Ministria e
Turizmit është në proces të promovimit të draft- strategjisë së turizmit
2018-2022. Kjo është strategjia e katërt deri tani e turizmit, ndërkohë që tre
strategjitë e tjera janë:
Strategjia e
turizmit 1993-2010, Strategjia e turizmit 2002-2012, dhe Strategjia e turizmit
2007-2013.
Sikur mos të
marrësh vesh fare nga zhvillimi i turizmit, por të marrësh vesh vetëm nga
arithmetika (dhe pak nga kaosi) duke parë afatet kohore të këtyre strategjive,
kupton që letra të tilla, për fat të keq, prodhohen jo për qëllimin që ato
kanë, pra që të përcaktojnë vizionin e sektorit të turizmit, por për të thënë
që “edhe ne e kemi një strategji”. Sepse
e para merrte përsipër të caktonte shinat për 17 vitet e ardhshme, deri në
vitin 2010 (edhe pse s’mund ti vësh shumë faj fillesave tona në turizëm).
Por 8 vite para afatit të asaj
strategjie, në 2002 ne bëjmë një strategji të dytë, për 10 vitet e ardhshme,
deri në 2012. Përsëri pa e lënë të skadojë (në letër) 5 vite më herët, në 2007
ne bëjmë këtë radhë një strategji më afatshkurtër, vetëm për 5 vite deri në
2013. Dhe kundër “traditës së djegies së strategjive” për strategjinë e katërt
bëjmë të kundërtën, e lëmë turizmin të zhvillohet pa një strategji (në letër
natyrisht) për 5 vite rresht nga 2013 në 2018! Dhe meqë pritëm kaq gjatë pa një
strategji, vendosëm që këtë të fundit ta bëjmë edhe më të shkurtër, vetëm 4
vite deri në 2022.
I gjithë ky lexim
“kohor” i strategjive tona të turizmit do mjaftonte të kuptohej se bërja e
këtyre strategjive ka nevojë për një “strategji” më vete. Sepse ato
bëhen pa një vizion afatgjatë, pa një vazhdimësi nga njëra tek tjetra, duke
menduar që gjithsesi nuk do zbatohen ndonjëherë, pa pyetur aktorët kryesor të
sektorit të turizmit, duke bërë shpesh arna të njëra-tjetrës, e duke ‘mësuar
dorën” e lënë këtë përgjegjësi kujtdo që e merr përsipër. Në fund të ditës,
sektori është pas 25 viteve në kaos, pa standarte, hotelet pa klasifikimet me
yje, agjencitë turistike e turoperatorët të pa licencuar, guidat pa një kurikul
të miratuar ku mund të kualifikohen dhe testohen në mënyrë periodike,
transporti turistik akoma më keq sepse askush nuk është marrë me të, edhe pse
është pjesa me riskun më të lartë në paketën turistike, e pa folur për
restorantet turistike të pakontrrolluar e kadegorizuar, atraksionet kulturore
që rrisin cmimet në momentin e fundit edhe pse paketat janë shitur shumë muaj
më parë etj, etj.
E gjithë kjo vjen
sepse ne nuk e kemi filluar nga “A”-ja
akoma:
që të ulemi të
gjithë bashkë e të vendosim se cili do të jetë vizioni i turizmit tonë në këto
5-10 vitet e ardhshme, që të mos ikim me vrap nga Shqipëria në korrik-gusht
sepse nuk ka vend as për ne në këtë shtëpinë tonë të vogël (që thotë se pret 5
milion turistë), dhe kur të kthehemi “ të na haj vendi”, këtë radhë sepse nuk na viziton as edhe një
mik i huaj për 3-4 muaj rrjesht në dimër. Por kjo gjë bëhet kur në fillim
caktohet se kush do e zbatoj strategjinë, cilat do të jenë afatet kohore për
zbatimin e saj dhe penalitetet për mosrespektimin e tyre, dhe sa do të jetë
buxheti që do ti bashkangjitet kësaj strategjie. Pastaj flitet me aktorët
kryesorë për të caktuar vizionin.
Nëse nuk bëhet
kështu, të paktën na kurseni letrat e printimit që të mos ndotim ambientin.
Kliton Gërxhani
Konsulent Turizmi
Kryetar i ATOA-s.
No comments:
Post a Comment