My Motivation Quote


"It is no use saying, 'We are doing our best.' You have got to succeed in doing what is necessary." ~ Sir Winston Churchill


Saturday, September 8, 2018

“Turizmi pa vizion, problemet me rrugët, mbetjet e plazhet nuk po marrin zgjidhje”- Revista Monitor 08/09/2018

Flet Kliton Gërxhani, kryetar i Shoqatës Shqiptare të Turoperatorëve & Agjencive Turistike

Sektori i turizmit, edhe pse po përjeton ditë të rëndësishme me një interes të zgjuar, po ecën pa një vizion të qartë për drejtimin që do të marrë.
Për Kliton Gërxhanin, kryetar i Shoqatës Shqiptare të Turoperatorëve & Agjencive Turistike, sot nuk po bëhet një analizë e treguesve dhe ndikimit që po jep rritja e turistëve, por mbetemi ende në garën e milionave të vizitorëve që vijnë. Sipas tij, ka nevojë për një përcaktim të qartë të një plani zhvillimi nga të gjitha palët, për të garantuar një sektor të qëndrueshëm.
Si e vlerësoni këtë sezon turistik veror, duke pasur parasysh faktin që jemi thuajse në javët e fundit të tij?
Ka qenë një periudhë me raportime shifrash kontradiktore që e bën të vështirë një gjykim të saktë. Është folur për një turizëm në rritje, ndërkohë që ka shpërthyer një reagim në rrjetet sociale me pamje bosh të shumë plazheve tona në kulmin e sezonit. Thuhet zyrtarisht që turistët kosovarë janë rritur shumë këtë vit, por nga ana tjetër në media intervistohen biznese edhe nga plazhi më popullor, ai i Durrësit, madje edhe nga pronarë biznesesh me origjinë nga Kosova, që ankohen se ka një rënie të pushuesve nga Kosova. Kurse ajo që personalisht mendoj se po konfirmohet është rritja e pushuesve nga Shqipëria që preferojnë plazhet e Turqisë, kryesisht duke sfiduar plazhet tona, pavarësisht se edhe mbi këtë dilemë shoh një reagim të madh mbi çfarë duhet të zgjedhim dhe çfarë ka nevojë të përmirësohet, gjë që mendoj se është një diskutim që i bën shumë mirë zhvillimit të turizmit në vend.
Sa e ka ndihmuar apo penguar turizmin këtë vit situata me infrastrukturën, mbetjet, uji apo energjia?
Mendoj se situata më problematike dhe e pazgjidhur ngelet ajo e mbetjeve. Nëse vërtet duam ta marrim seriozisht këtë situatë, duhet të mendojmë për një plan masash që e lufton dhe parandalon problemin që në origjinë, ndryshe dalje për fasadë në media me thasë në dorë kanë vetëm një efekt, atë të ndërrimit me pult të kanalit televiziv. Pastaj problemi i dytë kryesor mbeten rrugët që lidhin qytete dhe zonat turistike, ku ende nuk po shikojmë ndonjë progres. Duke shtuar edhe problemet e ujit apo energjisë në zona të caktuara turistike, mendoj se këto shqetësime ngelen të pazgjidhura dhe rrjedhimisht penguese në cilësinë e turizmit tonë.
Cilat janë problemet kyçe që ju mendoni se duan një zgjidhje të shpejtë?
Zgjidhje të menjëhershme do mbi të gjitha vizioni që duam të kemi për zhvillimin e turizmit tonë. Pa përcaktuar dhe pa respektuar këtë vizion, mbetjet do të vazhdojnë të jenë po aty, rrugët e turizmit do të shihen si sekondare, do të bëjmë gara për të thyer si tradicionalisht rekorde milionash të numrit të turizmit, por askush nuk do të pyesë dhe të na thotë se sa të ardhura na sjell çdo turist që po numërojmë dhe a është kjo në rënie apo rritje.
Dhe po të kemi vizionin e duhur, do të vendosim edhe standarde në treg, do të kemi vetëm bizneset më të mira dhe më serioze që operojnë në turizëm, do ulim informalitetin, do të shtojmë punësimin që mbetet sezonal dhe i pa mbështetur që të dalë nga ky ngërç, dhe si përfundim do kemi aq turistë sa kemi mundësi të mbajmë, të shpërndarë në mënyrë të drejtë në çdo hapësirë turistike tonën dhe që paguajnë më shumë sesa po na paguajnë tani, duke qenë të fundit në listë në raport me konkurrentët tanë në rajon.
Sa është ndier dora e pushtetit vendor në përmirësimin e situatës në turizëm duke qenë se reforma territoriale u ngarkoi atyre më shumë përgjegjësi?
E kam thënë edhe më parë, pushteti vendor nuk duhet të ketë më shumë përgjegjësi sesa e ka kapacitetin e vet për të menaxhuar, sepse ka një historik jo të mirë me menaxhimin e plazheve. Aktualisht e shoh më kaotik e të paqartë mbi kompetencat që ka, dhe mbi të gjitha pa ndonjë zgjidhje nga ana financiare në ato raste kur vërtet duhet të ndërhyrje, si për shembull për pastrimin e mjedisit. E ritheksoj që të paktën menaxhimi i plazheve duhet t’i rikalojë në përgjegjësi Agjencisë Kombëtare të Bregdetit dhe Ministrisë së Turizmit derisa të konsolidohet si sistem dhe më vonë mund të konsiderohet kalimi te pushteti lokal

Monday, September 3, 2018

"Dilema e turizmit: Çfarë modeli duhet të ndjekim" - Revista Monitor 03/09/2018

Kërkesa “e pakërkuar” e tregut lindor dhe skandinav e ka gjetur tregun turistik vendas të papërgatitur, në varësi të plotë të përcaktimit të çmimeve dhe politikave nga këta operatorë të huaj.

Nga Kliton Gërxhani*

Për gati 20 vite rresht kam shkruar dhe folur në media për rëndësinë që duhet të marrë turizmi në zhvillimin ekonomik të vendit tonë. Në fillim jam munduar të sensibilizoj politikëbërësit, që t’i kushtojnë vëmendje më të madhe këtij sektori që në kohën kur pothuajse nuk flitej për turizëm të mirëfilltë, kur ne flisnim ende për emrat dhe kombësitë e turistëve dhe jo për numrat e tyre, dhe kur sezoni i plazhit ishte vetëm 40 ditë me vështirësi. Ishte koha kur e keqja e madhe e luftës së Kosovës solli të mirën e njohjes së bregdetit shqiptar nga vëllezërit tanë kosovarë dhe kërkesën e tyre për të kaluar pushimet e plazhit në Shqipëri. Por kjo kërkesë e gjeti Shqipërinë pa kapacitetet e nevojshme akomoduese, si dhe pa një plan zhvillimi të zonave bregdetare. E këtu i pati fillesat turizmi i paplanifikuar shqiptar që solli prerjen e pyjeve të Golemit për të ndërtuar simbolin e parë të shëmtuar (jo)turistik që ne e quajmë “golemizim”.
Për të mos e përshkruar të gjithë këtë rrugë të shtrembër 20-vjeçare, sepse është po e njëjta rrugë e gabuar e zhvillimit të paplanifikuar të turizmit, e cila prodhoi betonizimin e Sarandës (dhe praktikisht edhe shkatërrimin e produktit turistik të Sarandës), deri diku të Vlorës, Shëngjinit etj., ajo që është shumë e vështire për t’u kuptuar është mosdija dhe mosdashja e shtetit edhe sot e kësaj dite për të ndërhyrë radikalisht në këtë sektor dhe planifikuar atë.

Kërkesa e rritur
Këto 3-4 vitet e fundit po përballemi me fenomenin e rritjes së kërkesës nga tregu i Europës Qendrore dhe Lindore si dhe ka një interes edhe nga tregu skandinav. Kjo pati një të mirë që u dha shpresë këtyre zonave problematike të betonizuara që mezi sajoheshin në informalitet me një muaj e gjysmë sezon në vit, por nga ana tjetër, po përcjell një imazh të rremë tek ata që nuk e kuptojnë ose bëjnë sikur nuk e kuptojnë, që me ketë rast u zgjidhën edhe problemet e betonizimit dhe mosplanifikimit, të cilat aktualisht janë po aty dhe koha do t’i nxjerrë përsëri “mbi ujë”. Kjo kërkesë “e pakërkuar” e tregut lindor dhe skandinav e ka gjetur tregun turistik vendas të papërgatitur, në varësi të plotë të përcaktimit të çmimeve dhe politikave nga këta operatorë të huaj. Nga ana tjetër, tregu patriotik që përbën ende rreth 80% të totalit të pushuesve po shikon që nuk është më treg prioritar për shumë hotele dhe ne rrezikojmë të humbasim gradualisht këtë treg, nëse nuk do të marrim një vendim se çfarë turizmi do të bëjmë në 10 vitet e ardhshme. Prandaj mendoj se ka ardhur koha të vendosim nëse do të bazohemi te dominanca e tregut vendas dhe shqipfolës, të cilët i kemi “dhuratë” prej shumë faktorëve, apo do synojmë tregun e huaj që paguan më shumë, por që praktikisht nëse vjen në numra të mëdhenj sjell edhe rritjen e çmimeve, gjë që pastaj krijon problem për popullsinë vendase që ka të ardhurat nga më të ulëtat në Europë? Sepse praktikisht nga ata që sot i quajmë të huaj, po të analizosh me vëmendje, kreun e tabelës e zënë tregje me shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë, ose emigrantët tanë në Greqi, Itali, Gjermani etj. Numri më i lartë i vërtetë i të huajve është nga polakët me rreth 100 mijë turistë, ose vetëm rreth 5% e totalit të turistëve. Pra sido që t’i rrotullosh, numri real i turistëve të huaj nuk kalon më shumë se 15-20% të totalit. Prandaj duhet të zgjohemi nga ëndrrat e bukura dhe pikërisht nga këtu duhet ta fillojmë analizën.

Dilema
Ka ardhur koha të vendosim nëse do të bazohemi te dominanca e tregut vendas dhe shqipfolës, të cilët i kemi “dhuratë” prej shumë faktorëve, apo do synojmë tregun e huaj që paguan më shumë, por që praktikisht nëse vjen në numra të mëdhenj sjell edhe rritjen e çmimeve, gjë që pastaj krijon problem për popullsinë vendase që ka të ardhurat nga më të ulëtat në Europë?

Është e parakohshme të gëzohesh për suksesin e rritjes së numrave të turistëve, në qoftë se kjo rritje e turistëve, që kalon gati dyfish numrin e popullsisë vendase, nuk shoqërohet me gjithë spektrin e masave për ta akomoduar dhe mirëmenaxhuar këtë prurje. Nëse ne po përballemi me një kërkesë në rritje për turizmin e plazhit, hotelet ekzistuese apo edhe të reja që do hapen, kanë nevojë për një industri agropërpunuese mbështetëse, për një infrastrukturë turistike më të zhvilluar që të përballojë këtë fluks, si dhe për një numër në rritje punonjësish të edukuar dhe të kualifikuar në turizëm në shkolla profesionale të turizmit. Sepse tregu aktual turistik është totalisht i paorganizuar, dhe ka nevojë të ketë standarde profesionale, të trajnohet dhe orientohet për ta përballuar me sukses këtë trend. Nëse nuk i bëjmë të gjitha këto, por ushqimin e importojmë, punonjësit do t’i marrim nga Maqedonia dhe Serbia dhe rrugët, kanalizimet, ujin e pijshëm, ndotjen e plazheve dhe ambientit do ta lëmë siç e kemi, jemi duke fryrë një tullumbace që shpejt do të çahet dhe copat e saj do të na bien fytyrës.
Nga ana tjetër duhet të jemi realist në leximin e shifrave, sepse ky fluks në rritje vazhdon të ketë ende një shpërndarje të deformuar në treg, ngaqë ka një mbingarkesë të numrit të turistëve në zonat afër dy aeroporteve, atij të Tiranës dhe Korfuzit, pra kryesisht në Durrës dhe Sarandë, por ndërkohë vazhdon mungesa e turistëve në të gjitha zonat e tjera, dhe perla si Riviera Shqiptare janë duke pasur turizmin tradicional të 45 ditëve në vit. Ose e thënë ndryshe, numrat dhe sasia e turistëve është me tepricë të dëmshme në 20-30% të territorit dhe është krejt i pamjaftueshëm në 70-80% të territorit që ngelet. Ndërkohë që ne nuk kemi as ndonjë plan për të rritur kapacitetet akomoduese atje ku ka kërkesë dhe as plan si të shtojmë numrin e turistëve atje ku nuk është kjo kërkesë e rritur.
Çfarë turizmi duam
Tashmë ka ardhur koha që edhe statistikat e turizmit t’i ngremë nga niveli i krahasimit historik me vitet e mëparshme, sa për konsum mediatik, në nivelin e parashikimit ose pritshmërisë së rezultateve të turizmit. Ose thënë ndryshe, nga krahasimi sasior te krahasimi cilësor. Kjo bën të domosdoshme gjithçka shkrova më sipër, pra vizionin, planifikimin, zbatimin, standardet, edukimin dhe incentivimin e këtij sektori për të kaluar nga turizmi sasior në turizmin cilësor. Sepse duhet të mendojmë nëse duam t’i kemi hotelet plot me 5 Lekë apo t’i kemi më pak plot por me 10 Lekë. Nëse do të krahasohemi me destinacione turistike të përafërta do të kuptojmë diferencën. Sllovenia, me sipërfaqe dhe popullsi të përafërt me ne, por me më shumë përvojë dhe potencial në turizëm, pret më pak se 4.5 milionë turistë, pra më pak se Shqipëria, por ndërkohë merr prej tyre rreth 2.5 miliardë euro, ose 550 euro për turist. Edhe Bullgaria që mbahet për një nga modelet e këqija të zhvillimit të turizmit masiv, edhe pse ka investuar shumë sidomos në turizmin e skive, por edhe të plazhit, ka gati katërfishin e sipërfaqes sonë, përsëri pret rreth 9 milionë turistë, pothuajse sa popullsia e vet dhe merr rreth 4 miliardë euro të ardhura, ose rreth 450 euro për turist. Por ka edhe vende si Kroacia që merr rreth 700 euro për turist, Portugalia rreth 1000 euro për turist apo Izraeli më shumë se 2000 euro për turist! Ndërkohë për 5.5 milionë turistë (dyfishi i numrit të popullsisë) dhe  1.6 miliardë euro që fiton Shqipëria, del që marrim më pak se 300 euro për turist. Pra nëse duam të flasim për rekorde, ky po, vazhdon të jetë një rekord, por negativ sepse janë të ardhurat më të ulëta në rajon për turist. Dhe nëse do të vazhdojmë këtë mburravecërinë e kësaj rritje të zhdrejtë të numrit të turistëve që nuk ndiqet nga të ardhurat, kjo mesatare do të vazhdojë duke u ulur.
Turizmi sasior sapo na ka ardhur, sepse nuk gjeti në shtëpinë tonë as dyer dhe as dritare për të trokitur dhe kur miku të bëhet zot shtëpie (jo për faj të tij në këtë rast për të qenë korrekt) situata e miqësisë nuk zgjat shumë dhe ka veç pasoja negative. Pakënaqësitë e para janë duke ardhur prej presionit të kërkesës më të madhe se oferta. Në një shtëpi me 10 krevate, nëse duan të futen 20 miq, e para njëherë do të dalë i zoti i shtëpisë bashkë me familjen të flejë jashtë, dhe e dyta miqtë do të flenë dy veta në një krevat. Që do të thotë që të dyja palët do të ngelen të pakënaqura. Ky fenomen quhet “overtourism” ose turizëm i tepruar, dhe shumë qytete të famshme turistike po e vuajnë ketë gjë, si p.sh. Venecia, Barcelona apo Dubrovniku fqinj. Madje media të famshme si CNN po publikojnë tashmë artikuj “antipromovues” me tituj të tillë: “12 vende që duhen shmangur së vizituari” ku në listë janë edhe fqinjët tanë si Dubrovniku, Santorini apo Venecia. Por qeveritë e tyre apo bashkitë nuk mburren me numrin e turistëve, por po marrim masa urgjente për ta zgjidhur këtë problem, dhe kanë filluar të vendosin limit në numrin e kroçerave dhe turistëve që i vizitojnë këto qytete. Në 2016 Dubrovnikun e vizituan rreth 800 mijë turistë nga kroçerat e mëdha, dhe shumica e tyre qëndron vetëm 3 orë në qytet, duke mos konsumuar asgjë. Prandaj dhe prej rrezikut të këtij turizmi të tepruar, qyteti ka vendosur që limiti i turistëve të jetë deri në 4000 persona në ditë. Këtë situatë e kemi edhe ne në Sarandë apo Durrës aktualisht ku jemi duke paguar tani kostot e betonizimit dhe mosplanifikimit të turizmit, sepse infrastruktura rrugore apo turistike nuk është bërë për të pritur flukse 10-fish më të mëdha turistësh që vijnë me anije gjigante (të cilat janë edhe nga problemet më kryesore) dhe tashmë edhe me çartera. Ndjesë që po krahasoj shëmtinë që i bëmë ne Sarandës tonë të gjorë me bukurinë e Dubrovnikut, por nëse UNESCO kërcënon Dubrovnikun që ta heqë nga lista e vet nëse nuk lufton turizmin e tepruar dhe CNN-it “i bën zemra” të këshillojë të mos e vizitoni atë, është e kuptueshme në ç’situatë të mjerueshme gjendet dhe mund të shkojnë modelet e “golemizimit” si Saranda e Durrësi të politikes sonë shumë të keqe. Atëherë nëse që tani po e shikojmë që situata ka dalë jashtë kontrollit, a vlen të ftojmë ende çdokënd tjetër në shtëpi, apo duhet më parë të mblidhemi urgjent dhe të ndërtojmë siç duhet shtëpinë tonë e t’i vendosim edhe dyert e dritaret si çdo shtëpi tjetër normale e këtij lloji?
Pra cila është zgjidhja? Personalisht mendoj se për hapësirën fizike, peshën në tregun mesdhetar të turizmit dhe shumëllojshmërinë e potencialit turistik, ne duhet të synojmë një turizëm cilësor dhe jo sasior. Qeveria nuk mund të bëjë as indiferentin në këtë situatë, as të paditurin, sepse po flasim për një sektor që zë 40% të eksporteve duke sjellë në vend 1.5 miliardë euro, dhe që punëson 1 në 4 persona në vend. Teoritë “liberale” që qeveria nuk duhet të ndërhyjë në këtë sektor dhe çdo gjë duhet ta zgjidhë vetë biznesi, përveçse i bëjnë “nder” institucioneve shtetërore që merren me turizëm të mos bëjnë asnjë punë, nuk kanë sjellë ndonjë dobi sepse “liberal” kemi qenë gjithë këtë kohë dhe gjendja është në këtë kaos që po shpjegojmë. Qeveria duhet të kërkojë të ketë kontroll të plotë të situatës në këtë sektor, sidomos në vendosjen ligjeve e standardeve, të ofrojë politika stimuluese apo edhe penguese sipas rastit nëse do të zhvillojë apo të frenojë mbingarkesën apo ndonjë lloj të caktuar turizmi dhe të caktojë vizion të qartë se çdo të bëjë me turizmin në të ardhmen. Modelet e mira janë aty, shumë prej tyre na i kanë thënë edhe ekspertët e huaj që kemi ftuar për të na dhënë mënd. Por duhen hapur dhe zbatuar ato çka është shkruar në ato letra, që ta marrim situatën në dorë sa s’është vonë që të parandalojmë efektet negative të turizmit dhe të vjelim efektet shumë të rëndësishme pozitive. Sepse turizmi nuk është problem, por është potencial, prandaj janë njerëzit që e kanë në dorë ta përdorin për keq apo për mirë atë.
Rekomandimi
Për hapësirën fizike, peshën në tregun mesdhetar të turizmit dhe shumëllojshmërinë e potencialit turistik, ne duhet të synojmë një turizëm cilësor dhe jo sasior. Qeveria nuk mund të bëjë as indiferentin në këtë situatë, as të paditurin, sepse po flasim për një sektor që zë 40% të eksporteve duke sjellë në vend 1.5 miliardë euro, dhe që punëson 1 në 4 persona në vend.


*Konsulent turizmi/Kryetar i ATOA (Shoqata e Turoperatorëve Shqiptarë)