My Motivation Quote


"It is no use saying, 'We are doing our best.' You have got to succeed in doing what is necessary." ~ Sir Winston Churchill


Saturday, December 10, 2011

"A ka shprese turizmi i Durresit?" - Gazeta Shqip, 10/12/2011


Të ulesh sot të shkruash diçka pozitive për turizmin e Durrësit është jo e lehtë. Këtu e kam fjalën kryesisht për zonën e Plepave, Shkëmbit të Kavajës dhe Golemit, pra zonën më të dëmtuar nga ndërtimet kaotike. Për një profesionist turizmi kjo bëhet akoma edhe më e vështirë, sepse diskutimi duhet të bazohet mbi vizionin e zhvillimit turistik të kësaj zone dhe jo lustra politike e mediatike sa për të kaluar radhën. Personalisht ndjej edhe një detyrim moral për t’u ulur dhe menduar alternativat e mundshme të zhvillimit të turizmit të kësaj zone, sepse jam pjesë e shumicës së njerëzve që e kanë kritikuar fort këtë zhvillim të deritanishëm të zonës së Durrësit, duke e marrë madje edhe për shembull si modelin me të keq të zhvillimit të një zone turistike i cili nuk duhet të përsëritet në zonat e tjera. Kam parasysh këtu sidomos modelin e Golemit nga i cili ka dal edhe termi negativ “Golemizim”. Pra nuk do të doja të bëja pjesë në grupin e atyre njerëzve të cilët pasi e keqpërdorin një destinacion të tillë për interesat e tyre, e flakin atë si limon i shtrydhur nga i cili nuk mund të nxjerrësh me përfitim, dhe për të cilin nuk duan të flitet më. Që të jem i qartë që në fillim: unë i ngelem idesë se Durrësit dhe sidomos zona e Golemit, ka nevojë për një zgjidhje radikale nëse do që të ketë një rinovim të plotë të produktit, për të filluar një cikël të ri të qëndrueshëm. Zgjidhje të cilën e kam përmendur edhe më parë në media, si modelet në Spanjë apo Portugali, ku ndërtime të tëra të shëmtuara dhe jo produktive u rrafshuan dhe mbi to u ngritën resorte të mëdha të qëndrueshme, ku bizneset e ligjshme të mëparshme u bënë bashkëortakë. Kurse me ketë shkrim dua të hedh disa mendime se si mund të shtohet jeta e këtij produkti me shumë më pak ndryshime, por e përsëris, pas disa kohësh, zgjidhja radikale do të ngelet si e vetmja alternativë.
Ketë vit turizmi shqiptar i plazhit përjetoi për herë të parë një rënie të ndjeshme me rreth 20-30% sipas burimeve të marra nga bizneset. Dy faktorët kryesorë negativ të cilët e shkaktuan këtë rënie qenë zgjedhjet lokale të Majit të cilat penguan marrjen e masave për sezonin e plazhit dhe krijuan një atmosfere të tensionuar politike, dhe liberalizimi i vizave që solli edhe një rrjedhje të konsiderueshme të tregut vendas drejt Greqisë, Italisë, Spanjës etj. Ndërkohë parashikimet e rritjes ekonomike në botë për 2012 nuk janë shumë pozitive. Frika e një krize në Eurozonë dhe e një recesioni të mundshëm të SHBA-së kanë ndikuar edhe uljen e parashikimit të rritjes së industrisë së turizmit për 2012 nga WTTC (Këshilli Botëror i Turizmit dhe Udhëtimit) nga 5% në 3%. Kjo situatë e përforcon faktin që ne jemi të detyruar t’i kthejmë sytë nga tregu turistik vendas ose shqipfolës.
Duke qenë destinacioni më lehtë i arritshëm, 30 min larg nga Aeroporti dhe duke pasur portin kryesor në vend, me plazhe ranore rreth 30 km të Gjirit të Durrësit (dhe po kaq të Gjirit të Lalëzit) pra me një potencial shumë të madh zhvillimi turistik, Durrësi ka qenë për fat të mirë dhe të keq eksperimenti i parë i turizmit të plazhit në vend. Kjo bëri që pas viteve 90’ por sidomos pas viteve 2000’ në Gjirin e Durrësit të lëshohej babëzia e të ashtuquajturve ndërtues të rinj që masakruan pyllin e ndërtuan kulla të shëmtuara vertikale, pa asnjë lloj kriteri teknik apo estetik, duke shënuar rekordin sot në pallate 20-30 katëshe 10 m larg bregut! I gjithë ky përdhunim i pasurisë sonë kombëtare, dhe mbi të gjitha i turizmit shqiptar, u bë për fat të keq me bekimin e politikës lokale dhe qendrore. Sot si për të fshehur mëkatin e saj dhe për të konfirmuar dritshkurtësinë në vizion ndaj turizmit, kjo politik i ndërtoi një rrugë me ndarëse të pakalueshme mes për mes asaj zone duke i falimentuar përfundimisht bizneset larg detit, dhe duke lënë me pak shpresë vetëm bizneset në krahun e detit, por edhe atë e izoluan vizualisht sikur nuk duan ta shohin me mëkatin që kanë bërë.


Disa faktorë të tjerë që ndikojnë në largimin e tregut turistik nga Durrësi (por jo vetëm) gjatë verës janë edhe ndotja e madhe e ujërave të zeza të cilët shkarkohen në det, ndotja nga plehrat, ndotja nga ndërtimet e pambaruara, ndotja akustike dhe vizuale, trafiku i rënduar, mbipopullimi me njerëz, mungesa e shërbimeve profesionale, mungesa e alternativave të argëtimit përveç plazhit ushqimit dhe fjetjes etj. Dhe kjo ndodh kryesisht gjatë korrikut dhe gushtit. Ndërkohë jashtë kësaj periudhe vizitorët pothuajse zhduken fare, dhe këtu fillon edhe shansi i këtij destinacioni nëse shihet nga një këndvështrim krejt tjetër nga ai tradicional i plazhit.
Mund të tingëlloi si paradoks por unë besoj se Durrësi ka një potencial më të madh turistik jashtë sezonit sesa gjatë dy muajve të verës. Duke mos pasur njerëz, ndotjet pothuajse reduktohen në minimum; nuk ka pothuajse fare ndotje të ujërave të zeza, ka me pak plehra, nuk ka trafik dhe është një qetësi absolute ku për herë të parë mund të shijosh zhurmën e dallgëve të detit. Shumica e bizneseve “të rastësishme” turistike mbyllen, dhe rrinë hapur vetëm bizneset që e kanë lidhur jetën me turizmin. Pra le të themi, për tregun e Tiranës, i cili punon 5-6 ditë të javës dhe është çdo fundjavë në dilemë se ku mund të çlodhet, larg zhurmës, trafikut, ndotjes së ajrit, mungesës së parqeve dhe gjelbërimit, Durrësi duhet të kthehet natyrshëm në alternativën e parë që të kënaqë këtë treg. Thelbi i këtij produkti duhet të jetë QETËSIA dhe ÇLODHJA, pra pushime relaksi me familjen.



Kush janë pikat e forta apo avantazhet? E para, hotelet që janë të hapura janë ato hotele të cilët kanë krijuar një përvojë në menaxhim, ndryshe nuk do e përballonin dot mbajtjen hapur të biznesit të tyre gjithë vitin, pra do të ishin sezonal. Kjo jep një garanci që shërbimi do të jetë më i miri që ajo zonë ofron sot për sot. E dyta, shumica e këtyre hoteleve ose e kane filluar biznesin e tyre si restorante ose kane punësuar kuzhinier me shumë përvojë, pra edhe ushqimi është nga më të mirët dhe kjo ngelet një nga pikat më të forta të turizmit shqiptar. E treta, shumë prej këtyre hoteleve kanë një hapësirë të pranueshme, gjelbërim dhe shpesh herë edhe pishina, për të krijuar një ambient të qetë e të bukur në buzë të detit ku mund të shijosh një pije, ushqimin apo ku edhe mund të lexosh i qetë një libër. E katërta, janë mbi 30 km plazh që janë krejt bosh për të shëtitur i qetë me familjen, apo për të vrapuar. E pesta, megjithë kusuret e veta, gjeografikisht Durrësi ngelet po aty, 40 km ose 30 minuta larg, distancë kjo më e vogla e mundshme për të shkuar diku në fundjavë për tregun gati 1 milionësh të Tiranës, si dhe pika më e afërt e plazhit për tregun 2.5 milionësh të Kosovës që me rrugën e re është 2-3 orë larg. Dhe e fundit, e gjithë kjo me një kosto minimale.
 Kush janë pikat të cilat duhen ndryshuar apo përshtatur për të tërhequr ketë treg jashtë sezonit? E para, bizneset duhet t’i përshtaten nga ana manaxheriale 100% një tregu të tillë, tregut të fundjavës pra, i cili ka shumë pak pika të përbashkëta me tregun e plazhit. Ky treg mund të jetë ditor dhe në ketë rast ka nevojë të kalojë vetëm një drekë të këndshme, ose me një apo dy netë fjetje, pra që vjen të premten dhe ikën të dielën (kjo e fundit duhet të jetë edhe synimi kryesor që duhet të arrijnë këto biznese). E dyta, çmimet e fjetjes duhet të jenë sa më të ulëta, mundësisht në kosto, që të mos jenë pengesë për këtë treg sidomos në prezantimin e parë të këtij produkti, dhe të ketë oferta të ndryshme për fëmijë. Fitimi në këtë rast duhet të llogaritet tek ushqimi dhe shërbimet e tjera. E treta, është e domosdoshme të investohet në shërbime shtesë relaksi dhe argëtimi, si pishina të mbyllura për të rritur dhe fëmijë, qendra SPA, sauna, banjo turke, jacuzzi etj. (ose turizmi i shëndetit dhe i mirëqenies), argëtime ne salla të mbyllura si bowling, bilardo, pingpong, salla lojërash, etj të cilat i mbajnë klientët të angazhuar në rastin e një kohë jo të mirë, por edhe fusha tenisi, minigolfi, kënde lojërash për fëmijë, biçikleta etj për aktivitete ne ambient të hapur në rast se koha është e mirë.

Në kushtet e sotme kur pallatet-hotele janë kurriz me kurriz kjo duket pothuajse e pamundur, por jam i sigurt se nëse tregu vendas do i rikthehet Durrësit nga shtatori ne qershor, pra për 10 muaj në vit, hotelet e suksesshme do të jene të interesuara të blejnë objektet dhe hapësirat përreth për t’u zgjeruar dhe shtuar shërbimet e munguara. E katërta pushteti lokal duhet absolutisht të pastroj çdo mbeturinë në atë zonë si dhe plazhin në mënyrë periodike, gjë të cilën e ka me të lehtë sepse ngarkesa e ndotjes është e vogël. Dhe e fundit një nga çelësat kryesor të suksesit të kësaj “ringjallje” produkti është marketingu. Nevojitët një marketing i mirëmenduar me karakter sensibilizues por edhe specifik për këtë produkt, në mediat lokale por edhe ato Kosovare, nga privatët por mbi të gjitha nga Bashkia, Prefektura dhe Ministria e Turizmit ose AKT.  Nëse shqiptarët do të informohen për një fundjavë në Durrës me kushtet e mësipërme do paguajnë 1/3 e asaj që paguajnë ne hotelet e Budvas, besoj se zgjedhja se ku mund të kalohet fundjava nuk do të jetë më e vështirë.

I vendosur në trajektoren e Ciklit të Jetës së Produktit Turistik të teorisë së Butler-it, Durrësi është sot për mendimin tim, për fat të keq, i pari produkt turistik në vend në “vdekje” apo rënie. Ky vizion nëse do realizohet në praktikë (me pak kosto financiare, por shumë vullnet nga të gjitha palët) do përbëjë kthesën pozitive  të kësaj zone në këtë trajektore, pra “rigjallërimin” e shumëpritur nga të gjithë deri në një afat të dytë kur të gjithë të jenë gati për një zgjidhje afatgjatë. E sigurt është që bizneset që do investojnë në kohë për t’i paraprirë adaptimit të turizmit të fundjavës, në mos do përfitojnë investimin e tyre mbrapsht po në kohë, do jenë pjesë e projektit të së ardhmes së zhvillimit turistik të kësaj zone.
Për arsyet qe përmenda në fillim të këtij shkrimi, ky model iu dedikua pjesës më të dëmtuar të turizmit të Durrësit. Por kjo nuk do të thotë se kjo nuk mund të aplikohet për zona të tjera turistike shqiptare me adaptimet përkatëse sipas karakteristikave të zonës.
Kliton Gërxhani
Ekspert Turizmi

Saturday, September 10, 2011

"Turizmi yne, i varfer" - Revista Monitor, 08/08/2011

Flet Kliton Gerxhani, ekspert i sektorit

Vizat dhe e drejta per te zgjedhur

Është e vërtet që shqiptarët vazhdojnë të preferojnë gjithnjë e më shumë që pushimet verore ti kalojnë jashtë Shqipërisë. Ka disa faktorë që shpjegojnë këtë fenomen. Me kryesori është që produkti ynë i plazhit është shumë i varfër. Është i njëjti produkt që ka qenë këto 10-15 vitet e fundit, ose ajo që ka qenë në Mesdhe 30—40 vite me parë, pra thjesht një hotel dhe plazhi. Ndërkohë që kërkesa e madhe që vjen gjatë korrikut dhe gushtit sjell rritjen e çmimeve që e bën ketë produkt jo konkurrues prej raportit cilësi/çmim për atë pjesë të tregut që e përballon ketë çmim ose që paguan edhe pak me shumë ne vendet e tjera të Mesdheut por merr mbrapsht po me shumë. Faktor tjetër është edhe mundësia me e madhe për të zgjedhur tani që u liberalizuan vizat, gjë që shton ne listën e konkurrentëve të plazheve shqiptare edhe vende si Greqia, Italia, Spanja, Kroacia etj. Pra është një miksim i dëshirës se madhe të një tregu të izoluar për pothuajse 60 vjet për të vizituar vende të reja, sidomos fqinje, dhe ndërgjegjësimit të këtij tregu që për pushimet vjetore çmimi është i rëndësishëm por jo me i rëndësishëm sesa shpërblimi për atë çmim, çlodhja, argëtimi, eksperienca dhe kujtimet që ngelen ne memorie gjatë atyre pushimeve.

Ndertimet dhe kapaciteti i akomodimit

Zhvillimi i pakontrolluar dhe kaotik i turizmit tone të deritanishëm do na dëmtojë të gjithëve edhe për shumë vite. Është e papranueshme të shikosh që edhe sot e kësaj dite ky zhvillim ka të njëjtën formë e përmbajtje të shëmtuar dhe ritëm të frikshëm si 10 vite me parë, dhe asnjë qeveri nuk ndërhyn të thojë atë “STOP”-in e shumëpritur. Askush nuk e kupton për fatin tone të keq që çdo ndërtim pa leje i bërë nga privati do të kërkoj nesër dyfishin e kostos se atij ndërtimi për tu prishur nga shteti, por ne atë rast jo më me leket e privatit por me leket e taksave tona. Ndërtime të tilla pa fund hotelesh me 10 dhoma nuk do i hyjnë kujt ne pune ne të ardhmen nëse kjo do të përbëj mbi 80% e tregut të hoteleve shqiptare. Ajo që ne kemi nevojë sot janë rezortet me mbi 200-300 dhoma që respektojnë natyrën dhe arkitekturën dhe që menaxhohen nga një staf i kualifikuar ne hoteleri. Por ndërsa e gjithë industria e turizmit shqiptar ka nevoje të dëshpëruar për staf të kualifikuar, paradoksi ne Shqipëri është që për turizëm studiojnë vetëm 10-20 të rinj ne vit. Shkollat e turizmit pothuajse po mbyllen ngaqë nuk kane student mjaftueshëm, sepse ata për “fat të keq” nuk i dëgjojnë lajmet e politikes ku trumbetohet që turizmi është “prioritet mbi prioritet” që mund ti besojnë të ardhmen e tyre këtij sektori, ose i dëgjojnë por “nuk duan ta hane atë kokërr ulliri” kur shikojnë që realiteti është i ndryshëm nga ai çka thotë politika.


Dy skenaret e zgjidhjes

Ka dy rruge për daljen nga kjo situatë dhe përmirësimin e turizmit shqiptar: e para është lënia e këtij sektori të eci vetë pa i dhënë asnjë lloj ndihme siç nuk është bërë deri tani nga shteti me ligjet, politikat dhe stimujt financiar të duhur. Nëse sektori privat del nga rutina dhe përshtatja me ketë ambient, dhe i organizuar kërkon me forcë ta ndryshoje ketë situatë ne dobi të forcimit të vetes, atëherë mundësit janë për një kthesë pozitive. Por nëse vitet ikin pa ndonjë ndryshim dhe ndërhyrje ne përmirësimin e kësaj gjëndje, atëherë ka rrezik që falimentimet ta dobësojnë këtë sektor dhe turizmi të mos të jetë me një fushë interesantë ku mund të investohen paratë.

Skenari i dytë është që shteti dhe politika “të shkundet” dhe të jetë ajo udhëheqësja e një procesi transformimi të sektorit të turizmit drejt një industrie të vërtet të qëndrueshme dhe kryesore ne ekonominë e vendit.

Personalisht shikoj tek skenari i dytë potencialin e rrugës më të shpejt për të pasur një turizëm konkurrues dhe që e meriton të qënit pjesë e ofertës së Mesdheut.

Sunday, July 10, 2011

“Refleksione mbi turizmin e Korfuzit dhe tonin…”- Gazeta Shqip, 10/07/2011

Pushimet sivjet vendosa t’i kaloja në Korfuz. Nuk kisha qenë ndonjëherë në këtë ishull dhe kisha dëgjuar fjalë të mira për të, kështu që një rrugë e dy punë: familja pushonte, kurse unë pushoja duke mbajtur të hapur dritaren e profesionit në kokë. Ngaqë do të shkoja me makinën time në fillim pyeta se nga ishte më mirë të shkoja. “Mos shko me tragetin e Sarandës se është i vogël, dhe të vonojnë në portin e Korfuzit me kontrollet e tepërta për shqiptarët”-më thanë. Kështu që alternativa ishte të shkoja në Igumenicë dhe të merrja tragetin atje. “Më kanë thënë se është autostradë nga Saranda në Qafë-Botë” i thashë një miku tim në Sarandë. “Po ç’ autostradë,”-më tha- “rrugë e ngushtë me dy kalime, pastaj fillon rruga e vjetër e dëmtuar dhe pastaj ke rreth 1 km rruge të pashtruar fare.” “Po andej nga Greku, deri në Igumenicë?”- e pyeta. “Edhe andej njësoj, mos prit ndonjë gjë të madhe. Rrugë e ngushtë, fshatrave të Greqisë dhe qyteza e parë që shikon është Igumenica”. Dhe ishte 100% i saktë me këtë që më tha. Fshatra të humbur, të harruar si këtej si andej, dhe rrugë të ngushta të amortizuara pa asnjë sinjalistikë rrugore. “Nga kalohet për në Igumenicë? Si nuk ka një tabelë orientuese edhe këtej në Greqi?!” i thashë një sarandioti që pashë në rrugë duke ardhur me makinën e vet nga Igumenica. “ Ja tani do t’i vënë, si të duash ti”-më tha duke qeshur, “ Po ç’ pret nga këta ore, si puna jonë janë edhe këta, ç’e dite ti”-tha dhe u largua.

Duke ecur dhe duke pyetur e gjeta edhe unë Igumenicën. Atje për fat të mirë nuk kishe pse të nguteshe sepse tragetet për në Korfuz niseshin çdo një orë dhe merrnin me qindra makina e njerëz. Udhëtimi qe komod, trageti i pajisur me të gjitha gjërat e nevojshme madje edhe me TV ku grekët ishin grumbulluar gjithë vëmendje dhe dëgjonin lajmet. Aty u kujtova që ky shtet kishte mbi dy vjet që ishte bërë problemi ekonomik i Europës; që Athina dhe Selaniku digjeshin nga demonstratat edhe të dhunshme; që disa politikanë europianë po i kërkonin Greqisë që të shiste edhe deri tek ishujt dhe pasurinë kulturore kombëtare nëse nuk do jetë në gjendje të paguajë borxhet. Ndërkohë tragetet vazhdonin të çonin turistë, makina e autobusë çdo një orë drejt Korfuzit. Mu kujtua 21 Janari ku për një ditë trazira, shumë biznese shqiptare të turizmit u dëmtuan rëndë prej anulimeve të grupeve turistike të planifikuar muaj më parë. Nuk dija se si të shpjegoja këtë ndryshim në reagimin e turistëve kundrejt turizmit të Greqisë dhe tonit, përveçse me simbolikën e trageteve gjigande që niseshin nga qyteza e Igumenicës plot dhe tragetit të vogël të Sarandës që nisej vetëm një herë në ditë, merrte vetëm 4 makina dhe tundej nga çdo dallgë...

Mbërrita në Korfuz. Përveç qytezës së Korfuzit, pjesa tjetër ishte me fshatra të vegjël njëri pas tjetrit, që lidheshin nga një “rrugë kryesore” që ishte e ngushtë dhe amortizuar. U zhgënjeva, sepse prisja rrugë më të mira, por ndërkohë mendova që kur ne nuk kishim as rrugë as karroca, këta ndërtuan rrugët e tyre këtu, dhe sot e kësaj dite po i vjelin të ardhurat këtyre rrugëve me turizëm. Ne akoma nuk kemi mbyllur një autostradë të vetme që të lidhë nga fillimi deri në fund një pikë kufitare me Tiranën. Le që ç’ them edhe unë, sot është tmerr të çosh turistë në Berat me atë gjendje që është katandisur rruga, kur Berati është realisht atraksioni i dytë më i rëndësishëm në vend mbas Butrintit.

Mbërrita në rezort. Hapësirë e pafund e gjelbëruar, e mbushur me palma, me mbi 500 dhoma, dhe më e rëndësishmja dhe e çuditshmja për realitetin shqiptar, 500 dhoma të ndërtuara në godina dy katëshe (po po vetëm dykatëshe!) uniforme në arkitekturë e dizajn, të shtrira vertikalisht (jo horizontalisht si tek ne) drejt detit. (Mundohuni t’i bëni bashkë 500 dhoma për t’i menaxhuar në Golem, Sarandë apo kudo në Shqipëri dhe do më kuptoni çka jam duke thënë).

Në dhomë çdo gjë ishte gati nga menaxhimi i rezortit grek, edhe krevati i vogël i fëmijës. Na falënderuan 100 herë që zgjodhëm rezortin e tyre dhe që i bëmë 2-3 sugjerime të cilat na i mirëpritën dhe na dhanë madje edhe një shishe verë si dhuratë të nesërmen, duke treguar vëmendje për ne megjithëse rezorti kishte mbi 1000 e ca pushues në atë kohë (“Me të vërtet ishin të sjellshëm grekët me ju edhe pasi morën vesh qe jeni shqiptarë?!”- më pyesnin miqtë e mi këtu). Ndërkohë që kur u ktheva në Sarandë dhe ndalova te një hotel pronari i të cilit më kishte ftuar vetë të shikoja hotelin e tij, kur i thashë për krevat fëmijësh më tha:“Vëlla, fli në krevat dopjo me fëmijën e vogël siç kemi bërë ne të gjithë më parë. Ne e kemi hotelin për çifte jo për kalamaq, nuk do ziejmë edhe fasule tani në hotel”.

Në rezort çdo turoperator shiste ndërmjet të tjerave edhe vizita në Butrint. Kur fola me një nga punonjëset e një kompanie për turin e Butrintit më tha që 35 Euro bën transporti deri në Sarandë, pastaj 10 Euro është taksa e hyrjes. “Taksa e hyrjes?!” – “Ne nuk kemi më taksë hyrje, e kemi hequr prej kohësh”- i thashë. “Është taksë hyrje, ose vize, ose diçka tjetër. Nuk e di saktësisht, por di që e merr turoperatori grek që i ofron shërbimet në Sarandë dhe është lidhur me një agjensi lokale aty”. Kur nuk ka kontroll, është e lehtë që duke ia lënë fajin shtetit shqiptar të bësh lek për vete, sepse ato 10 Euro mund të jenë fitim mbi fitimin e paketës.

Kur filloi të më marrë malli për mëmëdheun dhe doja të mësoja diçka, kërkoja i dëshpëruar kush nga mediat kryesore në Shqipëri shpërndante twitter-a të paktën, që është shumë praktik në këto raste, në krahasim me kanalet e tjera të rrjeteve sociale. Por edhe mediat kryesore që na lodhin kokën nga mëngjesi në darkë në Shqipëri me politikë, mezi nisnin 2 twittera në javë, edhe ato mbi pinguinët e Zelandës së Re apo porshin që e qëlloi me plumba një i pasur për inat të së dashurës. Lajmet e vetme që mora në smartfonin tim ishin nga twitterat e mediave ballkanike që edhe pse ndodheshin me qendër në Bullgari apo Serbi, më njoftonin saktë ç’të reja kishte mbi Shqipërinë. Mbrapa si kudo në krahasim me botën, edhe në rrjetet sociale të cilat janë bërë të domosdoshme sot për informim dhe promovim. Edhe pse sipas një studimi mediat tona I kanë blerë njerëzit më me influencë në politikën shqiptare, ose ndoshta pikërisht, sepse mediat tona I kanë blerë njerëzit më me influencë në politikën shqiptare.

Pushimet mbaruan, erdhi koha të kthehesha. Ma kishte qejfi ta kurseja atë rrugën e lodhur Igumenicë –Sarandë dhe zgjidhja më e mirë ishte natyrisht trageti që të merrte në Korfuz dhe të zbriste në Sarandë. “Mos merr tragetin e Sarandës që nga Korfuzi”më thanë edhe ne kthim, “sepse ka dallgë dhe ndjehen shumë lëkundjet se është i vogël”. Po mirë aeroportin që nuk e ndërtojmë dot akoma në jug sepse na i ka futur gjermani i TIA-s të dyja këmbët në një këpucë, por një traget për të qenë që merr dhe makina a autobusë pse nuk e vendosim? Janë me qindra mijëra pasagjerë dhe makina që kalojnë nëpërmjet Igumenicës dhe një pjesë e tyre vijnë edhe në Shqipëri. Sa të ardhura shtesë do kishim marrë prej tyre? Në qoftë se nuk u krijojmë kushte lehtësuese turistëve për të ardhur, si mund të pretendojmë për sasi dhe cilësi turistësh? Në Korfuz çdo një orë fluturonte një charter i cili mund të mbajë mbi 100 turistë, pa llogaritur tragetet, dhe prapë thonë që kanë rreth 1 milionë turistë në vit. Nëse tek ne akoma nuk ka shkelur charteri i parë (ufoja I parë) pra është akoma një diçka e panjohur (si puna e twitterit), dhe trageti që kemi me Korfuzin merr ndonjëherë me kohë të mirë 4 makina, me çfarë na vijnë ne mbi 3 milionë turistë sipas qeverisë?! Në këmbë, me gomerë, apo me not, sepse po të vijnë të gjithë në rrugë tokësore me makina, na duhet të akomodojmë mbi 1 milionë makina në 2 muaj verë me këtë llogjikë (kur vijnë edhe gati 80% e vizitorëve) pra edhe me tre kate t’i kishim rrugët nuk do kalonte dot njeri.

E ndërsa ne me gjithë këto kusure, ne këtë vend ku falimentojnë furrat e bukës dhe lulëzojnë kazinotë, nuk na rri dhe goja dhe mburremi me këtë turizëm, më kujtohet miku gjerman Dieter që njoha në rezort që me çudi më thoshte: “ Po ju kur jeni fqinj me Greqinë dhe keni edhe det, pse vini këtu për pushime?! Nuk keni rezorte të tilla në Shqipëri?!

Nga halli u ktheva andej nga erdha, pra nga rruga e humbur e Igumenicës për në Sarandë. Kur hyn për në Sarandë nga Qaf Bota vë re që kanceri i betonizimit po përhapet frikshëm me shpejtësi drejt Kanalit të Çukës. Mendova se këtu nuk ka asnjë garanci që kjo nuk do të shkoje drejt Ksamilit, dhe pastaj Butrintit, për të ndaluar vetëm në Qafë Botë në kufi me Grekun, sepse nuk kemi ç’ti bëjmë ngaqë është tjetër shtet atje, se po ta kishim tonin... “Po ti ku i bën pushimet?” i thashë një mikut tim pronar i një hoteli të njohur në Sarandë, “Në Korfuz” më tha “ marr një vilë atje dhe rri 10-15 ditë me familjen. Është shumë shtrenjtë por ç’të bëj, ka hapësirë, gjelbërim dhe çlodh pak nervat pasi lodhem nga stresi i punës dhe kjo shëmtirë që kemi bërë ne me Sarandën. Po të kisha mundësi edhe hotelin tim do e prishja dhe do ta ribëja edhe njëherë mirë nga e para”.



Emisioni mbi turizmin

U ktheva në Tiranë dhe për koincidencë të nesërmen në një emision popullor në TV po diskutohej për turizmin. Për çudi të ftuar nuk qenë specialistë të turizmit, por një miksim gazetarësh, opinionistësh, pedagogësh, të ngeshmish (të paktën në titra nuk u vendosej ndonjë titull) etj. Nuk e di përse, ndoshta ngaqë turizmi konsiderohet dava qejfi dhe për të mund të flasë kushdo që ka qenë njëherë në plazh, ndoshta ngaqë nuk na pëlqen të na thonë se kush janë problemet reale të turizmit dhe si mund të zgjidhen ato, ndoshta ngaqë nga Ministria e Turizmit ka qenë gjithmonë problem të vijë dikush në debat të përballet me këta specialistë, apo ndoshta edhe se specialist të mirëfilltë turizmi nuk para gjen kollaj. Gjithsesi 2-3 gjëra më bënë përshtypje. E para emisioni u nis me kritika të forta që në fillim mbi Dhërmiun dhe merret me mend se ç’ ngelej për të thënë për Durrësin dhe Sarandën, (madje për këto të fundit duket sikur nuk po do më njeri të flasë) dhe pothuajse askush nuk po gjente diçka pozitive për turizmin tonë, ndërkohë që drejtuesi ndoshta donte të bënte një emision pak më rozë me këtë zgjedhje paneli. Kur u përmend pak turizmi i Durrësit, të cilin një gazetar kosovar aty e quajti “turizëm i domates”, drejtuesi I emisionit me naivitet (ose ironi) tha “Po, por megjithatë Durrësi është plot”. Është dhe ndoshta do të jetë edhe ca kohë “plot” kur mendon që 80 - 90% e tregut kosovar dhe shqiptar që e frekuentojnë atë janë njerëz me të ardhura mesatare mujore 100-200 Euro. Dhe kjo përbën ndoshta një treg gati 3-4 milion shtresë të varfër, që një pjesë e tyre do të donin të kalonin 10 ditë pushime me sa më pak lek (pra për fat të keq “turizmi i domates”) dhe këtij tregu i përshtaten kryesisht zonat e “Golemizuara” për shkak të përputhjes së standardit shumë të ulët si të kërkesës ashtu edhe të ofertës. Dhe e fundit ajo që një opinionist I njohur tha në emision kur u pyet për një projekt për të kthyer një burg (ndoshta të Spaçit) në një qendër të vizitueshme për turistët, ai u përgjigj me hidhërim “Jo, në këtë vend nuk bëhet asgjë”. Më dhembi dorëzimi edhe i atij personi I cili ka një influencë të konsiderueshme në vend, siç më dhembi edhe mos realizimi i një projekti të tillë që do ishte një produkt shumë atraktiv për turistet e huaj. Nga ana tjetër mu kujtua që një politikane, e cila për ironi të fatit përflitet të jetë edhe Ministre e Turizmit, tha që ne duhet t’i zhdukim të gjithë bunkerët nga vendi (një nga elementët kryesorë për të cilin kanë kuriozitet turistët e huaj). Mu kujtua edhe diskutimi për Piramidën I cili nuk do bëhet as muze, as qendër biznesi që të na japë të ardhura por do marrim lek borxh dhe do ta bëjmë Parlament ! Sipas medias dy janë projektet që do marrë qeveria borxh këtë vit: tuneli Elbasan-Tiranë dhe Parlamenti. Më kujtohet një komshiu im që merrte 1000 lekë borxh të atit për kartë celulari dhe shënonte emrin në listë për të blerë bukë!

Tushemishti ose “ju Tiranasit ! ”

Këtë fundjave shkova në Tushemisht. Mallkova veten sepse desha të qetësohesha, por më la pa gjumë. Në qendër të fshatit (të bukur të Teto Ollgës), po ngrihej një pallat (po po PALLAT) 5 katësh sipas projektit, por që kishte telat mbi katin e pestë për t’u ngjitur edhe ndonjë kat më sipër. Madje ngjitur me të ishte edhe një ndërtesë tjetër katrore që reklamohej në projekt si qendër biznesi apo turistike, por kishte edhe ajo formën e pallatit. Nuk më hiqen dot nga mendja ato copëra bisedash me njerëzit e thjeshtë dhe të mrekullueshëm të Tushemishtit: “Ju Tiransit po na shkatërroni edhe fshatin. Po ndërtoni pallate edhe këtu si në Tiranë”, “Nëse dikush vinte në këtë fshat, vinte për ajrin e pastër, për ujin, për arkitekturën uniforme të shtëpive të fshatit, për kalldrëmet e teto Ollgës, për Drilonin. Tani këtu është kthyer në kantier ndërtimi, si në Tiranë, Durrës apo Sarandë. Dhe po u nis një pallat, fshati do të zhduket sepse do ndërtohen blloqe të tëra pallatesh si kudo. Ndërkohë që nuk kemi një trotuar që të lëvizin pushuesit nga fshati në Drilon, ndërkohë që kalldrëmet e brendshme të fshatit janë shkatërruar”, “Po u blihen tokat fshatarëve për të ndërtuar pallate dhe nuk u jepet asnjë kokërr leku, por u premtohet që do t’u jepen vetëm hyrje falas”, ”Pogradeci ka patur që në kohën e Zogut një plan urbanistik që do të zhvillonte qytetin në formë amfiteatri me shtëpi të vogla në kodra që do shikonin të gjitha drejt liqenit, kurse ne e fillojmë duke ndërtuar pallate gjigande në anë të liqenit”, “Njëlloj po bëhet edhe në qytet ku edhe atje pallatet e betonit po na mbysin, e ke parë që kanë ndërtuar edhe brenda ne lulishte?! Pra me shumë se me krahun politik kjo punë ka të bëjë me njerëzit e zgjedhur që “dorëzohen nga halli” përpara parasë së betonit”. Dhe me mungesën e vullnetit politik, - do të shtoja unë, me kaosin total, dhe mungesën e planeve të zhvillimi të turizmit, që shfrytëzohen aq mirë nga “biznesmenët e rinj” të ndërtimeve, ose siç emërtoheshin në Tushemisht me dëshpërim dhe përbuzje: “ju Tiranasit”.

Në mbyllje…

Kur i thashë një mikut tim që do shkruaja një artikull për këto probleme, më tha “kot sa shqetësohesh, t’i mund të shkruash, por asgjë s’do të ndryshojë”. Ndoshta, por të paktën e hoqa edhe këtë siklet nga vetja me shpresën se do të dëgjohet nga veshi i duhur.

Kliton Gërxhani

Ekspert Turizmi

Wednesday, January 12, 2011

Prezantimi në Konferencën e 3të Vjetore të Shoqatës Shqiptare të Turizmit- ATA

Kliton Gërxhani

Prezantimi në Konferencën e 3të Vjetore të ATA-s në 12.01.2011

Çfarë kemi mësuar nga 2010, cilat janë sfidat që e presin Sektorin e
Turizmit?

Të nderuar të ftuar,
Të nderuar kolege,

Kam kënaqësinë të prezantoj sot para jush, rezultatet e një viti pune dhe përpjekje të Shoqatës Shqiptare të Turizmit, si dhe të ndaj me ju vizionin tonë për vitin në vazhdim.

Çfarë kemi arritur gjatë vitit 2010?

Vitit që shkoi konfirmoi faktin që ATA nuk është thjesht një shoqatë, por një shans për turizmin shqiptar. Kurrë më parë, turizmi shqiptar nuk ka pasur një shoqatë të përmasave të tilla, me mbi 200 anëtarë nga të cilët rreth 80 janë pagues, me një rritje konstante nga viti në vit me rreth 30% dhe me shtrirje mbarëkombëtare.

• Në 2010 kemi premtuar që do të hapim tre degë të tjera rajonale të ATA-s dhe sot kemi kënaqësinë të shohim shtrirjen e ATA-s në të gjithë territorin e vendit, ku veç degës ekzistuese të Shkodrës, u krijuan degët e Vlore/Fierit, Sarande/Gjirokastrës dhe Korçe/Pogradecit.

• Janë në proces projekte të tilla të rëndësishme si Marka e Cilësisë në bashkëpunim me USAID-in, dhe Statistikat e turizmit në bashkëpunim me SNV

• Për herë të parë në 2010 u përcoll tek anëtarët e ATA-s pyetësori mbi klimën e biznesit, të cilin synojmë që ta kthejmë në një traditë periodike. Taksat e larta, informaliteti, dhe përmirësimi i infrastrukturës, ishin shqetësimet kryesore te bizneseve për vitin 2010.
Ky do jetë një indikator shumë i rëndësishëm i nxjerr nga vetë bizneset, i cili do ndihmojë shumë në pasqyrimin sa më afër realitetit, të klimës së biznesit të turizmit.

• Çmimi i Turizmit do të ndahet këtë vit për herë të parë në bazë të kritereve të paracaktuara qartë dhe bizneset janë zgjedhur nga një komision ekspertësh përfaqësues të fushave të ndryshme. Në këtë mënyrë ATA dhe Ministria e Turizmit synon që nëpërmjet këtij çmimi të krijojë një status dhe vlerësim profesional për bizneset fituese.

• Për here te pare ATA arriti te organizoj e vetme pjesëmarrjen ne një panair turizmi, atë te Philoxenia ne Greqi, duke u dhëne kështu me shume mundësi anëtareve te vete qe te zgjedhin veç panaireve te organizuara nga AKT.


Por kush janë sfidat kryesore që e presin Shoqatës Shqiptare të Turizmit në 2011?

Nëse në këto tre vite, puna e ATA-s ishte fokusuar kryesisht në ngritjen e strukturave të saj, viti në vazhdim duhet të jetë, vit i fokusimit në disa probleme specifike, por jetike për bizneset e turizmit shqiptar:

• Se pari viti 2011 duhet të jetë viti i luftës për formalizmin e tregut dhe uljen e barrës fiskale në turizëm. Brenda këtij viti duhet të miratohet Ligji i Turizmit i cili është jetik për ecurinë pozitive të turizmit shqiptar. ATA ka luajtur një rol të rëndësishëm në të gjithë takimet që ka pasur me Ministrinë e Turizmit, por edhe me aktorët e tjerë, për përmirësimin e këtij Ligji, i cili duhet të jetë një ligj që t’i rezistojë kohës, por të jetë edhe në përputhje me standardet Evropiane. Gjithsesi kërkesa për një ligj sa më cilësor nuk duhet të bëhet alibi për zvarritjen pafundësisht të përmirësimit të këtij ligji, sepse kjo situatë kaotike e dëmton rëndë biznesin e turizmit.

• Ulja e TVSH në turizëm nga 20% në të paktën 10% siç e kemi kërkuar prej kohësh duhet të jetë një nga angazhimet kryesore të ATA-s gjatë 2011. Ky tatim prek të gjithë sektorët e kësaj industrie, që nga turoperatorët, agjencitë turistike, transportin turistik e deri tek akomodimi, restorantet dhe shërbimet e tjera të turizmit.
Ky tatim është mbi dyfish në krahasim me fqinjët dhe shumicën e vendeve të Evropës të cilët e kanë në nivelin nga 4 deri në 10% që do të thotë që konsumatori final, pra turisti, tatohet dyfish më shumë në Shqipëri.
Nga ana tjetër duke pasur parasysh masën e madhe të tregut informal në vend, bizneset e rregullta turistike nuk arrijnë ta mbledhin dot të gjithë TVSH, duke e kthyer kështu në një barrë të rëndë fiskale për ta, apo duke i detyruar të kryejnë aktivitet në informalitet për të mbijetuar.

• Këtë vit kemi zgjedhjet lokale, dhe ATA duhet ta shfrytëzojë në maksimum këtë ngjarje për të kërkuar nga kandidatët apo partitë politike uljen e taksës së qytetit apo të turistit që në shumicën e rasteve është në nivelin maksimal të 5%.
Partitë politike duhet të marrin mesazhin që komuniteti i biznesit të turizmit është i bashkuar, dhe ky komunitet do të mbështesë atë parti apo kandidat, që do paraqesë projekte të qarta në favorin tonë.
Taksa e qytetit, si kudo në vendet fqinjë, duhet të ulet, të kaloj në një vlerë fikse, ndoshta e shkallëzuar sipas kategorisë së hoteleve, dhe mbi të gjitha të ndahet ndërmjet pushtetit lokal që duhet të promovojë qytetin, dhe Agjensisë Kombëtare të Turizmit që duhet të promovojë vendin.
Kjo taksë u merret turistëve, dhe është e destinuar të shkojë në mënyrë të qartë dhe transparente për promocion turistik. Po të mblidhet në mënyre të drejtë dhe me skemën e duhur kjo taksë, edhe duke u përgjysmuar, krijon mjaft të ardhura, si për pushtetin lokal ashtu edhe për Ministrinë e Turizmit. Nga ulja e kësaj takse nuk përfiton vetëm hoteleria, por edhe sektori i turoperatorëve që është i lidhur direkt me të.
Kjo është tashmë një sakrificë që bizneset e hotelerisë kanë kohë që po e paguajnë dhe ne nuk do të pranojmë asnjë taksë tjetër veç kësaj për turizmin.

• Përcaktimi i tarifave për të Drejtën e Autorit në përdorimin e muzikës është një tjetër detyrë e cilat duhet të zgjidhet patjetër këtë vit. Gjej rastin këtu për t’i kërkuar Z. Ministër që të ndërhyjë edhe nëpërmjet Zyrës Shqiptare të të Drejtës së Autorit e cila është nën varësinë e kësaj Ministrie, që të caktohen tarifa të logjikshme, në përputhje me situatën ekonomike në vend dhe sipas skemave të përcaktuara qartë, në mënyrë që gjithsecili të paguajë dhe të marrë atë që i takon.

• Liberalizimi i vizave për shqiptarët është një tjetër faktor i rëndësishëm që do të ketë ndikimin e vetë në turizmin shqiptar, të paktën në 2-3 vitet e ardhshme.
Ky proces do ketë një ndikim pozitiv tek turoperatorët me profil outgoing, por do ketë sigurisht një impakt negativ tek bizneset turistike të tjera me profil incoming apo turizmin vendas, si hotelet, restorantet apo turoperatorët.
Kjo bën të domosdoshëm një vlerësim të situatës dhe përcaktimin e një plani masash për përballjen me konkurrencën, nga e cila tani jemi edhe më të pambrojtur.
Ulja e taksave do te sjelli me shume te ardhura per bizneset, trajnimet dhe seminaret do te ndihmojne ne rritjen e kualifikimit te stafit pra dhe te cilesis se produktit, dhe marketingu i Shqiperise brenda dhe jashte vendit do te sjell kompensimin e tregut shqiptar me ate te huaj.
Gjithsesi duhet thënë që veç rrezikut për rënie të biznesit të sektorëve që përmenda më sipër gjatë këtyre 2-3 viteve, konkurrenca e hapur do sjellë edhe rritjen e detyrueshme të cilësisë së shërbimit të bizneseve.

• Marrëdhënia efektive dhe në bazë të një programi, mes ATA-s dhe Ministrisë së Turizmit ngelet një nga faktorët kryesorë të zhvillimit të turizmit në vend. Përveç Marrëveshjes së Bashkëpunimit të nënshkruar me Ministrinë, brenda tremujorit të parë të këtij viti duhet të hartohet një Marrëveshje apo plan bashkëpunimi me Agjensinë Kombëtare të Turizmit, si dhe të ngrihet një Bord Vendimmarrës i përbashkët për të lehtësuar planifikimin dhe marrjen e vendimeve mbi zhvillimin e produktit turistik dhe marketingun e tyre apo të vendit në përgjithësi.


Në përfundim dua të them që ne, jo pa qëllim përzgjodhëm këtë temë për Konferencën tonë të tretë. Viti që shkoi ishte specifik, dhe pozitiv, mbi të gjitha për faktin se turizmi, u kthye si asnjëherë tjetër, tema kryesore e diskutimit të qeverisë dhe e medias. Si kurrë më parë u përcoll mesazhi që turizmi është sektor prioritar i ekonomisë tonë, gjë që na jep kënaqësinë të konstatojmë, se edhe falë punës së ATA-s, vetëdija ndaj turizmit sa vjen e po rritet.

Kryeministri premtoi që buxheti i vitit 2011 do shkojë drejt turizmit, dhe ne duam që këto zhvillime pozitive, të kristalizohen në themelet e një turizmi afatgjatë dhe të qëndrueshëm.

Vizita e Sekretarit të Përgjithshëm të OBT, zotit Taleb Rifai, ishte një nder, por edhe mesazh i qartë, që zhvillimi i një turizmi të qëndrueshëm dhe pa gabime nuk është vetëm përgjegjësi e jona, por monitorohet edhe nga Organizata të tilla.
Renditja e Shqipërisë nga Lonely Planet në vendin e parë, si destinacioni turistik që duhet të vizitohet për 2011, por edhe konfirmimi nga CNN që e renditi Shqipërinë në vendin e 6 nga 10 vende, janë një reklamë e jashtëzakonshme për të cilën ne kemi aq shumë nevojë nëse duam që të lancohemi në Mesdheun aq konkurrues. Por nga ana tjetër tregon edhe pritshmërinë e madhe që do kenë turistët e huaj në këtë vit për të cilën duhet të marrim masa të përgatitemi që tani, ndryshe zhgënjimi do na kthehet në një efekt negativ, të cilin nuk do të kemi luksin t’a përballojmë.

Të dashur miq të ATA-s.
Megjithëse tashmë ATA është një shoqatë që i ka hedhur themelet e veta, ajo ka nevojë për kontributin e të gjithë palëve të interesuara në zhvillimin e turizmit shqiptar, por mbi të gjitha ka nevojë për një vizion të qartë, angazhim real dhe energji pozitive.

Në aspektin personal kam patur kënaqësi të jap kontributin tim për këtë shoqatë gjate këtyre tre viteve, dhe do i uroja te zgjedhurve te rinj, suksese ne misionin e tyre për forcimin e ATA-s.

Ju Faleminderit

Kliton Gërxhani

Video nga Prezantimi ne Konference