My Motivation Quote


"It is no use saying, 'We are doing our best.' You have got to succeed in doing what is necessary." ~ Sir Winston Churchill


Monday, September 28, 2009

"Turizmi shqiptar në dritë-hije"- 28.09.2009, Revista MAPO

interviste me Presidentin e ATA-s z. Kliton Gerxhani,

Shkruan: Ervin Qafmolla

Rreth 2.1 milionë vizitorë shkelën Shqipërinë për periudhën janar-gusht 2009. Të paktën kështu thonë shifrat zyrtare. Shifra totale është pak a shumë sa prurjet e turistëve për gjithë vitin 2008, nëse marrim parasysh variantin e fundit zyrtar të korrektuar. Vizitat nga jashtë-brenda vendit kanë arritur pikun për muajt korrik-gusht, kur nga 951 mijë që kishin regjistruar deri në qershor të këtij viti, shifra zyrtare mbërriti në rreth 2.1 milion për dy muajt pasardhës, çka do të thotë se është regjistruar një rritje maksimale prej më shumë se 1.1 milion brenda kësaj periudhe. Sipas Ministrisë së Turizmit, vizitorë të huaj janë 1.4 milion, ndërsa vizitorë me nënshtetësi shqiptare të cilët janë rezidentë në vende të ndryshme 709 mijë.

Rreth 45% e vizitorëve janë nga Kosova. Me ç’duket nga të dhënat e qeverisë, kriza ekonomike botërore, por edhe ajo lokale nuk ka ndikuar në mënyrë drastike – siç pritej nga ekspertë të ndryshëm të ekonomisë, në statistikat e sektorit të turizmit. Të paktën, nuk ka pasur rënie në shifrat zyrtare, pa përjashtuar mundësinë që situata e vështirë ekonomike të ketë ndikuar për keq te vetë rritja, e cila në kushte të tjera mund të kishte qenë më e madhe. Për më tepër, shifra prej 2.1 milion turistësh përkthehet në rreth 2 miliardë euro xhiro, nëse merren parasysh ecuria e përpjesëtimeve “turistë / para” të viteve të shkuara.
Një ndryshim me statistikat është se së fundmi, qeveria ka ndryshuar termin nga “turist” në “vizitor”. Më parë regjistroheshin si turistë edhe vizitorët një-ditorë, edhe ata që vinin në Shqipëri për arsye biznesi, apo emigrantët që ktheheshin 2 javë për të takuar familjet. Në fakt, çdo person jo rezident që kalon kufirin shqiptar, cilado qoftë arsyeja që e sillte në këtë vend dhe koha që ai shpenzonte këtu, konsiderohej automatikisht turist. Me sa duket, formulimi “turist” për çdo njeri që kalonte kufirin mori ngjyrime mjaftueshëm komike në media përgjatë dy viteve të fundit, saqë aktualisht përballemi me një term më modest: “vizitor”.

Ndërkaq, shifrat flasin për rritje të numrit të vizitorëve, dhe logjikisht edhe të të ardhurave në sektorin e turizmit. “Nëse vërejmë rritje në këtë sektor, nuk ndodh si rrjedhojë e investimeve të qenësishme apo politikave të mirëfillta shtetërore, por thjesht si inerci”, thotë Kliton Gërxhani, president i Shoqatës Shqiptare të Turizmit (ATA). Ai vëren se problemi kryesor me turizmin në Shqipëri është trajtimi i tij si sektor dytësor. Në fakt, turizmi kthehet në vëmendjen e publikut vetëm gjatë stinës së verës, përmes publikimit të statistikave të hyrje-daljeve të vizitorëve të ndryshëm edhe pse në të vërtetë aktiviteti turistik shtrihet përgjatë gjithë vitit. Ndërkaq, mundësitë paraqiten të mëdha.
Gërxhani thotë se nuk duhet kurrsesi të shpërfillet fakti që Shqipëria ka rreth 300 kilometra bregdet ranor në Adriatik, i cili aktualisht ka mbetur i pazhvilluar dhe i paorganizuar. “Nëse drejtojmë sytë në vendi si Kroacia, për shembull, ku ekziston një industri e turizmit e organizuar shumë mirë, vërejmë se të ardhurat nga ky sektor llogariten në rreth 9 miliardë euro në vit, kundrejt rreth 9 milionë turistëve që vizitojnë vendin. Ky është një shembull shumë domethënës”, vëren ai. “Nuk po themi që vendi të orientohet 100% drejt turizmit, por është e pafalshme që mundësitë ekzistuese të injorohen, apo më keq, të goditen”, shton presidenti i ATA-s. Ai thotë se në një kontekst të përfitimeve si në afatin e afërt ashtu dhe të largët, shpërfillja e mundësive dhe zhvillimit që ofron ky sektor është mbi të gjitha, joracionale.

Sektori i shpërfillur

Gjatë fushatës elektorale të qershorit të këtij viti, tre partitë kryesore kishin ndër prioritetet e zhvillimit të vendit edhe turizmin. Por kjo nuk është diçka e re. Edhe në vitin 2005, madje edhe në zgjedhjet e vitit 2001, turizmi ishte i pranishëm si sektor tepër i rëndësishëm për zhvillimin e ekonomisë dhe tregut të punës në vend. Edhe strategjitë paszgjedhore të zhvillimit të këtij sektori kanë rezultuar përgjithësisht dokumente që mund të lexohen me kërshëri, por përveç zhvillimit të disa akseve kryesore dhe një numri të papërfillshëm aksesh dytësore, gjithçka tjetër është kufizuar brenda hapësirës së letrës ku janë shtypur këto strategji.

Sipas Gërxhanit, nevojitet një strategji e mirëfilltë dhe realiste e zhvillimit të turizmit shqiptar. “Duhet të kemi parasysh se ndonëse flasim për një treg prej 1.5 miliard euro për vitin e kaluar, Ministria e Turizmit ka një buxhet më të vogël se 1 milion euro. Dhe vetë brenda kësaj ministrie, zëri specifik për turizmin është më i vogli krahasuar me zërat e sektorëve të tjerë, siç janë sporti dhe kultura”, sqaron ai.

Presidenti i ATA-s shton se mungojnë edhe investimet bazë infrastrukturore. “Ndonëse është bërë progres i dukshëm në disa akse kryesore, infrastruktura dytësore vazhdojnë të jenë problem real. Për shembull, Bylisi apo Finiqi janë praktikisht të paaksesueshme për autobusët e turistëve”, vëren Gërxhani.
Ndërkohë ekzistojnë edhe probleme të ndjeshme me karakter rregullator, siç është heqja e sistemit të klasifikimit për hotelet. “Shoqata Shqiptare e Turizmit ka kërkuar që ky rregull të vijë sërish në fuqi, sepse përballë kërkesave të sotme të zhvillimit, nuk mund të vazhdojë të ketë kapitalizëm kaubojsh”, thekson Kliton Gërxhani. Ai thotë se pavarësisht dhe në respekt ndaj kompetencave të pushtetit vendor, duhet të ketë një mbikëqyrjeje më të zgjeruar nga qeverisja qendrore, në mënyrë që të mos ndodhin sërish trauma turistike si Golemi apo Saranda.
Eksperti i sektorit të turizmit, vëren se në plan të parë vjen ndërgjegjësimi në nivel publik dhe institucional. “Për sa kohë nuk ka ndërgjegjësim, ky sektor do të vazhdojë të vuajë. Dhe sa për ilustrim, mjafton të kujtojmë që interesi për turizmin zgjohet vetëm gjatë sezonit veror dhe shuhet me ardhjen e vjeshtës”, thotë Gërxhani.

Problem imazhi
Sipas presidentit të ATA-s, pavarësisht problemeve të shumta që vuan sektori, një ndër mangësitë kryesore lidhet pikërisht me imazhin. Dhe në këtë të fundit ndikojnë një sërë faktorësh të tjerë.
“Faktorë të tjerë që kanë ndikim thelbësor në këtë drejtim janë zinxhirët e hotelerisë ndërkombëtare. Ndonëse në vetvete nuk është e thënë të kenë një impakt direkt të rëndësishëm në ekonominë e vendit, në terma marketingu dhe imazhi, ato janë shumë të rëndësishme”, thotë ai. Sipas Gërxhanit, në Shqipëri, i vetmi emër deri diku gjerësisht i njohur nga operatorët dhe klientët ndërkombëtarë është Sheratoni, ndërsa Mali i Zi, për shembull ka pesë emra të tillë. Ai thekson se shqiptarët arritën të përzënë edhe Club Med-in, i cili ndonëse në vetvete mund të mos kishte ndonjë ndikim thelbësor ekonomik, prapë se prapë do të shërbente si garanci për imazhin dhe mundësitë e vendit në sytë e investitorëve të tjerë ndërkombëtarë. “Dhe ne kemi nevojë urgjente për investime të huaja në turizëm. Aktualisht, pjesa dërrmuese e hoteleve në bregdet ofrojnë vetëm dhoma plazhi. Shtretër, ushqim, televizor dhe plazh. Vetëm kaq. Mungojnë mundësitë e tjera shplodhëse dhe argëtuese. Kjo tregon një mungesë të theksuar vizioni në organizimin e objekteve turistike”, vëren ai.

Prioritetet reale
E vërteta është që në zemër të interesave zhvilluese të vendit është vendosur sektori industrial në tërësi dhe ai energjetik në veçanti. Një sërë projektesh me karakter energjetik janë parashikuar të zhvillohen në të ardhmen e afërt, pa folur edhe për mega-projekte në formë ëndrrash të mbetur sirtarëve, siç është rasti i dëshirës për të ndërtuar një central bërthamor në Shqipëri. Ndonëse ideja e këtij projekti është frenuar të paktën përkohësisht, kryesisht nga shqetësimi i fqinjëve, përfshi dhe faktorë të tjerë, projekte të tjera, siç janë termocentrale të ndryshme janë në zhvillim e sipër. Dhe këto janë kryesisht vepra me një ndotje të ndjeshme në mjedis.
Kliton Gërxhani pranon se prioritet përtej çdo dyshimi është bërë industrializimi i vendit. Por ai shton se nga ana tjetër është e pamundur që, në një vend me madhësinë e Shqipërisë dhe për resurset që ai ofron, këta sektorë të zhvillohen njëkohësisht. Gërxhani thotë se në këtë pikë nevojitet një diskutim i mirëfilltë mbi prioritetet e zhvillimit të vendit, jo thjesht në afatin e shkurtër por brenda një konteksti që përfshin një vizion afatgjatë.
“Së pari, duhet marrë parasysh se disa nga projektet ekzistuese industriale-energjetike janë trashëguar nga qeveritë e mëparshme. Në këtë drejtim përveç interesave afatshkurtra të zhvillimit të vendit, por dhe të palëve të interesuara, pa dyshim, ka ndikuar edhe mungesa e dijes dhe ndërgjegjësimit mbi potencialin turistik”, thotë drejtuesi i ATA-s. Ai vëren se për pasojë sektori turistik shqiptar ka marrë goditje të përsëritura nga zhvillimi i pakontrolluar i industrisë në zona të cilat duhet të kenë turizmin si prioritet. Të paktën në nivel lokal.
“Në këtë kuptim nevojitet ndërgjegjësim më i madh si parakusht jo vetëm për zhvillimin e sektorit turistik por edhe për një menaxhim më të mirë dhe të harmonizuar të burimeve të vendit.
Duhet të jemi të ndërgjegjshëm se pasuritë nëntokësore janë të kufizuara. Gjë që e bën industrinë e rëndë jo të qëndrueshme në afatin e gjatë, ndërsa pikëpyetje mund të ngrihen edhe për të ardhmen afatmesme”, thotë eksperti i sektorit të turizmit.
Ai shpjegon se industria ka kufizime shumë të theksuara në hapësirë, punësim etj. Ndërsa shton se turizmi nuk ka kufizime të kësaj natyre, sepse ka një shtrirje virtualisht të pakufizuar në të gjithë territorin e vendit. Por që kjo të mundësohet, nevojiten të ndërmerren hapa thelbësorë, jo vetëm nga sipërmarrësit e sektorit por dhe nga institucionet shtetërore përkatëse.
Sipas Gërxhanit, burimet e tjera si natyra, dielli e deti janë të pakufizuara. Ai sqaron se si rrjedhojë, avantazhet e turizmit ndaj industrisë janë shumë të mëdha. “Më së paku, turizmi sjell rreth 1-2 milionë konsumatorë të tjerë në tregun vendas, nëse i referohemi një mesatareje të prurjeve vjetore. Nëse kemi rreth 1.5 miliard euro të hyra nga turizmi, pa pasur asnjë lloj ndihme në vite, është e paimagjinueshme që të goditet ky sektor dhe të rrezikohet ky burim shumë i rëndësishëm të ardhurash në ekonomi”, përfundon Gërxhani.

Monday, September 14, 2009

"Po turizmi ç’faj ka?!"- 14.09.2009, Gazeta Shqip

Komente nxitur nga shkrimi “TURIZMI SHQIPTAR, NJE ILUZION TEJMASE I USHQYER” i z. Adri Nurellari datë 12/09/2009

Nuk mund të rrija pa reaguar ndaj artikullit të z. Nurellari mbi turizmin, sepse megjithëse pajtohem më shumë nga kritikat që në atë shkrim bëhen për fenomene negative të zhvillimit të turizmit tonë, zgjidhjet që jepen më duken të gabuara. Aq me tepër që për të kritikuar këto zhvillime negative nuk mund të injorohet potenciali i turizmit tonë dhe rëndësia qe ai duhet të zërë në zhvillimin ekonomik të vendit. Kësaj i thonë: “s’ke ç’i bën derës dhe i bije dritares”.

Si fillim më duhet të theksoj që turizmi është një nga sektorët më të rinj në ekonominë tonë, dhe lufta që ky sektor po bën për të mbijetuar dhe zënë vendin që i takon është e jashtëzakonshme. Për shkak të historisë së tij të re ne na është dashur që të luftojmë çdo ditë për të sensibilizuar opinionin publik dhe sidomos shtetin për potencialin që mbart ky sektor. I gjithë ai imazh që është krijuar nga mediat për turizmin si qendra e vëmendjes se qeverisë është thjesht një iluzion, sepse në realitet turizmi tek ne as ka qenë dhe as është akoma (për fat të keq) degë prioritare e ekonomisë. Investimet dhe deklaratat e fundit tregojnë që në Shqipëri do të ndërtohet industria e rëndë dhe me pas do mendohet për turizmin (nëse do ngelet ndonjë copë toke e pa ndotur). Pra askush nuk ka pse te shtrëngohet të zvogëlojë potencialin që mbart turizmi ynë, nga inati i disa mediave mediokre, sepse është thjesht luftë me mullinjtë e erës në gjendjen që ndodhet ky turizëm sot.

Është mosnjohje e realitetit të thuash “...duke bërë që gjithnjë e më shumë burime të çohen në një sektor të gabuar të ekonomisë, që vështirë se është shumë premtues për një vend si Shqipëria”. E para përveç disa rrugëve nuk e di se për çfarë burimesh e ka fjalën autori që qenkan çuar drejt sektorit të gabuar të ekonomisë, pra turizmit. Për cilat investime e ka fjalën autori kur thotë që turizmi “aq më pak nuk mund të jetë epiqendra e investimeve publike dhe private”, sepse këtë nuk ka guxuar ta thotë as një qeveri e jona deri tani?! Dhe e dyta nëse turizmi nuk qenka shumë premtues për Shqipërinë, për kë do të jetë atëherë, për Alaskën?

Ç’lidhje kanë kilometrat më shumë bregdet të Greqisë, e Kroacisë me potencialin e zhvillimit të turizmit tonë?! Autori përmend vendet e Mesdheut me gjatësi më të madhe bregdeti, por ç’duhet të themi për Malin e Zi, Slloveninë, Portugalinë, Qipron, Maltën? Maqedonia ka vetëm një gjysmë liqeni dhe nuk ka lënë gjë pa bërë për t’i marrë maksimumin e potencialit turistik që ai i ofron. Më thoni një vend të vetëm në Mesdhe, të madh apo të vogël, që nuk ka prioritet turizmin? Që nga ishuj si Malta e deri në shtete me një pasuri natyrore e intelektuale të jashtëzakonshme si Franca (që është vendi me numrin më të madh të vizitorëve në botë). Të qenit të vobektë nuk ka të bëjë me numrin e kilometrave të bregdetit që të ka falur natyra por me çfarë jemi ne në gjendje të bëjmë me ato kilometra. Këtu jam plotësisht dakord që po të shikosh se çfarë kemi bërë ne shqiptarët KUDO ku kemi vënë dorë ne ato kilometra është vërtet një vobektësi, e madhe madje. Por paaftësisë tonë për të bërë punët si duhet nuk mund t’ia shkarkojmë në kurriz turizmit, siç ndodhi psh me logjikën e ndalimit të mjeteve lundruese.

Ne nuk duam të marrim më shumë se na takon nga tregu turistik: nëse kemi 400 km bregdet ajo që duam të synojmë është që të marrim numrin optimal të turisteve që mund të akomodohen në këto 400 km gjatë një viti. Dhe këtu jemi thjesht duke u fokusuar tek turizmi i plazhit pa përmendur turizmin kulturor, atë të natyrës, të interesit të veçantë etj. Të gjithë po i përtypim lustrat mediatike boshe për turistë që shtohen nga 1 milionë çdo vit ndërkohë që askush nuk plotëson asnjë formular në pikat e kufirit për të deklaruar qëllimin e udhëtimit; po përtypim akuzat për nihilizëm; po përtypim deklarata për zhvillime marramendëse në turizëm (pa bërë asgjë për të). Por të gjitha këto janë më të pranueshme sesa ti biem me qafë turizmit dhe potencialit që ai ka për shkak të kusureve njerëzore tonat.

Unë mendoj se autori përsërit të njëjtin gabim duke i rënë në qafë natyrës për gabimet e njerëzve, kur thotë se “një njeri që flet për plazhe shqiptare të virgjëra e të pashkelura, për një perlë në Mesdhe, është pa dyshim një romantik i padalë dhe i keq informuar". Njerëzit që kanë bërë gabimin të reklamojnë plazhet e virgjëra shqiptare kanë qenë gazetarë të mediave prestigjioze perëndimore që kanë ardhur dhe i kanë vizituar vetë këto vende. Por ata kanë shkruar për plazhin e Dhërmiut dhe jo atë te Golemit apo Sarandës (të cilët kanë që po aq të virgjër dhe të bukur përpara sesa të lëshohej mbi to batërdia “ e investimeve publike dhe privatë” siç thotë autori.)
Meqë përmenden ishujt e Kroacisë: në ishullin Lopud ndodhet një plazh të cilin vendasit e reklamonin si një nga 70 plazhet më të bukura në botë. Dhe e dini çfarë kishte të veçantë ky plazh: ishte plazh ranor me rreth 100 metra i gjatë dhe 10 metra i gjere. Dhe kjo e bënte atë të veçantë, sepse ne të gjithë ato 5000 km bregdet të Kroacisë plazhe te tilla numëroheshin me gishtat e njërës dorë. Për të vajtur në “plazhin e 70 më të bukur në botë” ne na u desh të paguanim autobusin për të vajtur tek anija, të paguanin anijen për të vajtur tek ishulli, të paguanim makinën elektrike në ishull për të vajtur në krahun tjetër të tij ku ndodhej plazhi, dhe atje të paguanim çadrën e shezlonin, dhe të gjitha këto me një çmim 10 herë më të lartë sesa në Shqipëri. Nuk e di nëse autori e ka provuar këtë ndjenjë zhgënjimi të thellë, jo shumë me plazhin dhe çmimet sesa me atë që ne shqiptarët po i bëjmë turizmit tonë duke na detyruar të bredhim si çifutët në shkretëtirë për të kërkuar një plazh me rërë sikur të ishim eskimezë. Më lejoni t’ju kujtoj se ne kemi rreth 300 Km plazh ranor në Adriatik me jo 10 m gjerësi por që shkon edhe deri në 100-200 m. Por ne këtë “potencial të vobektë” e kemi quajtur si “plazh për popullin” sepse “elita” do kishte plazhin e Jonit. Dhe e dini çfarë ka bërë “përqendrimi i investimeve publike dhe privatë” në këto 300 km të rralla për Kroacinë, por të tepërta për ne: e ka rrethuar me depozita nafte nga Shëngjini në Vlorë, i ka planifikuar një TEC gjigand në Durrës dhe ca të tjerë në Vlorë, i ka planifikuar portin më të madh të mallrave në Mesdhe e fabrika të panumërta çimentoje rreth e rrotull, ka krijuar formën më të shëmtuar të turizmit masiv, kaotik, në çdo vend ku është ndërtuar, duke treguar që Golemi nuk qe një gabim rastësor, por modeli sesi ne duam të bëjmë turizëm. A e mendojmë njëherë se çdo të ndodhte po të shkëmbenim ne bregdetin tonë me atë kroat? Mendoni se rezultati do ishte siç është sot? Jo, ju garantoj që jo vetëm kroatët por kushdo (përveç nesh) do kishte bërë mrekullira me këtë bregdet dhe këtë vend që ne kemi.
Është e vërtet që në bregun tonë nuk gjendet qoftë edhe një hotel apo resort i vetëm i ndonjë prej kompanive të mëdha ndërkombëtare hotelerike. Po kjo konfirmon se sa shumë vëmendje i është kushtuar turizmit tek ne për të thithur investime të huaja që pothuajse janë zero.

Kompania e vetme me emër mbas Sheratonit, Club Med, zgjodhi të investonte në Shqipëri jo se ne nuk kemi potencial turistik e plazhe të virgjëra, por se potenciali qe Kakomeja ofronte ja kalonte shumë fqinjëve tanë. Por për fat të keq Club Med deklaroi i lodhur se heq dorë nga investimi në Shqipëri jo se në turizëm ka “një inkurajim të tepruar të politikave qeveritare” apo se gjithnjë e më shumë burime çohen në këtë “sektor të gabuar të ekonomisë, që vështirë se është shumë premtues për një vend si Shqipëria” dhe jo se “turizmi është epiqendra e investimeve publike dhe privatë”. Club Med-i iku pikërisht sepse realiteti është krejt i kundërt me te gjithë ato çfarë citohen më sipër.

Çfarë politikash stimuluese qeveritare ka ndaj turizmit tonë kur një hotel në Shqipëri paguan rreth 40 % të xhiros së tij në shtet (20%TVSH, + 5% taksa e bashkisë, + 10% tatim fitimi, + 3-4 % bankave për pagesat me kartë kredit, pa përmendur taksat e gjelbërimit, të pastrimit, të tabelës, taksën e të drejtës së autorit që po kërkohet të vihet tani, etj.etj.), ndërkohë që fqinjët tanë paguajnë maksimumi deri në 10% taksë?! Kjo është ndihma për të qenë konkurrues në tregun ndërkombëtar? Ne vend te këtyre shteti krijoj edhe “shpikjen” e fundit për te ulur pragun e xhiros se biznesit te vogël ne 4 milion Lek ne vit (nga 8 milion qe ka qene me pare) duke bere qe edhe hotele me 5 dhoma te quhen biznes i madh tani, duke zhdukur praktikisht çdo biznes te vogël ne turizëm (ne vend qe te konsolidohej ai dhe te mendohej edhe për krijimin e një shtrese biznesi te mesëm) dhe duke bere qe çdo biznes ne turizëm ta paguaj atë 20% TVSH pa pasur shansin ta marri mbrapsh ndonjëherë atë, duke e kthyer kështu ne një taks te pastër. Dhe nuk mund të vazhdojmë të bëjmë sikur harrojmë që të ardhurat nga turizmi janë mbi 1 miliard Euro në vit duke qenë kështu më të mëdhatë në vend dhe duke bërë turizmin sektorin me volumin më të madh të eksporteve në vend (rreth 50% të totalit të eksporteve), ndërkohë që nga ana tjetër nuk përfiton asnjë incentive nga shteti siç përfitojnë degët e tjera të eksportit.

Nëse është ndërtuar një rrugë kombëtare me ndikim direkt në turizëm është rruga e bregut Vlorë-Sarandë, sepse pothuajse të gjithë rrugët e tjera janë bërë me qëllim zhvillimin e industrisë. Nuk ka si të shpjegohet ndryshe zgjerimi i rrugës të Shkëmbit të Kavajës përveçse si rrugë transporti që do lidhte Portin e Vlorës me veriun dhe sidomos me rrugën Durrës-Kukës. Për dëmin që do shkaktonte kjo rrugë u ngritën dhe të gjithë bizneset e turizmit të asaj zone por askush nuk i dëgjoi.
Jam dakord me mendimin e autorit se ideja e shtimit të dhomave do stimulojë ndërtimet kaotike por përsëri: kjo nuk tregon se po investohet në turizëm por që zhvillimet në turizëm vazhdojnë të ngelen kaotike dhe të pa drejtuara dhe kontrolluara nga shteti, sepse në të kundërt, përpara se të ndërtohej rruga e bregut dhe të gjendeshim të papërgatitur për mungesën e kapacitetit (gjë që ishte e logjikshme që do vinte) kishim menduar si të shtonim kapacitetin njëherë pastaj të ndërtonim rrugën.

Jam plotësisht dakord me autorin për analizën që i bën tregut turistik që viziton Shqipërinë, dhe konkluzionin që ky treg është “dhuratë” e faktorëve objektiv dhe jo një rezultat i një përpjekje të studiuar mirë nga Ministria e Turizmit. Por nuk jam dakord me idenë që nëse këta faktorë objektivë do ndryshojnë në 2-3 vjet dhe numri i turistëve pritet të pësojë rënie, atëherë fajin e ka prapë turizmi dhe ne nuk duhet t’i kushtojmë vëmendje këtij sektori. Sfida është t’i paraprihet këtyre ndryshimeve që jo vetëm të mbajmë maksimumin e këtij tregu që kemi por të shtojmë edhe treg të ri kryesisht të huaj.

Si përfundim: këtu nuk flitet për simpatinë ose jo ndaj turizmit të njërit apo tjetrit. Përzgjedhja e turizmit si sektori kryesor ekonomik në vend është i detyrueshëm për vete rrethanat gjeografike të vendit tonë dhe potencialin e pasur turistik që vendi ynë mbart duke kaluar çdo burim tjetër natyror që Shqipëria ka dhe që mund të garantoj një zhvillim afatgjatë dhe të qëndrueshëm. Turizmi ka aftësinë e jashtëzakonshme që të krijoj të ardhura edhe në zonat më të thella ku investimi publik apo privat është thuajse i pamundur, ka aftësinë që të rrisë punësimin shumë herë më shumë se çdo sektor tjetër edhe për shkak të efekteve të tij stimuluese sekondare në sektorët e lidhur me të, dhe të “sjell” një treg të gatshëm në vend për të lehtësuar shitjen e produkteve të industrisë së lehtë. Prandaj turizmi i kombinuar me industrinë e lehtë krijon një bazë të shëndoshë të ekonomisë tonë duke shmangur eksperimentet tashmë të provuara si të dështuara siç është industria e rëndë.

Kliton Gërxhani, President i Shoqatës Shqiptare të Turizmit (ATA)

Wednesday, June 10, 2009

"Turizmi apo industria?" - Gazeta Shqip 10.06.2009

Në këtë kohë fushate elektorale, një nga çështjet që ka filluar të diskutohet pavarësisht se jo shumë qartësisht, është edhe modeli i zhvillimit ekonomik të vendit. Meqë shumë parametra të këtij zhvillimi tashmë janë pozitiv, është e domosdoshme që tani të përcaktojmë se ç ’drejtim duam t’i japim ekonomisë së vendit tonë në 5-10 vitet e ardhshme. Mendoj se një vendim i tillë shumë i rëndësishëm për të ardhmen tonë, nuk mund të përcaktohet nga një politikan i vetëm apo grup politikanësh, por duhet të jetë një e drejtë që ta kenë të gjithë grupet e interesit me qellim që të arrihet një vendim i pjekur dhe të dalë një rezultante që t’i kënaqë të gjithë qytetaret shqiptarë që duan të jetojnë në këtë vend. Nuk e kemi pasur luksin që të kemi një demokraci të tillë deri tani, por besoj se të gjithë jemi dakord se njerëzit janë sot shumë më të vetëdijshëm se më parë për rëndësinë që ka pjesëmarrja e tyre në përcaktimin e fateve të vendit. Po t’i referohemi disa sondazheve të fundit meqë jemi në kohe fushate, është pikërisht ai 10-20% i njerëzve të pavendosur që nuk dëshiron të shkojë ku ta çojë partia, por do që të përcaktojë vetë fatet e jetës së tij. Dhe meqë të gjithë jemi dakord se pikërisht ky grup i të pavendosurve do të përcaktojë fatet e zgjedhjeve, politikanët pasi bindën me dogma politike grupin e tyre të militanteve, u duhet të fitojnë tashmë betejën më të vështirë: të bindin të pavendosurit (që janë kryesisht intelektualë, teknokratë, biznesmenë etj) se ç’ programe reale ofrojnë dhe ç’ drejtim duan t’i japin zhvillimit të vendit.
Një nga sektorët kryesor të ekonomisë është edhe turizmi. Bizneset e turizmit (që shumica e tyre përfaqësohen në Shoqatën tonë Shqiptare të Turizmit-ATA me rreth 130 anëtarë), po presin se çfarë kanë menduar politikanët të bëjnë me këtë sektor nëse do të vijnë në pushtet.
Flitet shpesh, për fasadë, se turizmi është sektor prioritar i ekonomisë. Por nëse është dashur të merret një vendim ndërmjet industrisë dhe turizmit, vendimi është marrë gjithmonë në dëm të këtij të fundit. Po ta marrim hartën turistike nga veriu në jug, kudo ku ka potenciale turistike. Mesa duket “lobingu anti-turizëm” është kujdesur ta shkatërrojë atë: Shëngjini është betonizuar dhe ka depozita nafte ne bregdet, Krujës po i marrin frymën fabrikat e çimentos, Golemi dhe Shkëmbi i Kavajës janë pionierët e modelit të shëmtuar të betonizimit masiv të bregdetit, (dhe në vend të mendonim si ta lehtësonim këtë zonë, autostrada që po i bëhet do e mbingarkojë me njerëz dhe trafik dhe do ja shkurtojë më shumë jetën), Saranda e shëmtoi vetveten me ndërtime pa asnjë kriter duke përforcuar faktin se industria e ndërtimit është me prioritare se turizmi, dhe së fundmi i vihet vula me projektin e ndërtimit të një porti të madh mallrash në Vlorë (përsëri industria e naftës kishte më shumë prioritet se turizmi), ndërkohë që Mali i Zi ndërton portin më të madh të Jahteve në Adriatik me kapacitet rreth 800 Jahte dhe mega Jahte. Po t’i shtosh këtyre ligjin për ndalimin e mjeteve lundruese që u zgjat në kohë megjithëse afati i ka skaduar, (sepse parlamentaret tanë nuk patën kohë që të merreshin me shfuqizimin e këtij ligji, por na e lanë ”dhuratë” edhe këtë vit duke dëmtuar sërish turizmin); ligjin e të huajve që penalizoi hyrjet e shtetasve nga disa vende të rajonit dhe vende me shumë interes turistik si Rusia, Ukraina etj, po ashtu edhe heqjen e licencim/kategorizimit në turizëm, duket qartë se turizmi është i fundit në listën e prioriteteve të politikës.
Një fakt tjetër mbi dogmën se turizmi është prioritar, është se ka mbi 10-15 vjet që një nga investimet e vetme serioze ndërkombëtare, ai i Club Med në Kakome është tejzgjatur deri në lodhje prej konflikteve të pronës dhe konflikteve me komunitetin (duke i lëne pothuajse në zero investimet e huaja në turizëm), ndërkohë që të gjithë investimet industriale janë mbyllur shumë më shpejt megjithëse shumë prej tyre kanë pasur po ashtu konflikt me komunitetin.

Nuk mund të jetë prioritet turizmi kur Ministria e Turizmit ka qenë e fundit për të cilën “është bërë luftë” për t’u marrë (dhe për tu mbajtur), nga ata që kanë qenë në pushtet, dhe për më tepër Ministrat e kësaj Ministrie (që lëvizin edhe me shpesh se çdo Ministër tjetër) nuk kanë patur asnjë lidhje apo edukim mbi turizmin dhe për rrjedhojë asnjë vizion se çfarë do bëhej me këtë sektor të rëndësishëm. Ndërkohë që në Kroaci, Ministri i turizmit kërkoi dorëheqjen, sepse qeveria nuk i pranoi kërkesën e bërë nga Shoqata e Turizmit për uljen e TVSH në 6% për akomodimet dhe 10% për shërbimet e tjera turistike (sa për informacion Shqipëria është i vetmi vend në rajon që paguan 20 % TVSH në akomodim). Nuk mund të jetë prioritar turizmi kur buxheti që i akordohet MTKRS për zhvillimin e turizmit është rreth 800 mije Euro, (duke qenë dhe me i ulët sesa te gjithë sektorët e tjerë që ajo ministri mbulon), dhe nga ky buxhet për marketingun e vendit janë vetëm 300 mijë Euro (sa një spot publicitar në CNN!), ndërkohë që Mali i Zi caktoi këtë vit 500 mijë Euro vetëm për promovimin e vendit në fqinjët e tij, dhe për mos të përmendur këtu që Turqia ka një buxhet prej 100 milionë Euro vetëm për marketingun!

Nëse sektori kryesor në vend është bujqësia dhe sektori me rritjen me të madhe (rreth 20%) është turizmi, logjika ta thotë që fusha kryesore ku ne duhet të fokusohemi në të ardhmen duhet të jetë një kombinim i zhvillimit te industrisë së lehtë (agrikultura, industria ushqimore etj) dhe shërbimeve, ku rolin kryesor duhet ta zërë turizmi. Por duke injoruar ketë bazë ekzistuese te ekonomisë, është zhgënjyese për të gjithë industrinë tonë të turizmit që të shikojmë se investimet kryesore dhe deklaratat e disa politikaneve kanë fokus kryesor industrinë e rëndë. Ne kemi fatin e madh që të jemi në grupin e vendeve të Mesdheut i cili synohet nga i gjithë tregu turistik botëror, dhe na ka falur natyra këtë klime të mrekullueshme, këtë diversitet relievi, mbi 400 km bregdet dhe këtë kulture unike. Atëherë si ka mundësi ta injorojmë gjithë këtë potencial për zhvillimin e vendit dhe të kërkojmë të ndërtojmë të ardhmen nga hiçi, nga industritë e rënda, të naftës, TEC-eve, fabrikave të çimentos, e deri tek centralet bërthamore?! Nuk është e ndershme të luhet me varfërinë e njerëzve duke i detyruar ata të pranojnë çdo lloj investimi mjaft që të kenë një vend pune. Për të parë se çfarë të mirash na solli industria në ekonomi dhe sidomos në mjedis mjaft që të kujtojmë helmin që shpërndante metalurgjiku i Elbasanit ne qiellin e këtij qyteti, ndotjen e Fabrikës së Sodës në Vlorë, të Azotikut ne Fier, Superfosfatit në Laçit, ndotjen e naftës në Roskovec dhe Ballsh etj. Kjo pavarësisht “fatit të madh” që ne kemi që gjithmonë na sjellin teknologjinë më të fundit në botë që nuk është aplikuar askund me parë (edhe këto investime te kohës se komunizmit mund të kenë qenë në kohën e tyre teknologji moderne, fundin e tyre negativ e shikojmë të gjithë). E përsëris, ne kemi me bollëk diell, det, e gjelbërim, nuk kemi naftë, qymyr e uranium, atëherë kush është logjika e këtyre investimeve dhe e kësaj të ardhmeje?! Mos duam të kompensojmë tani revolucionin industrial që bota e ka bërë 100 vjet më parë, duke vazhduar të jemi 100 vjet mbrapa, ndërkohë që theksi sot në botë vihet tek mjedisi dhe zhvillimi i qëndrueshëm i ekonomisë?

Një nga pikat me problematike të zhvillimit të deritanishëm ka qenë dhe papunësia. Avantazhi me fantastik i turizmit është se krijon efekte pozitive të shumëfishta dhe dytësore edhe në sektorët e tjerë ndihmës që kanë lidhje me të, si bujqësia, industria përpunuese ushqimore, prodhimet artizanale, tekstilet, etj. Pra sektori i turizmit që sot punëson rreth 140 mije punonjës ndihmon që të shtohen të punësuarit në të gjithë sektorët e tjerë që kanë lidhje me turizmin. Nëse ne do ndërtojmë TEC-e në bregdet apo porte mallrash, kjo nuk është ndonjë zgjidhje për hallet e qytetarit të Kolonjës, Skraparit apo Tropojës sepse nuk besoj se do të donim që edhe ata qytetarë që kanë ngelur andej të vinin nga halli të punonin hamall në Vlore apo në TEC-et e Durrësit. Kurse avantazhi i turizmit është që u jep punë edhe deri zonave më të thella si në modelin e Thethit psh, sepse turisti është kurioz të vizitojë të gjithë vendin. Atëherë si ka mundësi që politikanet “u qajnë hallin” të punësuarve që nga Tregu Çam e deri tek rrobaqepësia e lagjes, dhe asnjë nuk denjon të pyesë se ç’hall kanë ata që punojnë në turizëm? Si ka mundësi që bëjnë gara se kush do hapë me shumë vende pune dhe nuk mendojnë se rruga më e lehtë dhe e logjikshme për të arritur ato numra vendesh të reja pune është nëpërmjet zhvillimit të turizmit? Nëse do marrim një shembull: bujqësia është fokusi kryesor i shumë partive sot, dhe turizmi u sjell një treg të gatshëm prej rreth 1.5 milionë turistësh (po të marrim një shifër pak me realiste sesa ajo mediatike) fshatarëve që t’u shesin prodhimet e tyre, një mundësi që nuk do te arrihej nëse do të synonin të çanin tregun e huaj në mënyrë që të shesim po të njëjtat prodhime në vendin e origjinës së këtyre turistëve.

Turizmi zë rreth 50% të totalit të eksporteve në vend, mbi rreth 11% të numrit të punësuarve, zë 4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në industri dhe rreth 14% të PBB-së në ekonomi (të dhënat e marra nga WTTC (Këshilli Botëror i Udhëtimeve dhe Turizmit) i cili përcakton si PBB të turizmit në industri kontributin direkt në industri, kurse PBB-ja e turizmit në ekonomi përfshin kontributin direkt dhe indirekt të turizmit nga bizneset e turizmit dhe nga bizneset që u ofrojnë prodhimet dhe shërbimet sektorit te turizmit (si bujqësia, prodhimet artizanale etj). Koncepti i PBB-së te turizmit në ekonomi përdoret kur duam të kuptojmë impaktin e vërtet dhe total të turizmit në ekonominë e një vendi.
Të ardhurat nga turizmi llogariten mbi 1 miliardë Euro në vit duke kaluar edhe remitancat (të ardhurat që vijnë nga emigrantet). Pra të gjithë parametrat e zhvillimit të turizmit në vend janë me të larta se çdo sektor tjetër, atëherë si ka mundësi që të injorohet një sektor i tillë nga politikanët tanë?! Dhe të mos harrojmë që këto parametra pozitive janë fryt i një zhvillimi pothuajse spontan dhe kaotik i turizmit. Po sikur vërtet ta konsiderojmë këtë sektor me prioritarin e zhvillimit të vendit (dhe ta zhvillojmë ashtu siç duhet), e mendoni sa shumë më pozitive do të jenë shifrat e mësipërme?
Unë e kuptoj se ne kemi një përvoje të pakët në turizëm, (rreth 15 vjet) gjë që bën që njerëzit të jenë më pak të vetëdijshëm në avantazhet e turizmit, dhe që politikanët të rezervohen në atë që thonë për turizmin pikërisht prej mungesës së njohurive dhe ekspertizës, por duke e shmangur atë problemi nuk zgjidhet, sepse nuk është faj të mos dish por të mos pyesësh.
Politikanët tanë nuk mund të vazhdojnë të kenë me luksin të fusin në vend mbi 1 miliard Euro nga turizmi dhe nga ana tjetër të investojnë për turizëm me pak se 0.1% e asaj që i marrin. Po ia morëm frymën me investime të industrisë së rëndë, dhe po nuk u investuan shuma të paktën 10 herë me të mëdha sesa investohet sot në zhvillimin e turizmit (natyrisht sipas një strategjie të qartë), ne nuk do kemi një produkt turistik me të cilin mund të konkurojmë, dhe shpejt nuk do flitet me as për rritje spontane apo kaotike. Dhe nëse ndonjë konkurrent fqinj do na urojë për këtë zgjedhje, fëmijët tanë do na mallkojnë që nuk kemi ditur ta vlerësojmë dhe zhvillojmë këtë vend për atë që natyra na ofron me bollëk.
Nëse ky sektor na referohet si prioritar në zhvillimin e vendit nga organizata serioze ndërkombëtare, nëse fqinjët tanë (dhe të gjithë vendet t Mesdheut) kanë të gjithë fokusin kryesor në zhvillimin e turizmit, dhe nëse siç thashë, me një zhvillim deri tani kaotik, të gjithë parametrat janë shumë premtues dhe pozitiv, atëherë përse kërkojmë të jemi superfuqi atje ku nuk na takon, pse kërkojmë ta vazhdojmë akoma modelin e zhvillimit të vendit me industrinë e rëndë si atëherë kur ndërtonim metalurgjik, superfosfate dhe deri tek traktorë me forcat tona?! Si ka mundësi që injorojmë një sektor kryesor me parametra të tillë duke tentuar të krijojmë nga zero zhvillime industriale në dëm të turizmit që na sjell pjesën më të madhe të të ardhurave?! Efektet negative në mjedis dhe investimet më të mëdha që industria e rëndë kërkon janë një disavantazh i madh nëse do krahasoheshin me investimet më të vogla, dhe jetëgjatësinë më të madhe të investimeve në turizëm.

Besoj se të gjithë jemi dakord që modelin e zhvillimit duhet ta marrim nga vendet që kanë dalje në Mesdhe që janë anëtare të BE-së dhe që kanë madhësinë e territorit dhe popullsisë afërsisht sa të vendit tonë (prandaj nuk e kuptoj dot logjikën e dobët të krahasimit me portin e Roterdamit në Holandë apo TEC-et me qymyr ne Gjermani). Nëse shikon Malin e Zi, Kroacinë, Greqinë, Portugalinë, Slloveninë, (pa llogaritur Maltën dhe Qipron), asnjë nga këto nuk është superfuqi industriale, por kanë të gjithë prioritet turizmin. Industria e transportit detar ne Greqi zë vetëm 4.5% e PBB megjithë mundësit fizike dhe përvojën e gjate për ta bere dominant këtë sektor ne krahasim me turizmin. Në 2007 në Kroaci, 7.2% e ekonomisë e zinte agrikultura, 32.8% e zinte industria (ndërtimi i anijeve, industria e përpunimit të ushqimeve etj) dhe 60.7 % nga sektori i shërbimeve (nga këto turizmi zë 23% e PBB-së në ekonomi dhe 26% e numrit të të punësuarve).
Në Mal të Zi turizmi zë 21% e PBB-së në ekonomi dhe 24% e numrit të punësuarve, në Greqi turizmi zë 16% e PBB në ekonomi dhe 20% e numrit të të punësuarve, në Portugali turizmi zë 15.6% e PBB-së ne ekonomi dhe 19% e numrit të të punësuarve, në Slloveni turizmi zë 12% e PBB në ekonomi dhe 13% e numrit të të punësuarve (në Qipro turizmi zë 21% e PBB në ekonomi dhe 27% e numrit të të punësuarve).
Por edhe në vende gjigande te ekonomisë evropiane apo edhe botërore si Franca, Italia dhe Spanja turizmi zë një vend dominant në ekonomi (në France turizmi zë 11% e PBB në ekonomi dhe 13% e numrit të të punësuarve, Itali turizmi zë 10% e PBB në ekonomi dhe 11% e numrit të të punësuarve dhe Spanjë turizmi zë 16% e PBB në ekonomi dhe 17% e numrit të të punësuarve).

Ndoshta ne një perspektivë afatgjate, nuk do sugjeroja kopjimin ekzakt të modelit të Kroacisë, Malit te Zi, Qipros apo Maltës ku turizmi është shumë dominant në ekonomi (gjë që e bën atë të varur nga ky sektor) dhe nuk mbështetet shume nga një sektor modern bujqësor, dhe degë të tjera të shërbimeve, si sistemi bankar, ai i sigurimeve, tregtia, etj) por gjithsesi në fazën e një vendi në zhvillim të gjithë këto vende që përmendëm më sipër janë duke futur një sasi te madhe valute në vend (psh Kroacia rreth 9 miliard Euro në vit!) i cili është aq jetik për gjallërimin e ekonomisë.

Ajo që ne duhet të synojmë është zvogëlimi i dominancës së sektorit të bujqësisë në ekonomi duke e modernizuar atë, por kjo jo të zëvendësohet me industrinë e rëndë por me shërbimet dhe kryesisht me turizmin. Shqetësimi kryesor sot duket se po vjen nga investimet në industrinë e rëndë që përmenda, të cilat jo vetëm nuk do ndihmojnë në rritjen e turizmit por do rrezikojë edhe atë volum të konsiderueshëm që turizmi zë sot në PBB. Megjithatë, ka një hapësirë për një rritje të masës së turizmit në PBB dhe sidomos në punësim në vlerat e 20% gjithmonë nëse do zhvillojmë një turizëm cilësor dhe të qëndrueshëm.

Kliton Gërxhani, President i Shoqatës Shqiptare të Turizmit (ATA)

Thursday, April 30, 2009

"Kriza, te shmangen taksat ndaj operatoreve turistike" - Gazeta Koha Jone, 30.04.2009

interviste me Z. Kliton Gërxhani


Kreu i ATA-s, Shoqates Shqiptare te Turizmit, Kliton Gërxhani, tha dje ne nje interviste per "KJ" se, me rastin e krizes ekonomike boterore, 20 nga 27 vendet e BE-se kane nje TVSH me te vogel ose baras me 10% per hotelet dhe kete duhet ta huazoje edhe Shqiperia. Sipas tij, vetem keshtu turizmi mund te kthehet vertet ne nje sektor prioritar, qe do te siguroje shume te ardhura per ekonomine e vendit.

Sa anetare numeron ne perberje te saj, Shoqata Shqiptare e Turizmit (ATA)?

Ne jemi nje shoqate qe perfshijme tre sektore, ate te agjencive turistike, sektorin e restoranteve dhe ate te akomodimit. Kemi gjithsej 130 anetare, duke na bere keshtu shoqaten me te madhe ne Shqiperi ne kete lloj. Projekti suportohet nga GTZ-ja, ne fazen e pare te tij, ndersa me pas shoqata do te ece ne rrugen e saj. Qellimi yne kryesor eshte mbrojtja e bizneseve qe jane anetare te shoqates.

Si i keni mbrojtur ju deri tani, bizneset qe operojne ne fushen e turizmit?

Propozimi me i fundit qe kemi cuar prane institucioneve perkatese, eshte ulja e TVSH-se deri ne masen 8% per biznesin e turizmit, nga 20% qe eshte aktualisht. Duhet te dini se gati 20 nga 27 vendet e BE-se kane nje TVSH me te vogel ose baras me 10% per hotelet. Gjithashtu, kemi lobuar te bashkia e Tiranes per te shmangur taksimin e trefishte, sipas se ciles nje biznes paguante tre here, njehere per restorantin, mandej per barin e hotelin. E njejta gje ndodh me agjencite turistike, qe kane nevoje per lehtesi ne nxjerrjen e vizave, neper vende si Rusi, Ukraine etj.

Sipas jush, cilat jane problemet me te medha me te cilat po ndeshet turizmi ne Shqiperi?

Problemi me i madh i turizmit ne pergjithesi, eshte mosqenia e tij sektor prioritar. Sepse nismat si Petrolifera, TEC-et etj., qe jane marre se fundmi, nuk e ndihmojne aspak turizmin, perkundrazi. Ne vend qe te investojme per nje port jahtesh, sikurse po ben Mali i Zi, ne po investojme per portin me te madh te mallrave ne Vlore. Po flitet per nje central berthamor, gje qe nuk shkon krah per krah me turizmin. Nuk e ve ne dyshim qe keto jane investime qe nje vendi mund t'i duhen, por varet se cili sektori ka prioritet ne ate vend. Nese prioriteti do shkoje drejt turizmit, sepse eshte nje faktor i rendesishem qe sjell te pakten 1 miliard euro ne vit. Nuk eshte se keto para futen ne buxhetin e shtetit, por me to mbahen njerezit. Per me teper, me shume se 10% e gjithe te punesuarve te Shqiperise, jane te angazhuar ne sektorin e turizmit. Nese kjo do stimulohej, shuma e parave do te 2-fishohej.

Cfare kerkoni ju nga qeveria dhe organet perkatese?

Ne kerkojme qe gjerat qe shkruhen ne leter dhe qe jane te sakta, te respektohen. Shpeshhere, jemi deshmitare te faktit qe tjeter gje shkruhet e tjeter gje behet.

Ne aktivitetin tuaj, peshen me te madhe te turisteve e zene ata qe vijne nga jashte, apo shqiptaret qe udhetojne jashte vendit?

Nuk mund te jap nje statistike te sakte, por dominanca eshte te turistet qe hyjne ketu nga shtete te tjera, para se gjithash edhe sepse turistet punojne me keta njerez; restorantet po ashtu. Ka nje pjese operatoresh qe nxjerrin turiste jashte vendit, por kjo sigurisht qe eshte minorance e nuk e mbizoteron tregun.

E kane ndjere krizen ekonomike boterore, operatoret turistike? Nese po, ne c'menyre eshte reflektuar recensioni?

Kriza ndihet shume, pavaresisht se shume perfaqesues te qeverise thone te kunderten. Kriza ndihet qe nga tetori, ndoshta qe ne hapat e saj te pare ne bote. E ndjejne operatoret turistike, e ndjejne restorantet gjithashtu, pavaresisht se niveli yne i ulet ekonomik nuk e ben te ndjeshme kete. Megjithate, kriza eshte reale, duket sikur ka me pak turiste dhe njerezit mendohen me shume per te udhetuar. Tani mendoj se do ndjehet me shume edhe per shkak te frikes nga i ashtuquajturi gripi i derrave. Ne i propozuam ministrise perkatese disa masa me rastin e krizes ekonomike boterore, sic jane ulja e taksave, ose shmangia e tyre ne momente te caktuara. Te gjitha vendet qe i japin prioritet turizmit, kete po bejne aktualisht. Per aq kohe sa ke nevoje per turizem dhe do qe te huajt te vijne ne vendin tone, duhen marre disa masa. Psh., nese shteti vendose te mos u vjele per nje vit taksa ketyre bizneseve qe operojne ne fushen e turizmit, puna e tyre do te rimekembet dhe vetem me pas mund te rimerren taksat. Ne te kundert, biznesi do te falimentoje dhe shteti nuk do te mund te vjele me taksa. E dyta, shume e rendesishme, eshte qe reklamat te behen ne rajon, si ne Greqi, Maqedoni etj. Keto jane vendet qe kane mundesi potenciale per te ardhur. Nje italiani, qe te vije ketu me target, i kushton me pak se 100 euro, kurse nje amerikani te pakten 500 dollare, ndaj ai zgjedh me mire te vizitoje nje tjeter destinacion. Nga Greqia po ashtu mund te vijne turiste me autobuse.

Cfare fokusi kane kryesisht turistet qe vizitojne vendin tone?

Kemi dy grupe, turistet e huaj, si dhe turistet me kombesi shqiptare, te cilet vijne zakonisht ne periudhen e veres, per te shfrytezuar sezonin e plazhit. E kunderta ndodh me turistet e huaj tur-kulturore, te cilet perpiqen te njohin Shqiperine, qe eshte nje vend unik. Keta turiste deshirojme qe te shtohen, sepse pak a shume, grupi i turisteve me kombesi shqiptare, ka prekur nje lloj pjekurie dhe nuk pritet ndonje shtese e madhe. Sigurisht qe kur te perfundoje rruga Durres-Kukes-Morine, do te kete njefare ndryshimi, por jo ndonje fluks i pa parashikueshem.

Cilet nga keto dy grupe, jane me fitimprures per ekonomine e vendit?

Turistet e kultures kane karakteristike qe zgjedhin te vizitojne nje vend te ri, ata rralle rikthehen ne te njejtin vend. Por, turistet e kultures kane kete te mire; shpenzojne me shume para, jane me te edukuar dhe e mbrojne me shume ambientin. Tjeter gje e rendesishme e tyre eshte se bejne me shume reklame kur kthehen ne vendet e origjines. Nderkaq, turisti i plazhit eshte me besnik ne pergjithesi, shkon thuajse ne te njejtin vend dhe shpenzon thuajse te njejten shume parash.

Intervistoi: Fjoralba Shahaj