got to succeed in doing what is necessary." ~ Sir Winston Churchill


Wednesday, June 10, 2009

"Turizmi apo industria?" - Gazeta Shqip 10.06.2009

Në këtë kohë fushate elektorale, një nga çështjet që ka filluar të diskutohet pavarësisht se jo shumë qartësisht, është edhe modeli i zhvillimit ekonomik të vendit. Meqë shumë parametra të këtij zhvillimi tashmë janë pozitiv, është e domosdoshme që tani të përcaktojmë se ç ’drejtim duam t’i japim ekonomisë së vendit tonë në 5-10 vitet e ardhshme. Mendoj se një vendim i tillë shumë i rëndësishëm për të ardhmen tonë, nuk mund të përcaktohet nga një politikan i vetëm apo grup politikanësh, por duhet të jetë një e drejtë që ta kenë të gjithë grupet e interesit me qellim që të arrihet një vendim i pjekur dhe të dalë një rezultante që t’i kënaqë të gjithë qytetaret shqiptarë që duan të jetojnë në këtë vend. Nuk e kemi pasur luksin që të kemi një demokraci të tillë deri tani, por besoj se të gjithë jemi dakord se njerëzit janë sot shumë më të vetëdijshëm se më parë për rëndësinë që ka pjesëmarrja e tyre në përcaktimin e fateve të vendit. Po t’i referohemi disa sondazheve të fundit meqë jemi në kohe fushate, është pikërisht ai 10-20% i njerëzve të pavendosur që nuk dëshiron të shkojë ku ta çojë partia, por do që të përcaktojë vetë fatet e jetës së tij. Dhe meqë të gjithë jemi dakord se pikërisht ky grup i të pavendosurve do të përcaktojë fatet e zgjedhjeve, politikanët pasi bindën me dogma politike grupin e tyre të militanteve, u duhet të fitojnë tashmë betejën më të vështirë: të bindin të pavendosurit (që janë kryesisht intelektualë, teknokratë, biznesmenë etj) se ç’ programe reale ofrojnë dhe ç’ drejtim duan t’i japin zhvillimit të vendit.
Një nga sektorët kryesor të ekonomisë është edhe turizmi. Bizneset e turizmit (që shumica e tyre përfaqësohen në Shoqatën tonë Shqiptare të Turizmit-ATA me rreth 130 anëtarë), po presin se çfarë kanë menduar politikanët të bëjnë me këtë sektor nëse do të vijnë në pushtet.
Flitet shpesh, për fasadë, se turizmi është sektor prioritar i ekonomisë. Por nëse është dashur të merret një vendim ndërmjet industrisë dhe turizmit, vendimi është marrë gjithmonë në dëm të këtij të fundit. Po ta marrim hartën turistike nga veriu në jug, kudo ku ka potenciale turistike. Mesa duket “lobingu anti-turizëm” është kujdesur ta shkatërrojë atë: Shëngjini është betonizuar dhe ka depozita nafte ne bregdet, Krujës po i marrin frymën fabrikat e çimentos, Golemi dhe Shkëmbi i Kavajës janë pionierët e modelit të shëmtuar të betonizimit masiv të bregdetit, (dhe në vend të mendonim si ta lehtësonim këtë zonë, autostrada që po i bëhet do e mbingarkojë me njerëz dhe trafik dhe do ja shkurtojë më shumë jetën), Saranda e shëmtoi vetveten me ndërtime pa asnjë kriter duke përforcuar faktin se industria e ndërtimit është me prioritare se turizmi, dhe së fundmi i vihet vula me projektin e ndërtimit të një porti të madh mallrash në Vlorë (përsëri industria e naftës kishte më shumë prioritet se turizmi), ndërkohë që Mali i Zi ndërton portin më të madh të Jahteve në Adriatik me kapacitet rreth 800 Jahte dhe mega Jahte. Po t’i shtosh këtyre ligjin për ndalimin e mjeteve lundruese që u zgjat në kohë megjithëse afati i ka skaduar, (sepse parlamentaret tanë nuk patën kohë që të merreshin me shfuqizimin e këtij ligji, por na e lanë ”dhuratë” edhe këtë vit duke dëmtuar sërish turizmin); ligjin e të huajve që penalizoi hyrjet e shtetasve nga disa vende të rajonit dhe vende me shumë interes turistik si Rusia, Ukraina etj, po ashtu edhe heqjen e licencim/kategorizimit në turizëm, duket qartë se turizmi është i fundit në listën e prioriteteve të politikës.
Një fakt tjetër mbi dogmën se turizmi është prioritar, është se ka mbi 10-15 vjet që një nga investimet e vetme serioze ndërkombëtare, ai i Club Med në Kakome është tejzgjatur deri në lodhje prej konflikteve të pronës dhe konflikteve me komunitetin (duke i lëne pothuajse në zero investimet e huaja në turizëm), ndërkohë që të gjithë investimet industriale janë mbyllur shumë më shpejt megjithëse shumë prej tyre kanë pasur po ashtu konflikt me komunitetin.

Nuk mund të jetë prioritet turizmi kur Ministria e Turizmit ka qenë e fundit për të cilën “është bërë luftë” për t’u marrë (dhe për tu mbajtur), nga ata që kanë qenë në pushtet, dhe për më tepër Ministrat e kësaj Ministrie (që lëvizin edhe me shpesh se çdo Ministër tjetër) nuk kanë patur asnjë lidhje apo edukim mbi turizmin dhe për rrjedhojë asnjë vizion se çfarë do bëhej me këtë sektor të rëndësishëm. Ndërkohë që në Kroaci, Ministri i turizmit kërkoi dorëheqjen, sepse qeveria nuk i pranoi kërkesën e bërë nga Shoqata e Turizmit për uljen e TVSH në 6% për akomodimet dhe 10% për shërbimet e tjera turistike (sa për informacion Shqipëria është i vetmi vend në rajon që paguan 20 % TVSH në akomodim). Nuk mund të jetë prioritar turizmi kur buxheti që i akordohet MTKRS për zhvillimin e turizmit është rreth 800 mije Euro, (duke qenë dhe me i ulët sesa te gjithë sektorët e tjerë që ajo ministri mbulon), dhe nga ky buxhet për marketingun e vendit janë vetëm 300 mijë Euro (sa një spot publicitar në CNN!), ndërkohë që Mali i Zi caktoi këtë vit 500 mijë Euro vetëm për promovimin e vendit në fqinjët e tij, dhe për mos të përmendur këtu që Turqia ka një buxhet prej 100 milionë Euro vetëm për marketingun!

Nëse sektori kryesor në vend është bujqësia dhe sektori me rritjen me të madhe (rreth 20%) është turizmi, logjika ta thotë që fusha kryesore ku ne duhet të fokusohemi në të ardhmen duhet të jetë një kombinim i zhvillimit te industrisë së lehtë (agrikultura, industria ushqimore etj) dhe shërbimeve, ku rolin kryesor duhet ta zërë turizmi. Por duke injoruar ketë bazë ekzistuese te ekonomisë, është zhgënjyese për të gjithë industrinë tonë të turizmit që të shikojmë se investimet kryesore dhe deklaratat e disa politikaneve kanë fokus kryesor industrinë e rëndë. Ne kemi fatin e madh që të jemi në grupin e vendeve të Mesdheut i cili synohet nga i gjithë tregu turistik botëror, dhe na ka falur natyra këtë klime të mrekullueshme, këtë diversitet relievi, mbi 400 km bregdet dhe këtë kulture unike. Atëherë si ka mundësi ta injorojmë gjithë këtë potencial për zhvillimin e vendit dhe të kërkojmë të ndërtojmë të ardhmen nga hiçi, nga industritë e rënda, të naftës, TEC-eve, fabrikave të çimentos, e deri tek centralet bërthamore?! Nuk është e ndershme të luhet me varfërinë e njerëzve duke i detyruar ata të pranojnë çdo lloj investimi mjaft që të kenë një vend pune. Për të parë se çfarë të mirash na solli industria në ekonomi dhe sidomos në mjedis mjaft që të kujtojmë helmin që shpërndante metalurgjiku i Elbasanit ne qiellin e këtij qyteti, ndotjen e Fabrikës së Sodës në Vlorë, të Azotikut ne Fier, Superfosfatit në Laçit, ndotjen e naftës në Roskovec dhe Ballsh etj. Kjo pavarësisht “fatit të madh” që ne kemi që gjithmonë na sjellin teknologjinë më të fundit në botë që nuk është aplikuar askund me parë (edhe këto investime te kohës se komunizmit mund të kenë qenë në kohën e tyre teknologji moderne, fundin e tyre negativ e shikojmë të gjithë). E përsëris, ne kemi me bollëk diell, det, e gjelbërim, nuk kemi naftë, qymyr e uranium, atëherë kush është logjika e këtyre investimeve dhe e kësaj të ardhmeje?! Mos duam të kompensojmë tani revolucionin industrial që bota e ka bërë 100 vjet më parë, duke vazhduar të jemi 100 vjet mbrapa, ndërkohë që theksi sot në botë vihet tek mjedisi dhe zhvillimi i qëndrueshëm i ekonomisë?

Një nga pikat me problematike të zhvillimit të deritanishëm ka qenë dhe papunësia. Avantazhi me fantastik i turizmit është se krijon efekte pozitive të shumëfishta dhe dytësore edhe në sektorët e tjerë ndihmës që kanë lidhje me të, si bujqësia, industria përpunuese ushqimore, prodhimet artizanale, tekstilet, etj. Pra sektori i turizmit që sot punëson rreth 140 mije punonjës ndihmon që të shtohen të punësuarit në të gjithë sektorët e tjerë që kanë lidhje me turizmin. Nëse ne do ndërtojmë TEC-e në bregdet apo porte mallrash, kjo nuk është ndonjë zgjidhje për hallet e qytetarit të Kolonjës, Skraparit apo Tropojës sepse nuk besoj se do të donim që edhe ata qytetarë që kanë ngelur andej të vinin nga halli të punonin hamall në Vlore apo në TEC-et e Durrësit. Kurse avantazhi i turizmit është që u jep punë edhe deri zonave më të thella si në modelin e Thethit psh, sepse turisti është kurioz të vizitojë të gjithë vendin. Atëherë si ka mundësi që politikanet “u qajnë hallin” të punësuarve që nga Tregu Çam e deri tek rrobaqepësia e lagjes, dhe asnjë nuk denjon të pyesë se ç’hall kanë ata që punojnë në turizëm? Si ka mundësi që bëjnë gara se kush do hapë me shumë vende pune dhe nuk mendojnë se rruga më e lehtë dhe e logjikshme për të arritur ato numra vendesh të reja pune është nëpërmjet zhvillimit të turizmit? Nëse do marrim një shembull: bujqësia është fokusi kryesor i shumë partive sot, dhe turizmi u sjell një treg të gatshëm prej rreth 1.5 milionë turistësh (po të marrim një shifër pak me realiste sesa ajo mediatike) fshatarëve që t’u shesin prodhimet e tyre, një mundësi që nuk do te arrihej nëse do të synonin të çanin tregun e huaj në mënyrë që të shesim po të njëjtat prodhime në vendin e origjinës së këtyre turistëve.

Turizmi zë rreth 50% të totalit të eksporteve në vend, mbi rreth 11% të numrit të punësuarve, zë 4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në industri dhe rreth 14% të PBB-së në ekonomi (të dhënat e marra nga WTTC (Këshilli Botëror i Udhëtimeve dhe Turizmit) i cili përcakton si PBB të turizmit në industri kontributin direkt në industri, kurse PBB-ja e turizmit në ekonomi përfshin kontributin direkt dhe indirekt të turizmit nga bizneset e turizmit dhe nga bizneset që u ofrojnë prodhimet dhe shërbimet sektorit te turizmit (si bujqësia, prodhimet artizanale etj). Koncepti i PBB-së te turizmit në ekonomi përdoret kur duam të kuptojmë impaktin e vërtet dhe total të turizmit në ekonominë e një vendi.
Të ardhurat nga turizmi llogariten mbi 1 miliardë Euro në vit duke kaluar edhe remitancat (të ardhurat që vijnë nga emigrantet). Pra të gjithë parametrat e zhvillimit të turizmit në vend janë me të larta se çdo sektor tjetër, atëherë si ka mundësi që të injorohet një sektor i tillë nga politikanët tanë?! Dhe të mos harrojmë që këto parametra pozitive janë fryt i një zhvillimi pothuajse spontan dhe kaotik i turizmit. Po sikur vërtet ta konsiderojmë këtë sektor me prioritarin e zhvillimit të vendit (dhe ta zhvillojmë ashtu siç duhet), e mendoni sa shumë më pozitive do të jenë shifrat e mësipërme?
Unë e kuptoj se ne kemi një përvoje të pakët në turizëm, (rreth 15 vjet) gjë që bën që njerëzit të jenë më pak të vetëdijshëm në avantazhet e turizmit, dhe që politikanët të rezervohen në atë që thonë për turizmin pikërisht prej mungesës së njohurive dhe ekspertizës, por duke e shmangur atë problemi nuk zgjidhet, sepse nuk është faj të mos dish por të mos pyesësh.
Politikanët tanë nuk mund të vazhdojnë të kenë me luksin të fusin në vend mbi 1 miliard Euro nga turizmi dhe nga ana tjetër të investojnë për turizëm me pak se 0.1% e asaj që i marrin. Po ia morëm frymën me investime të industrisë së rëndë, dhe po nuk u investuan shuma të paktën 10 herë me të mëdha sesa investohet sot në zhvillimin e turizmit (natyrisht sipas një strategjie të qartë), ne nuk do kemi një produkt turistik me të cilin mund të konkurojmë, dhe shpejt nuk do flitet me as për rritje spontane apo kaotike. Dhe nëse ndonjë konkurrent fqinj do na urojë për këtë zgjedhje, fëmijët tanë do na mallkojnë që nuk kemi ditur ta vlerësojmë dhe zhvillojmë këtë vend për atë që natyra na ofron me bollëk.
Nëse ky sektor na referohet si prioritar në zhvillimin e vendit nga organizata serioze ndërkombëtare, nëse fqinjët tanë (dhe të gjithë vendet t Mesdheut) kanë të gjithë fokusin kryesor në zhvillimin e turizmit, dhe nëse siç thashë, me një zhvillim deri tani kaotik, të gjithë parametrat janë shumë premtues dhe pozitiv, atëherë përse kërkojmë të jemi superfuqi atje ku nuk na takon, pse kërkojmë ta vazhdojmë akoma modelin e zhvillimit të vendit me industrinë e rëndë si atëherë kur ndërtonim metalurgjik, superfosfate dhe deri tek traktorë me forcat tona?! Si ka mundësi që injorojmë një sektor kryesor me parametra të tillë duke tentuar të krijojmë nga zero zhvillime industriale në dëm të turizmit që na sjell pjesën më të madhe të të ardhurave?! Efektet negative në mjedis dhe investimet më të mëdha që industria e rëndë kërkon janë një disavantazh i madh nëse do krahasoheshin me investimet më të vogla, dhe jetëgjatësinë më të madhe të investimeve në turizëm.

Besoj se të gjithë jemi dakord që modelin e zhvillimit duhet ta marrim nga vendet që kanë dalje në Mesdhe që janë anëtare të BE-së dhe që kanë madhësinë e territorit dhe popullsisë afërsisht sa të vendit tonë (prandaj nuk e kuptoj dot logjikën e dobët të krahasimit me portin e Roterdamit në Holandë apo TEC-et me qymyr ne Gjermani). Nëse shikon Malin e Zi, Kroacinë, Greqinë, Portugalinë, Slloveninë, (pa llogaritur Maltën dhe Qipron), asnjë nga këto nuk është superfuqi industriale, por kanë të gjithë prioritet turizmin. Industria e transportit detar ne Greqi zë vetëm 4.5% e PBB megjithë mundësit fizike dhe përvojën e gjate për ta bere dominant këtë sektor ne krahasim me turizmin. Në 2007 në Kroaci, 7.2% e ekonomisë e zinte agrikultura, 32.8% e zinte industria (ndërtimi i anijeve, industria e përpunimit të ushqimeve etj) dhe 60.7 % nga sektori i shërbimeve (nga këto turizmi zë 23% e PBB-së në ekonomi dhe 26% e numrit të të punësuarve).
Në Mal të Zi turizmi zë 21% e PBB-së në ekonomi dhe 24% e numrit të punësuarve, në Greqi turizmi zë 16% e PBB në ekonomi dhe 20% e numrit të të punësuarve, në Portugali turizmi zë 15.6% e PBB-së ne ekonomi dhe 19% e numrit të të punësuarve, në Slloveni turizmi zë 12% e PBB në ekonomi dhe 13% e numrit të të punësuarve (në Qipro turizmi zë 21% e PBB në ekonomi dhe 27% e numrit të të punësuarve).
Por edhe në vende gjigande te ekonomisë evropiane apo edhe botërore si Franca, Italia dhe Spanja turizmi zë një vend dominant në ekonomi (në France turizmi zë 11% e PBB në ekonomi dhe 13% e numrit të të punësuarve, Itali turizmi zë 10% e PBB në ekonomi dhe 11% e numrit të të punësuarve dhe Spanjë turizmi zë 16% e PBB në ekonomi dhe 17% e numrit të të punësuarve).

Ndoshta ne një perspektivë afatgjate, nuk do sugjeroja kopjimin ekzakt të modelit të Kroacisë, Malit te Zi, Qipros apo Maltës ku turizmi është shumë dominant në ekonomi (gjë që e bën atë të varur nga ky sektor) dhe nuk mbështetet shume nga një sektor modern bujqësor, dhe degë të tjera të shërbimeve, si sistemi bankar, ai i sigurimeve, tregtia, etj) por gjithsesi në fazën e një vendi në zhvillim të gjithë këto vende që përmendëm më sipër janë duke futur një sasi te madhe valute në vend (psh Kroacia rreth 9 miliard Euro në vit!) i cili është aq jetik për gjallërimin e ekonomisë.

Ajo që ne duhet të synojmë është zvogëlimi i dominancës së sektorit të bujqësisë në ekonomi duke e modernizuar atë, por kjo jo të zëvendësohet me industrinë e rëndë por me shërbimet dhe kryesisht me turizmin. Shqetësimi kryesor sot duket se po vjen nga investimet në industrinë e rëndë që përmenda, të cilat jo vetëm nuk do ndihmojnë në rritjen e turizmit por do rrezikojë edhe atë volum të konsiderueshëm që turizmi zë sot në PBB. Megjithatë, ka një hapësirë për një rritje të masës së turizmit në PBB dhe sidomos në punësim në vlerat e 20% gjithmonë nëse do zhvillojmë një turizëm cilësor dhe të qëndrueshëm.

Kliton Gërxhani, President i Shoqatës Shqiptare të Turizmit (ATA)