My Motivation Quote


"It is no use saying, 'We are doing our best.' You have got to succeed in doing what is necessary." ~ Sir Winston Churchill


Sunday, July 10, 2011

“Refleksione mbi turizmin e Korfuzit dhe tonin…”- Gazeta Shqip, 10/07/2011

Pushimet sivjet vendosa t’i kaloja në Korfuz. Nuk kisha qenë ndonjëherë në këtë ishull dhe kisha dëgjuar fjalë të mira për të, kështu që një rrugë e dy punë: familja pushonte, kurse unë pushoja duke mbajtur të hapur dritaren e profesionit në kokë. Ngaqë do të shkoja me makinën time në fillim pyeta se nga ishte më mirë të shkoja. “Mos shko me tragetin e Sarandës se është i vogël, dhe të vonojnë në portin e Korfuzit me kontrollet e tepërta për shqiptarët”-më thanë. Kështu që alternativa ishte të shkoja në Igumenicë dhe të merrja tragetin atje. “Më kanë thënë se është autostradë nga Saranda në Qafë-Botë” i thashë një miku tim në Sarandë. “Po ç’ autostradë,”-më tha- “rrugë e ngushtë me dy kalime, pastaj fillon rruga e vjetër e dëmtuar dhe pastaj ke rreth 1 km rruge të pashtruar fare.” “Po andej nga Greku, deri në Igumenicë?”- e pyeta. “Edhe andej njësoj, mos prit ndonjë gjë të madhe. Rrugë e ngushtë, fshatrave të Greqisë dhe qyteza e parë që shikon është Igumenica”. Dhe ishte 100% i saktë me këtë që më tha. Fshatra të humbur, të harruar si këtej si andej, dhe rrugë të ngushta të amortizuara pa asnjë sinjalistikë rrugore. “Nga kalohet për në Igumenicë? Si nuk ka një tabelë orientuese edhe këtej në Greqi?!” i thashë një sarandioti që pashë në rrugë duke ardhur me makinën e vet nga Igumenica. “ Ja tani do t’i vënë, si të duash ti”-më tha duke qeshur, “ Po ç’ pret nga këta ore, si puna jonë janë edhe këta, ç’e dite ti”-tha dhe u largua.

Duke ecur dhe duke pyetur e gjeta edhe unë Igumenicën. Atje për fat të mirë nuk kishe pse të nguteshe sepse tragetet për në Korfuz niseshin çdo një orë dhe merrnin me qindra makina e njerëz. Udhëtimi qe komod, trageti i pajisur me të gjitha gjërat e nevojshme madje edhe me TV ku grekët ishin grumbulluar gjithë vëmendje dhe dëgjonin lajmet. Aty u kujtova që ky shtet kishte mbi dy vjet që ishte bërë problemi ekonomik i Europës; që Athina dhe Selaniku digjeshin nga demonstratat edhe të dhunshme; që disa politikanë europianë po i kërkonin Greqisë që të shiste edhe deri tek ishujt dhe pasurinë kulturore kombëtare nëse nuk do jetë në gjendje të paguajë borxhet. Ndërkohë tragetet vazhdonin të çonin turistë, makina e autobusë çdo një orë drejt Korfuzit. Mu kujtua 21 Janari ku për një ditë trazira, shumë biznese shqiptare të turizmit u dëmtuan rëndë prej anulimeve të grupeve turistike të planifikuar muaj më parë. Nuk dija se si të shpjegoja këtë ndryshim në reagimin e turistëve kundrejt turizmit të Greqisë dhe tonit, përveçse me simbolikën e trageteve gjigande që niseshin nga qyteza e Igumenicës plot dhe tragetit të vogël të Sarandës që nisej vetëm një herë në ditë, merrte vetëm 4 makina dhe tundej nga çdo dallgë...

Mbërrita në Korfuz. Përveç qytezës së Korfuzit, pjesa tjetër ishte me fshatra të vegjël njëri pas tjetrit, që lidheshin nga një “rrugë kryesore” që ishte e ngushtë dhe amortizuar. U zhgënjeva, sepse prisja rrugë më të mira, por ndërkohë mendova që kur ne nuk kishim as rrugë as karroca, këta ndërtuan rrugët e tyre këtu, dhe sot e kësaj dite po i vjelin të ardhurat këtyre rrugëve me turizëm. Ne akoma nuk kemi mbyllur një autostradë të vetme që të lidhë nga fillimi deri në fund një pikë kufitare me Tiranën. Le që ç’ them edhe unë, sot është tmerr të çosh turistë në Berat me atë gjendje që është katandisur rruga, kur Berati është realisht atraksioni i dytë më i rëndësishëm në vend mbas Butrintit.

Mbërrita në rezort. Hapësirë e pafund e gjelbëruar, e mbushur me palma, me mbi 500 dhoma, dhe më e rëndësishmja dhe e çuditshmja për realitetin shqiptar, 500 dhoma të ndërtuara në godina dy katëshe (po po vetëm dykatëshe!) uniforme në arkitekturë e dizajn, të shtrira vertikalisht (jo horizontalisht si tek ne) drejt detit. (Mundohuni t’i bëni bashkë 500 dhoma për t’i menaxhuar në Golem, Sarandë apo kudo në Shqipëri dhe do më kuptoni çka jam duke thënë).

Në dhomë çdo gjë ishte gati nga menaxhimi i rezortit grek, edhe krevati i vogël i fëmijës. Na falënderuan 100 herë që zgjodhëm rezortin e tyre dhe që i bëmë 2-3 sugjerime të cilat na i mirëpritën dhe na dhanë madje edhe një shishe verë si dhuratë të nesërmen, duke treguar vëmendje për ne megjithëse rezorti kishte mbi 1000 e ca pushues në atë kohë (“Me të vërtet ishin të sjellshëm grekët me ju edhe pasi morën vesh qe jeni shqiptarë?!”- më pyesnin miqtë e mi këtu). Ndërkohë që kur u ktheva në Sarandë dhe ndalova te një hotel pronari i të cilit më kishte ftuar vetë të shikoja hotelin e tij, kur i thashë për krevat fëmijësh më tha:“Vëlla, fli në krevat dopjo me fëmijën e vogël siç kemi bërë ne të gjithë më parë. Ne e kemi hotelin për çifte jo për kalamaq, nuk do ziejmë edhe fasule tani në hotel”.

Në rezort çdo turoperator shiste ndërmjet të tjerave edhe vizita në Butrint. Kur fola me një nga punonjëset e një kompanie për turin e Butrintit më tha që 35 Euro bën transporti deri në Sarandë, pastaj 10 Euro është taksa e hyrjes. “Taksa e hyrjes?!” – “Ne nuk kemi më taksë hyrje, e kemi hequr prej kohësh”- i thashë. “Është taksë hyrje, ose vize, ose diçka tjetër. Nuk e di saktësisht, por di që e merr turoperatori grek që i ofron shërbimet në Sarandë dhe është lidhur me një agjensi lokale aty”. Kur nuk ka kontroll, është e lehtë që duke ia lënë fajin shtetit shqiptar të bësh lek për vete, sepse ato 10 Euro mund të jenë fitim mbi fitimin e paketës.

Kur filloi të më marrë malli për mëmëdheun dhe doja të mësoja diçka, kërkoja i dëshpëruar kush nga mediat kryesore në Shqipëri shpërndante twitter-a të paktën, që është shumë praktik në këto raste, në krahasim me kanalet e tjera të rrjeteve sociale. Por edhe mediat kryesore që na lodhin kokën nga mëngjesi në darkë në Shqipëri me politikë, mezi nisnin 2 twittera në javë, edhe ato mbi pinguinët e Zelandës së Re apo porshin që e qëlloi me plumba një i pasur për inat të së dashurës. Lajmet e vetme që mora në smartfonin tim ishin nga twitterat e mediave ballkanike që edhe pse ndodheshin me qendër në Bullgari apo Serbi, më njoftonin saktë ç’të reja kishte mbi Shqipërinë. Mbrapa si kudo në krahasim me botën, edhe në rrjetet sociale të cilat janë bërë të domosdoshme sot për informim dhe promovim. Edhe pse sipas një studimi mediat tona I kanë blerë njerëzit më me influencë në politikën shqiptare, ose ndoshta pikërisht, sepse mediat tona I kanë blerë njerëzit më me influencë në politikën shqiptare.

Pushimet mbaruan, erdhi koha të kthehesha. Ma kishte qejfi ta kurseja atë rrugën e lodhur Igumenicë –Sarandë dhe zgjidhja më e mirë ishte natyrisht trageti që të merrte në Korfuz dhe të zbriste në Sarandë. “Mos merr tragetin e Sarandës që nga Korfuzi”më thanë edhe ne kthim, “sepse ka dallgë dhe ndjehen shumë lëkundjet se është i vogël”. Po mirë aeroportin që nuk e ndërtojmë dot akoma në jug sepse na i ka futur gjermani i TIA-s të dyja këmbët në një këpucë, por një traget për të qenë që merr dhe makina a autobusë pse nuk e vendosim? Janë me qindra mijëra pasagjerë dhe makina që kalojnë nëpërmjet Igumenicës dhe një pjesë e tyre vijnë edhe në Shqipëri. Sa të ardhura shtesë do kishim marrë prej tyre? Në qoftë se nuk u krijojmë kushte lehtësuese turistëve për të ardhur, si mund të pretendojmë për sasi dhe cilësi turistësh? Në Korfuz çdo një orë fluturonte një charter i cili mund të mbajë mbi 100 turistë, pa llogaritur tragetet, dhe prapë thonë që kanë rreth 1 milionë turistë në vit. Nëse tek ne akoma nuk ka shkelur charteri i parë (ufoja I parë) pra është akoma një diçka e panjohur (si puna e twitterit), dhe trageti që kemi me Korfuzin merr ndonjëherë me kohë të mirë 4 makina, me çfarë na vijnë ne mbi 3 milionë turistë sipas qeverisë?! Në këmbë, me gomerë, apo me not, sepse po të vijnë të gjithë në rrugë tokësore me makina, na duhet të akomodojmë mbi 1 milionë makina në 2 muaj verë me këtë llogjikë (kur vijnë edhe gati 80% e vizitorëve) pra edhe me tre kate t’i kishim rrugët nuk do kalonte dot njeri.

E ndërsa ne me gjithë këto kusure, ne këtë vend ku falimentojnë furrat e bukës dhe lulëzojnë kazinotë, nuk na rri dhe goja dhe mburremi me këtë turizëm, më kujtohet miku gjerman Dieter që njoha në rezort që me çudi më thoshte: “ Po ju kur jeni fqinj me Greqinë dhe keni edhe det, pse vini këtu për pushime?! Nuk keni rezorte të tilla në Shqipëri?!

Nga halli u ktheva andej nga erdha, pra nga rruga e humbur e Igumenicës për në Sarandë. Kur hyn për në Sarandë nga Qaf Bota vë re që kanceri i betonizimit po përhapet frikshëm me shpejtësi drejt Kanalit të Çukës. Mendova se këtu nuk ka asnjë garanci që kjo nuk do të shkoje drejt Ksamilit, dhe pastaj Butrintit, për të ndaluar vetëm në Qafë Botë në kufi me Grekun, sepse nuk kemi ç’ti bëjmë ngaqë është tjetër shtet atje, se po ta kishim tonin... “Po ti ku i bën pushimet?” i thashë një mikut tim pronar i një hoteli të njohur në Sarandë, “Në Korfuz” më tha “ marr një vilë atje dhe rri 10-15 ditë me familjen. Është shumë shtrenjtë por ç’të bëj, ka hapësirë, gjelbërim dhe çlodh pak nervat pasi lodhem nga stresi i punës dhe kjo shëmtirë që kemi bërë ne me Sarandën. Po të kisha mundësi edhe hotelin tim do e prishja dhe do ta ribëja edhe njëherë mirë nga e para”.



Emisioni mbi turizmin

U ktheva në Tiranë dhe për koincidencë të nesërmen në një emision popullor në TV po diskutohej për turizmin. Për çudi të ftuar nuk qenë specialistë të turizmit, por një miksim gazetarësh, opinionistësh, pedagogësh, të ngeshmish (të paktën në titra nuk u vendosej ndonjë titull) etj. Nuk e di përse, ndoshta ngaqë turizmi konsiderohet dava qejfi dhe për të mund të flasë kushdo që ka qenë njëherë në plazh, ndoshta ngaqë nuk na pëlqen të na thonë se kush janë problemet reale të turizmit dhe si mund të zgjidhen ato, ndoshta ngaqë nga Ministria e Turizmit ka qenë gjithmonë problem të vijë dikush në debat të përballet me këta specialistë, apo ndoshta edhe se specialist të mirëfilltë turizmi nuk para gjen kollaj. Gjithsesi 2-3 gjëra më bënë përshtypje. E para emisioni u nis me kritika të forta që në fillim mbi Dhërmiun dhe merret me mend se ç’ ngelej për të thënë për Durrësin dhe Sarandën, (madje për këto të fundit duket sikur nuk po do më njeri të flasë) dhe pothuajse askush nuk po gjente diçka pozitive për turizmin tonë, ndërkohë që drejtuesi ndoshta donte të bënte një emision pak më rozë me këtë zgjedhje paneli. Kur u përmend pak turizmi i Durrësit, të cilin një gazetar kosovar aty e quajti “turizëm i domates”, drejtuesi I emisionit me naivitet (ose ironi) tha “Po, por megjithatë Durrësi është plot”. Është dhe ndoshta do të jetë edhe ca kohë “plot” kur mendon që 80 - 90% e tregut kosovar dhe shqiptar që e frekuentojnë atë janë njerëz me të ardhura mesatare mujore 100-200 Euro. Dhe kjo përbën ndoshta një treg gati 3-4 milion shtresë të varfër, që një pjesë e tyre do të donin të kalonin 10 ditë pushime me sa më pak lek (pra për fat të keq “turizmi i domates”) dhe këtij tregu i përshtaten kryesisht zonat e “Golemizuara” për shkak të përputhjes së standardit shumë të ulët si të kërkesës ashtu edhe të ofertës. Dhe e fundit ajo që një opinionist I njohur tha në emision kur u pyet për një projekt për të kthyer një burg (ndoshta të Spaçit) në një qendër të vizitueshme për turistët, ai u përgjigj me hidhërim “Jo, në këtë vend nuk bëhet asgjë”. Më dhembi dorëzimi edhe i atij personi I cili ka një influencë të konsiderueshme në vend, siç më dhembi edhe mos realizimi i një projekti të tillë që do ishte një produkt shumë atraktiv për turistet e huaj. Nga ana tjetër mu kujtua që një politikane, e cila për ironi të fatit përflitet të jetë edhe Ministre e Turizmit, tha që ne duhet t’i zhdukim të gjithë bunkerët nga vendi (një nga elementët kryesorë për të cilin kanë kuriozitet turistët e huaj). Mu kujtua edhe diskutimi për Piramidën I cili nuk do bëhet as muze, as qendër biznesi që të na japë të ardhura por do marrim lek borxh dhe do ta bëjmë Parlament ! Sipas medias dy janë projektet që do marrë qeveria borxh këtë vit: tuneli Elbasan-Tiranë dhe Parlamenti. Më kujtohet një komshiu im që merrte 1000 lekë borxh të atit për kartë celulari dhe shënonte emrin në listë për të blerë bukë!

Tushemishti ose “ju Tiranasit ! ”

Këtë fundjave shkova në Tushemisht. Mallkova veten sepse desha të qetësohesha, por më la pa gjumë. Në qendër të fshatit (të bukur të Teto Ollgës), po ngrihej një pallat (po po PALLAT) 5 katësh sipas projektit, por që kishte telat mbi katin e pestë për t’u ngjitur edhe ndonjë kat më sipër. Madje ngjitur me të ishte edhe një ndërtesë tjetër katrore që reklamohej në projekt si qendër biznesi apo turistike, por kishte edhe ajo formën e pallatit. Nuk më hiqen dot nga mendja ato copëra bisedash me njerëzit e thjeshtë dhe të mrekullueshëm të Tushemishtit: “Ju Tiransit po na shkatërroni edhe fshatin. Po ndërtoni pallate edhe këtu si në Tiranë”, “Nëse dikush vinte në këtë fshat, vinte për ajrin e pastër, për ujin, për arkitekturën uniforme të shtëpive të fshatit, për kalldrëmet e teto Ollgës, për Drilonin. Tani këtu është kthyer në kantier ndërtimi, si në Tiranë, Durrës apo Sarandë. Dhe po u nis një pallat, fshati do të zhduket sepse do ndërtohen blloqe të tëra pallatesh si kudo. Ndërkohë që nuk kemi një trotuar që të lëvizin pushuesit nga fshati në Drilon, ndërkohë që kalldrëmet e brendshme të fshatit janë shkatërruar”, “Po u blihen tokat fshatarëve për të ndërtuar pallate dhe nuk u jepet asnjë kokërr leku, por u premtohet që do t’u jepen vetëm hyrje falas”, ”Pogradeci ka patur që në kohën e Zogut një plan urbanistik që do të zhvillonte qytetin në formë amfiteatri me shtëpi të vogla në kodra që do shikonin të gjitha drejt liqenit, kurse ne e fillojmë duke ndërtuar pallate gjigande në anë të liqenit”, “Njëlloj po bëhet edhe në qytet ku edhe atje pallatet e betonit po na mbysin, e ke parë që kanë ndërtuar edhe brenda ne lulishte?! Pra me shumë se me krahun politik kjo punë ka të bëjë me njerëzit e zgjedhur që “dorëzohen nga halli” përpara parasë së betonit”. Dhe me mungesën e vullnetit politik, - do të shtoja unë, me kaosin total, dhe mungesën e planeve të zhvillimi të turizmit, që shfrytëzohen aq mirë nga “biznesmenët e rinj” të ndërtimeve, ose siç emërtoheshin në Tushemisht me dëshpërim dhe përbuzje: “ju Tiranasit”.

Në mbyllje…

Kur i thashë një mikut tim që do shkruaja një artikull për këto probleme, më tha “kot sa shqetësohesh, t’i mund të shkruash, por asgjë s’do të ndryshojë”. Ndoshta, por të paktën e hoqa edhe këtë siklet nga vetja me shpresën se do të dëgjohet nga veshi i duhur.

Kliton Gërxhani

Ekspert Turizmi

Wednesday, January 12, 2011

Prezantimi në Konferencën e 3të Vjetore të Shoqatës Shqiptare të Turizmit- ATA

Kliton Gërxhani

Prezantimi në Konferencën e 3të Vjetore të ATA-s në 12.01.2011

Çfarë kemi mësuar nga 2010, cilat janë sfidat që e presin Sektorin e
Turizmit?

Të nderuar të ftuar,
Të nderuar kolege,

Kam kënaqësinë të prezantoj sot para jush, rezultatet e një viti pune dhe përpjekje të Shoqatës Shqiptare të Turizmit, si dhe të ndaj me ju vizionin tonë për vitin në vazhdim.

Çfarë kemi arritur gjatë vitit 2010?

Vitit që shkoi konfirmoi faktin që ATA nuk është thjesht një shoqatë, por një shans për turizmin shqiptar. Kurrë më parë, turizmi shqiptar nuk ka pasur një shoqatë të përmasave të tilla, me mbi 200 anëtarë nga të cilët rreth 80 janë pagues, me një rritje konstante nga viti në vit me rreth 30% dhe me shtrirje mbarëkombëtare.

• Në 2010 kemi premtuar që do të hapim tre degë të tjera rajonale të ATA-s dhe sot kemi kënaqësinë të shohim shtrirjen e ATA-s në të gjithë territorin e vendit, ku veç degës ekzistuese të Shkodrës, u krijuan degët e Vlore/Fierit, Sarande/Gjirokastrës dhe Korçe/Pogradecit.

• Janë në proces projekte të tilla të rëndësishme si Marka e Cilësisë në bashkëpunim me USAID-in, dhe Statistikat e turizmit në bashkëpunim me SNV

• Për herë të parë në 2010 u përcoll tek anëtarët e ATA-s pyetësori mbi klimën e biznesit, të cilin synojmë që ta kthejmë në një traditë periodike. Taksat e larta, informaliteti, dhe përmirësimi i infrastrukturës, ishin shqetësimet kryesore te bizneseve për vitin 2010.
Ky do jetë një indikator shumë i rëndësishëm i nxjerr nga vetë bizneset, i cili do ndihmojë shumë në pasqyrimin sa më afër realitetit, të klimës së biznesit të turizmit.

• Çmimi i Turizmit do të ndahet këtë vit për herë të parë në bazë të kritereve të paracaktuara qartë dhe bizneset janë zgjedhur nga një komision ekspertësh përfaqësues të fushave të ndryshme. Në këtë mënyrë ATA dhe Ministria e Turizmit synon që nëpërmjet këtij çmimi të krijojë një status dhe vlerësim profesional për bizneset fituese.

• Për here te pare ATA arriti te organizoj e vetme pjesëmarrjen ne një panair turizmi, atë te Philoxenia ne Greqi, duke u dhëne kështu me shume mundësi anëtareve te vete qe te zgjedhin veç panaireve te organizuara nga AKT.


Por kush janë sfidat kryesore që e presin Shoqatës Shqiptare të Turizmit në 2011?

Nëse në këto tre vite, puna e ATA-s ishte fokusuar kryesisht në ngritjen e strukturave të saj, viti në vazhdim duhet të jetë, vit i fokusimit në disa probleme specifike, por jetike për bizneset e turizmit shqiptar:

• Se pari viti 2011 duhet të jetë viti i luftës për formalizmin e tregut dhe uljen e barrës fiskale në turizëm. Brenda këtij viti duhet të miratohet Ligji i Turizmit i cili është jetik për ecurinë pozitive të turizmit shqiptar. ATA ka luajtur një rol të rëndësishëm në të gjithë takimet që ka pasur me Ministrinë e Turizmit, por edhe me aktorët e tjerë, për përmirësimin e këtij Ligji, i cili duhet të jetë një ligj që t’i rezistojë kohës, por të jetë edhe në përputhje me standardet Evropiane. Gjithsesi kërkesa për një ligj sa më cilësor nuk duhet të bëhet alibi për zvarritjen pafundësisht të përmirësimit të këtij ligji, sepse kjo situatë kaotike e dëmton rëndë biznesin e turizmit.

• Ulja e TVSH në turizëm nga 20% në të paktën 10% siç e kemi kërkuar prej kohësh duhet të jetë një nga angazhimet kryesore të ATA-s gjatë 2011. Ky tatim prek të gjithë sektorët e kësaj industrie, që nga turoperatorët, agjencitë turistike, transportin turistik e deri tek akomodimi, restorantet dhe shërbimet e tjera të turizmit.
Ky tatim është mbi dyfish në krahasim me fqinjët dhe shumicën e vendeve të Evropës të cilët e kanë në nivelin nga 4 deri në 10% që do të thotë që konsumatori final, pra turisti, tatohet dyfish më shumë në Shqipëri.
Nga ana tjetër duke pasur parasysh masën e madhe të tregut informal në vend, bizneset e rregullta turistike nuk arrijnë ta mbledhin dot të gjithë TVSH, duke e kthyer kështu në një barrë të rëndë fiskale për ta, apo duke i detyruar të kryejnë aktivitet në informalitet për të mbijetuar.

• Këtë vit kemi zgjedhjet lokale, dhe ATA duhet ta shfrytëzojë në maksimum këtë ngjarje për të kërkuar nga kandidatët apo partitë politike uljen e taksës së qytetit apo të turistit që në shumicën e rasteve është në nivelin maksimal të 5%.
Partitë politike duhet të marrin mesazhin që komuniteti i biznesit të turizmit është i bashkuar, dhe ky komunitet do të mbështesë atë parti apo kandidat, që do paraqesë projekte të qarta në favorin tonë.
Taksa e qytetit, si kudo në vendet fqinjë, duhet të ulet, të kaloj në një vlerë fikse, ndoshta e shkallëzuar sipas kategorisë së hoteleve, dhe mbi të gjitha të ndahet ndërmjet pushtetit lokal që duhet të promovojë qytetin, dhe Agjensisë Kombëtare të Turizmit që duhet të promovojë vendin.
Kjo taksë u merret turistëve, dhe është e destinuar të shkojë në mënyrë të qartë dhe transparente për promocion turistik. Po të mblidhet në mënyre të drejtë dhe me skemën e duhur kjo taksë, edhe duke u përgjysmuar, krijon mjaft të ardhura, si për pushtetin lokal ashtu edhe për Ministrinë e Turizmit. Nga ulja e kësaj takse nuk përfiton vetëm hoteleria, por edhe sektori i turoperatorëve që është i lidhur direkt me të.
Kjo është tashmë një sakrificë që bizneset e hotelerisë kanë kohë që po e paguajnë dhe ne nuk do të pranojmë asnjë taksë tjetër veç kësaj për turizmin.

• Përcaktimi i tarifave për të Drejtën e Autorit në përdorimin e muzikës është një tjetër detyrë e cilat duhet të zgjidhet patjetër këtë vit. Gjej rastin këtu për t’i kërkuar Z. Ministër që të ndërhyjë edhe nëpërmjet Zyrës Shqiptare të të Drejtës së Autorit e cila është nën varësinë e kësaj Ministrie, që të caktohen tarifa të logjikshme, në përputhje me situatën ekonomike në vend dhe sipas skemave të përcaktuara qartë, në mënyrë që gjithsecili të paguajë dhe të marrë atë që i takon.

• Liberalizimi i vizave për shqiptarët është një tjetër faktor i rëndësishëm që do të ketë ndikimin e vetë në turizmin shqiptar, të paktën në 2-3 vitet e ardhshme.
Ky proces do ketë një ndikim pozitiv tek turoperatorët me profil outgoing, por do ketë sigurisht një impakt negativ tek bizneset turistike të tjera me profil incoming apo turizmin vendas, si hotelet, restorantet apo turoperatorët.
Kjo bën të domosdoshëm një vlerësim të situatës dhe përcaktimin e një plani masash për përballjen me konkurrencën, nga e cila tani jemi edhe më të pambrojtur.
Ulja e taksave do te sjelli me shume te ardhura per bizneset, trajnimet dhe seminaret do te ndihmojne ne rritjen e kualifikimit te stafit pra dhe te cilesis se produktit, dhe marketingu i Shqiperise brenda dhe jashte vendit do te sjell kompensimin e tregut shqiptar me ate te huaj.
Gjithsesi duhet thënë që veç rrezikut për rënie të biznesit të sektorëve që përmenda më sipër gjatë këtyre 2-3 viteve, konkurrenca e hapur do sjellë edhe rritjen e detyrueshme të cilësisë së shërbimit të bizneseve.

• Marrëdhënia efektive dhe në bazë të një programi, mes ATA-s dhe Ministrisë së Turizmit ngelet një nga faktorët kryesorë të zhvillimit të turizmit në vend. Përveç Marrëveshjes së Bashkëpunimit të nënshkruar me Ministrinë, brenda tremujorit të parë të këtij viti duhet të hartohet një Marrëveshje apo plan bashkëpunimi me Agjensinë Kombëtare të Turizmit, si dhe të ngrihet një Bord Vendimmarrës i përbashkët për të lehtësuar planifikimin dhe marrjen e vendimeve mbi zhvillimin e produktit turistik dhe marketingun e tyre apo të vendit në përgjithësi.


Në përfundim dua të them që ne, jo pa qëllim përzgjodhëm këtë temë për Konferencën tonë të tretë. Viti që shkoi ishte specifik, dhe pozitiv, mbi të gjitha për faktin se turizmi, u kthye si asnjëherë tjetër, tema kryesore e diskutimit të qeverisë dhe e medias. Si kurrë më parë u përcoll mesazhi që turizmi është sektor prioritar i ekonomisë tonë, gjë që na jep kënaqësinë të konstatojmë, se edhe falë punës së ATA-s, vetëdija ndaj turizmit sa vjen e po rritet.

Kryeministri premtoi që buxheti i vitit 2011 do shkojë drejt turizmit, dhe ne duam që këto zhvillime pozitive, të kristalizohen në themelet e një turizmi afatgjatë dhe të qëndrueshëm.

Vizita e Sekretarit të Përgjithshëm të OBT, zotit Taleb Rifai, ishte një nder, por edhe mesazh i qartë, që zhvillimi i një turizmi të qëndrueshëm dhe pa gabime nuk është vetëm përgjegjësi e jona, por monitorohet edhe nga Organizata të tilla.
Renditja e Shqipërisë nga Lonely Planet në vendin e parë, si destinacioni turistik që duhet të vizitohet për 2011, por edhe konfirmimi nga CNN që e renditi Shqipërinë në vendin e 6 nga 10 vende, janë një reklamë e jashtëzakonshme për të cilën ne kemi aq shumë nevojë nëse duam që të lancohemi në Mesdheun aq konkurrues. Por nga ana tjetër tregon edhe pritshmërinë e madhe që do kenë turistët e huaj në këtë vit për të cilën duhet të marrim masa të përgatitemi që tani, ndryshe zhgënjimi do na kthehet në një efekt negativ, të cilin nuk do të kemi luksin t’a përballojmë.

Të dashur miq të ATA-s.
Megjithëse tashmë ATA është një shoqatë që i ka hedhur themelet e veta, ajo ka nevojë për kontributin e të gjithë palëve të interesuara në zhvillimin e turizmit shqiptar, por mbi të gjitha ka nevojë për një vizion të qartë, angazhim real dhe energji pozitive.

Në aspektin personal kam patur kënaqësi të jap kontributin tim për këtë shoqatë gjate këtyre tre viteve, dhe do i uroja te zgjedhurve te rinj, suksese ne misionin e tyre për forcimin e ATA-s.

Ju Faleminderit

Kliton Gërxhani

Video nga Prezantimi ne Konference

Wednesday, July 7, 2010

"Në kërkim të pushimeve të plazhit" - 07.07.2010, Gazeta Shqip

Sezoni i verës është në kulmin e vet dhe mbi turizmin tani kujtohen të flasin të gjithë. Sidomos mbi turizmin e plazhit. Njerëzit diskutojnë me njeri-tjetrin se ku do t’i kalojnë pushimet, bizneset e turizmit i kanë ndezur motorët në maksimum për të marrë të ardhurat e shumëpritura të vitit, media “hidhet” deri nga deti për të marrë disa filmime dhe bën reportazhe karakterin e të cilave e përcakton që pa u nisur më drejtorin e lajmeve, dhe si përfundim edhe politika e përmend tek tuk më shumë turizmin me gjithë “hallet” e mëdha që ka për të zgjidhur, si psh të tipit së çfarë do të hanë për pjatë të parë tek Restorant Krokodili.

Por ajo ç’ka do të doja të trajtoja në këtë shkrim është thirrja se ka ardhur koha të merremi seriozisht më fatin e turizmit të plazhit në Shqipëri. Nuk dua të them këtu që turizmi i plazhit duhet të jetë e ardhmja e turizmit shqiptar, sepse kjo vështirë së do të arrihet të paktën në një të ardhme të afërt, por dua të them që përderisa e kemi një potencial të tillë, nuk mund ta injorojmë apo ta lëmë të dëmtohet. Fakti është që për sipërfaqen që kemi, natyra na ka falur me shumë bujari kilometra të tërë të mrekullueshëm të Mesdheut. Kurse realiteti është që Shqipëria sot është një nga vendet Mesdhetare më keq të zhvilluar, apo të pazhvilluar në turizmin e plazhit. Kemi një zhvillim totalisht kaotik, pa respektuar as një lloj plani edhe atje ku ato ekzistojnë; me një arkitekturë nga më të shëmtuarat që mund të shohësh jo vetëm në Evropë; me një nivel menaxhimi dhe shërbimi nga më të ultët për shkak të mungesës së edukimit dhe përvojës së pakët. Rezultati i gjithë kësaj janë rreth 600 hotele në të gjithë vendin ku 80% e të cilëve janë me nga deri në 20 dhoma, gjë që përbën edhe "handikap"-in më të madh të një zhvillimi sipas standardeve të këtij produkti. Në këtë gjendje është produkti i plazhit që kemi sot.
Kurse tregu që thith ky lloj produkti ka qenë i variueshëm. Në fillim ishte një treg me të ardhura mbi mesataren, kryesisht shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë apo Shqipërisë me banim në vendet perëndimore. Më vonë, pasi ky treg u zhgënjye nga ajo ç’ ka ne i ofruam në plazhet tona, u zëvendësua dhe po vazhdon të zëvendësohet nga një treg me të ardhura të ulëta i cili shpenzon pak dhe pranon për rrjedhojë dhe nivelin e ulët të shërbimit dhe produktit. Duke konsideruar me shumë tolerancë që 10% e popullsisë së Shqipërisë, dhe Kosovës kanë të ardhura mbi mesataren, pjesa që ngelet prej 90% (apo edhe sikur 70-80%) përbën një numër të mjaftueshëm për të realizuar "planet e numrave të turistëve". Por a është kjo ajo që duam, ndërkohë që turisti "i varfër" ndikon në një sezon më të shkurtër, nuk vjen më shumë së njëherë gjatë vitit, dhe lë më pak të ardhura?

Ka disa teori që hidhen për këtë:
Ne teorinë e parë ka specialistë, edhe të huaj, që thonë së Shqipëria më atë ç’ ka ka bërë, nuk ka shanse të konkurrojë ndonjëherë në turizmin e plazhit, prandaj duhet të fokusohet tek llojet e tjera të turizmit si ajo e kulturës dhe natyrës. Kësaj teorie i vjen në ndihmë edhe politika shqiptare që më pasivitetin e saj total ndaj turizmit, e ka lënë këtë produkt në dorë të zhvillimeve kaotike me pasojat që përmendëm më sipër. Edhe pas 20 viteve nuk kemi arritur akoma të kemi resorte të vërteta turistike, nuk kemi akoma një hotel në bregdet me mbi 100 dhoma, kur minimumi duhet të kenë 200 që të konsiderohen nga turoperatorët e huaj, nuk kemi një investim të huaj apo me emër në hotelerinë ndërkombëtare. Ajo që kemi janë "investime" nga të njohur politikanësh që aplikojnë për fshatra turistike, por që i kthejnë në vila për shitje për të cilat duhet të shesin dy që të ndërtojnë të tretën duke lënë kështu ndërtime të pambaruara e beton të shëmtuar kudo në bregdet.
Teoria e dytë është e një grupi personash që prej padijes ose prej interesit për të gënjyer njerëzit me iluzione, propagandojnë që Shqipëria duhet të bëhet një destinacion elitar, por nuk janë në gjendje të thonë se si, nga kush dhe kur. Dhe kur përballesh me realitetin tonë sot, me këtë teori as nuk vlen të merresh, të paktën për momentin.
Teoria e tretë të cilën edhe unë mbështes përmblidhet shkurt: Shqipëria nuk mund të injoroj potencialin që ka, por për t'u kthyer në konkurruese në tregun e egër të Mesdheut i duhet shumë, por shumë, shumë punë. Duhet përcaktuar çfarë produkti do të ndërtojmë dhe kujt do t'ia ofrojmë këtë produkt. Për këtë duhet që politika të kthejë sytë seriozisht nga turizmi dhe të heqë dorë nga “lufta e yjeve” për thyerjen e rekordeve të numrit të turistëve, e cila duket të jetë kthyer në qëllimin e vetëm të saj.
Meqë jemi këtu, për të treguar që kjo gjë po kalon çdo limit le të bëjmë disa llogari të thjeshta: deklarohet që kemi rreth 600 hotele ose 900 njësi akomoduese (hotele, apartamente pushimi, motele etj) në të gjithë vendin me rreth 30 000 shtretër. Nëse 2/3 nga këto do i kalojmë bregdetit do të thotë që aty janë rreth 20 000 shtretër. Pra kapaciteti maksimal i bregdetit tonë mund të mbajë në një ditë deri në 20 000 turistë. Sezoni turistik i plazhit ka një shtrirje afërsisht 2 mujore, kohë kur vijnë edhe numri më i madh i pushuesve. Po të konsiderojmë një qëndrim mesatar gjatë kësaj kohe rreth 5 netë, do të thotë që gjatë një muaji akomodohen maksimumi 120 000 turistë. Në 2-3 muaj kjo shifër bëhet rreth 300 000 turistë, ose sikur të kishim 12 muaj plazh me hotelet tona të mbushura plot, maksimumi i turistëve që do të prisnim do ishte rreth 1.5 milionë turistë !! Nisur nga statistikat zyrtare 80% e vizitorëve në Shqipëri vijnë për pushime dhe 20% për biznes, turist ditor etj. Duke i shtuar këtij numri edhe këtë 20% që i mungon, del që përafërsisht në qoftë se në Shqipëri do mbushen plot dhomat e të gjitha njësive akomoduese gjatë gjithë vitit, kapaciteti ynë zyrtar të lejon të mbash rreth 1.7-2 milionë vizitor. Ky është limiti ynë teorik sot, kaq e kemi jorganin dhe nuk është më serioze të tentojmë të shtrijmë këmbët më shumë. Ndërsa po të duam të mësojmë realitetin, prapë më disa llogari të thjeshta po të mendosh se nga 100% e kapacitetit maksimal, hotelet tona në rang vendi nuk mbushen më shumë së 30-40% e kapacitetit të tyre, del vetë një shifër e përafërt së sa turistë mund të kemi gjatë vitit. Tani le të shikojmë pak ç’po ndodh me "outgoing" apo daljen e turistëve shqiptar jashtë vendit. Në hotelet e Antalias mund të takosh më shumë shqiptarë sesa kroat, malazez, grek, spanjoll etj pra mesdhetar. Me një numër rreth 30 000 pushuesish në 2-3 muajt e verës, shqiptaret mund të jenë në vend të parë në përqindje për numër të popullsisë nga vendet e Mesdheut, që kalojnë pushimet në Turqi, pra në një vend tjetër po Mesdhetar. Dhe të mos harrojmë së ky treg prej 30 000 vetash që kërkon plazhe të huaja për të kaluar pushimet e tyre dhe shpenzon rreth 700-1000 Euro për person gjatë 1 jave apo 10 ditësh, vjen nga një vend ku rroga mesatare është rreth 300 Euro. E theksoj, këta turistë nuk venë të vizitojnë Xhaminë Blu apo Kullën Ejfel të cilën nuk e kanë në vendin e tyre, por harxhojnë 2-3 rroga mujore për të pushuar pranë detit që këtu e kanë më bollëk. Dhe kjo ndodh sepse në vendin e tyre nuk iu ofrohet i njëjti produkt i plazhit i cili u ofrohet në Turqi apo në ndonjë vend tjetër të ngjashëm. Ndërkohë që tregu i turistëve që viziton plazhet tona shpenzon afërsisht gjysmën e kësaj shume duke lënë më pak të ardhura për person ose duke bërë që të nevojiten më shumë turistë për të arritur të njëjtën shumë totale. Këtyre problemeve duhet t'u shtojmë faktet që jemi i vetmi vend në rajon me TVSH 20% në hoteleri; me taksë qyteti 5%; pa një sistem klasifikimi hotelesh; i vetmi vend vetëm me një emër rrjeti hotelier (Sheratonin); i vetmi vend që nuk ka një hotel me më shumë se 150 dhoma; i vetmi vend pa një panair turizmi; dhe ku e gjithë Ministria jone e Turizmit e ka buxhetin vetëm sa Zyra e Promovimit të Kroacisë në Japoni !
Si konkluzion, situata e produktit të plazhit në Shqipëri është shumë komplekse, dhe ka ardhur koha të vendoset së çfarë do të bëhet më të. Nevojiten të thirren aktorët kryesorë vendas dhe të huaj, të bëhet një analizë e thellë dhe e shumëanshme, dhe të krijohet një strategji kombëtare vetëm për këtë produkt e cila të kontrollohet dhe zbatohet me afate të përcaktuara qartë.

Kliton Gërxhani, President i Shoqatës Shqiptare të Turizmit (ATA)

Monday, September 28, 2009

"Turizmi shqiptar në dritë-hije"- 28.09.2009, Revista MAPO

interviste me Presidentin e ATA-s z. Kliton Gerxhani,

Shkruan: Ervin Qafmolla

Rreth 2.1 milionë vizitorë shkelën Shqipërinë për periudhën janar-gusht 2009. Të paktën kështu thonë shifrat zyrtare. Shifra totale është pak a shumë sa prurjet e turistëve për gjithë vitin 2008, nëse marrim parasysh variantin e fundit zyrtar të korrektuar. Vizitat nga jashtë-brenda vendit kanë arritur pikun për muajt korrik-gusht, kur nga 951 mijë që kishin regjistruar deri në qershor të këtij viti, shifra zyrtare mbërriti në rreth 2.1 milion për dy muajt pasardhës, çka do të thotë se është regjistruar një rritje maksimale prej më shumë se 1.1 milion brenda kësaj periudhe. Sipas Ministrisë së Turizmit, vizitorë të huaj janë 1.4 milion, ndërsa vizitorë me nënshtetësi shqiptare të cilët janë rezidentë në vende të ndryshme 709 mijë.

Rreth 45% e vizitorëve janë nga Kosova. Me ç’duket nga të dhënat e qeverisë, kriza ekonomike botërore, por edhe ajo lokale nuk ka ndikuar në mënyrë drastike – siç pritej nga ekspertë të ndryshëm të ekonomisë, në statistikat e sektorit të turizmit. Të paktën, nuk ka pasur rënie në shifrat zyrtare, pa përjashtuar mundësinë që situata e vështirë ekonomike të ketë ndikuar për keq te vetë rritja, e cila në kushte të tjera mund të kishte qenë më e madhe. Për më tepër, shifra prej 2.1 milion turistësh përkthehet në rreth 2 miliardë euro xhiro, nëse merren parasysh ecuria e përpjesëtimeve “turistë / para” të viteve të shkuara.
Një ndryshim me statistikat është se së fundmi, qeveria ka ndryshuar termin nga “turist” në “vizitor”. Më parë regjistroheshin si turistë edhe vizitorët një-ditorë, edhe ata që vinin në Shqipëri për arsye biznesi, apo emigrantët që ktheheshin 2 javë për të takuar familjet. Në fakt, çdo person jo rezident që kalon kufirin shqiptar, cilado qoftë arsyeja që e sillte në këtë vend dhe koha që ai shpenzonte këtu, konsiderohej automatikisht turist. Me sa duket, formulimi “turist” për çdo njeri që kalonte kufirin mori ngjyrime mjaftueshëm komike në media përgjatë dy viteve të fundit, saqë aktualisht përballemi me një term më modest: “vizitor”.

Ndërkaq, shifrat flasin për rritje të numrit të vizitorëve, dhe logjikisht edhe të të ardhurave në sektorin e turizmit. “Nëse vërejmë rritje në këtë sektor, nuk ndodh si rrjedhojë e investimeve të qenësishme apo politikave të mirëfillta shtetërore, por thjesht si inerci”, thotë Kliton Gërxhani, president i Shoqatës Shqiptare të Turizmit (ATA). Ai vëren se problemi kryesor me turizmin në Shqipëri është trajtimi i tij si sektor dytësor. Në fakt, turizmi kthehet në vëmendjen e publikut vetëm gjatë stinës së verës, përmes publikimit të statistikave të hyrje-daljeve të vizitorëve të ndryshëm edhe pse në të vërtetë aktiviteti turistik shtrihet përgjatë gjithë vitit. Ndërkaq, mundësitë paraqiten të mëdha.
Gërxhani thotë se nuk duhet kurrsesi të shpërfillet fakti që Shqipëria ka rreth 300 kilometra bregdet ranor në Adriatik, i cili aktualisht ka mbetur i pazhvilluar dhe i paorganizuar. “Nëse drejtojmë sytë në vendi si Kroacia, për shembull, ku ekziston një industri e turizmit e organizuar shumë mirë, vërejmë se të ardhurat nga ky sektor llogariten në rreth 9 miliardë euro në vit, kundrejt rreth 9 milionë turistëve që vizitojnë vendin. Ky është një shembull shumë domethënës”, vëren ai. “Nuk po themi që vendi të orientohet 100% drejt turizmit, por është e pafalshme që mundësitë ekzistuese të injorohen, apo më keq, të goditen”, shton presidenti i ATA-s. Ai thotë se në një kontekst të përfitimeve si në afatin e afërt ashtu dhe të largët, shpërfillja e mundësive dhe zhvillimit që ofron ky sektor është mbi të gjitha, joracionale.

Sektori i shpërfillur

Gjatë fushatës elektorale të qershorit të këtij viti, tre partitë kryesore kishin ndër prioritetet e zhvillimit të vendit edhe turizmin. Por kjo nuk është diçka e re. Edhe në vitin 2005, madje edhe në zgjedhjet e vitit 2001, turizmi ishte i pranishëm si sektor tepër i rëndësishëm për zhvillimin e ekonomisë dhe tregut të punës në vend. Edhe strategjitë paszgjedhore të zhvillimit të këtij sektori kanë rezultuar përgjithësisht dokumente që mund të lexohen me kërshëri, por përveç zhvillimit të disa akseve kryesore dhe një numri të papërfillshëm aksesh dytësore, gjithçka tjetër është kufizuar brenda hapësirës së letrës ku janë shtypur këto strategji.

Sipas Gërxhanit, nevojitet një strategji e mirëfilltë dhe realiste e zhvillimit të turizmit shqiptar. “Duhet të kemi parasysh se ndonëse flasim për një treg prej 1.5 miliard euro për vitin e kaluar, Ministria e Turizmit ka një buxhet më të vogël se 1 milion euro. Dhe vetë brenda kësaj ministrie, zëri specifik për turizmin është më i vogli krahasuar me zërat e sektorëve të tjerë, siç janë sporti dhe kultura”, sqaron ai.

Presidenti i ATA-s shton se mungojnë edhe investimet bazë infrastrukturore. “Ndonëse është bërë progres i dukshëm në disa akse kryesore, infrastruktura dytësore vazhdojnë të jenë problem real. Për shembull, Bylisi apo Finiqi janë praktikisht të paaksesueshme për autobusët e turistëve”, vëren Gërxhani.
Ndërkohë ekzistojnë edhe probleme të ndjeshme me karakter rregullator, siç është heqja e sistemit të klasifikimit për hotelet. “Shoqata Shqiptare e Turizmit ka kërkuar që ky rregull të vijë sërish në fuqi, sepse përballë kërkesave të sotme të zhvillimit, nuk mund të vazhdojë të ketë kapitalizëm kaubojsh”, thekson Kliton Gërxhani. Ai thotë se pavarësisht dhe në respekt ndaj kompetencave të pushtetit vendor, duhet të ketë një mbikëqyrjeje më të zgjeruar nga qeverisja qendrore, në mënyrë që të mos ndodhin sërish trauma turistike si Golemi apo Saranda.
Eksperti i sektorit të turizmit, vëren se në plan të parë vjen ndërgjegjësimi në nivel publik dhe institucional. “Për sa kohë nuk ka ndërgjegjësim, ky sektor do të vazhdojë të vuajë. Dhe sa për ilustrim, mjafton të kujtojmë që interesi për turizmin zgjohet vetëm gjatë sezonit veror dhe shuhet me ardhjen e vjeshtës”, thotë Gërxhani.

Problem imazhi
Sipas presidentit të ATA-s, pavarësisht problemeve të shumta që vuan sektori, një ndër mangësitë kryesore lidhet pikërisht me imazhin. Dhe në këtë të fundit ndikojnë një sërë faktorësh të tjerë.
“Faktorë të tjerë që kanë ndikim thelbësor në këtë drejtim janë zinxhirët e hotelerisë ndërkombëtare. Ndonëse në vetvete nuk është e thënë të kenë një impakt direkt të rëndësishëm në ekonominë e vendit, në terma marketingu dhe imazhi, ato janë shumë të rëndësishme”, thotë ai. Sipas Gërxhanit, në Shqipëri, i vetmi emër deri diku gjerësisht i njohur nga operatorët dhe klientët ndërkombëtarë është Sheratoni, ndërsa Mali i Zi, për shembull ka pesë emra të tillë. Ai thekson se shqiptarët arritën të përzënë edhe Club Med-in, i cili ndonëse në vetvete mund të mos kishte ndonjë ndikim thelbësor ekonomik, prapë se prapë do të shërbente si garanci për imazhin dhe mundësitë e vendit në sytë e investitorëve të tjerë ndërkombëtarë. “Dhe ne kemi nevojë urgjente për investime të huaja në turizëm. Aktualisht, pjesa dërrmuese e hoteleve në bregdet ofrojnë vetëm dhoma plazhi. Shtretër, ushqim, televizor dhe plazh. Vetëm kaq. Mungojnë mundësitë e tjera shplodhëse dhe argëtuese. Kjo tregon një mungesë të theksuar vizioni në organizimin e objekteve turistike”, vëren ai.

Prioritetet reale
E vërteta është që në zemër të interesave zhvilluese të vendit është vendosur sektori industrial në tërësi dhe ai energjetik në veçanti. Një sërë projektesh me karakter energjetik janë parashikuar të zhvillohen në të ardhmen e afërt, pa folur edhe për mega-projekte në formë ëndrrash të mbetur sirtarëve, siç është rasti i dëshirës për të ndërtuar një central bërthamor në Shqipëri. Ndonëse ideja e këtij projekti është frenuar të paktën përkohësisht, kryesisht nga shqetësimi i fqinjëve, përfshi dhe faktorë të tjerë, projekte të tjera, siç janë termocentrale të ndryshme janë në zhvillim e sipër. Dhe këto janë kryesisht vepra me një ndotje të ndjeshme në mjedis.
Kliton Gërxhani pranon se prioritet përtej çdo dyshimi është bërë industrializimi i vendit. Por ai shton se nga ana tjetër është e pamundur që, në një vend me madhësinë e Shqipërisë dhe për resurset që ai ofron, këta sektorë të zhvillohen njëkohësisht. Gërxhani thotë se në këtë pikë nevojitet një diskutim i mirëfilltë mbi prioritetet e zhvillimit të vendit, jo thjesht në afatin e shkurtër por brenda një konteksti që përfshin një vizion afatgjatë.
“Së pari, duhet marrë parasysh se disa nga projektet ekzistuese industriale-energjetike janë trashëguar nga qeveritë e mëparshme. Në këtë drejtim përveç interesave afatshkurtra të zhvillimit të vendit, por dhe të palëve të interesuara, pa dyshim, ka ndikuar edhe mungesa e dijes dhe ndërgjegjësimit mbi potencialin turistik”, thotë drejtuesi i ATA-s. Ai vëren se për pasojë sektori turistik shqiptar ka marrë goditje të përsëritura nga zhvillimi i pakontrolluar i industrisë në zona të cilat duhet të kenë turizmin si prioritet. Të paktën në nivel lokal.
“Në këtë kuptim nevojitet ndërgjegjësim më i madh si parakusht jo vetëm për zhvillimin e sektorit turistik por edhe për një menaxhim më të mirë dhe të harmonizuar të burimeve të vendit.
Duhet të jemi të ndërgjegjshëm se pasuritë nëntokësore janë të kufizuara. Gjë që e bën industrinë e rëndë jo të qëndrueshme në afatin e gjatë, ndërsa pikëpyetje mund të ngrihen edhe për të ardhmen afatmesme”, thotë eksperti i sektorit të turizmit.
Ai shpjegon se industria ka kufizime shumë të theksuara në hapësirë, punësim etj. Ndërsa shton se turizmi nuk ka kufizime të kësaj natyre, sepse ka një shtrirje virtualisht të pakufizuar në të gjithë territorin e vendit. Por që kjo të mundësohet, nevojiten të ndërmerren hapa thelbësorë, jo vetëm nga sipërmarrësit e sektorit por dhe nga institucionet shtetërore përkatëse.
Sipas Gërxhanit, burimet e tjera si natyra, dielli e deti janë të pakufizuara. Ai sqaron se si rrjedhojë, avantazhet e turizmit ndaj industrisë janë shumë të mëdha. “Më së paku, turizmi sjell rreth 1-2 milionë konsumatorë të tjerë në tregun vendas, nëse i referohemi një mesatareje të prurjeve vjetore. Nëse kemi rreth 1.5 miliard euro të hyra nga turizmi, pa pasur asnjë lloj ndihme në vite, është e paimagjinueshme që të goditet ky sektor dhe të rrezikohet ky burim shumë i rëndësishëm të ardhurash në ekonomi”, përfundon Gërxhani.

Monday, September 14, 2009

"Po turizmi ç’faj ka?!"- 14.09.2009, Gazeta Shqip

Komente nxitur nga shkrimi “TURIZMI SHQIPTAR, NJE ILUZION TEJMASE I USHQYER” i z. Adri Nurellari datë 12/09/2009

Nuk mund të rrija pa reaguar ndaj artikullit të z. Nurellari mbi turizmin, sepse megjithëse pajtohem më shumë nga kritikat që në atë shkrim bëhen për fenomene negative të zhvillimit të turizmit tonë, zgjidhjet që jepen më duken të gabuara. Aq me tepër që për të kritikuar këto zhvillime negative nuk mund të injorohet potenciali i turizmit tonë dhe rëndësia qe ai duhet të zërë në zhvillimin ekonomik të vendit. Kësaj i thonë: “s’ke ç’i bën derës dhe i bije dritares”.

Si fillim më duhet të theksoj që turizmi është një nga sektorët më të rinj në ekonominë tonë, dhe lufta që ky sektor po bën për të mbijetuar dhe zënë vendin që i takon është e jashtëzakonshme. Për shkak të historisë së tij të re ne na është dashur që të luftojmë çdo ditë për të sensibilizuar opinionin publik dhe sidomos shtetin për potencialin që mbart ky sektor. I gjithë ai imazh që është krijuar nga mediat për turizmin si qendra e vëmendjes se qeverisë është thjesht një iluzion, sepse në realitet turizmi tek ne as ka qenë dhe as është akoma (për fat të keq) degë prioritare e ekonomisë. Investimet dhe deklaratat e fundit tregojnë që në Shqipëri do të ndërtohet industria e rëndë dhe me pas do mendohet për turizmin (nëse do ngelet ndonjë copë toke e pa ndotur). Pra askush nuk ka pse te shtrëngohet të zvogëlojë potencialin që mbart turizmi ynë, nga inati i disa mediave mediokre, sepse është thjesht luftë me mullinjtë e erës në gjendjen që ndodhet ky turizëm sot.

Është mosnjohje e realitetit të thuash “...duke bërë që gjithnjë e më shumë burime të çohen në një sektor të gabuar të ekonomisë, që vështirë se është shumë premtues për një vend si Shqipëria”. E para përveç disa rrugëve nuk e di se për çfarë burimesh e ka fjalën autori që qenkan çuar drejt sektorit të gabuar të ekonomisë, pra turizmit. Për cilat investime e ka fjalën autori kur thotë që turizmi “aq më pak nuk mund të jetë epiqendra e investimeve publike dhe private”, sepse këtë nuk ka guxuar ta thotë as një qeveri e jona deri tani?! Dhe e dyta nëse turizmi nuk qenka shumë premtues për Shqipërinë, për kë do të jetë atëherë, për Alaskën?

Ç’lidhje kanë kilometrat më shumë bregdet të Greqisë, e Kroacisë me potencialin e zhvillimit të turizmit tonë?! Autori përmend vendet e Mesdheut me gjatësi më të madhe bregdeti, por ç’duhet të themi për Malin e Zi, Slloveninë, Portugalinë, Qipron, Maltën? Maqedonia ka vetëm një gjysmë liqeni dhe nuk ka lënë gjë pa bërë për t’i marrë maksimumin e potencialit turistik që ai i ofron. Më thoni një vend të vetëm në Mesdhe, të madh apo të vogël, që nuk ka prioritet turizmin? Që nga ishuj si Malta e deri në shtete me një pasuri natyrore e intelektuale të jashtëzakonshme si Franca (që është vendi me numrin më të madh të vizitorëve në botë). Të qenit të vobektë nuk ka të bëjë me numrin e kilometrave të bregdetit që të ka falur natyra por me çfarë jemi ne në gjendje të bëjmë me ato kilometra. Këtu jam plotësisht dakord që po të shikosh se çfarë kemi bërë ne shqiptarët KUDO ku kemi vënë dorë ne ato kilometra është vërtet një vobektësi, e madhe madje. Por paaftësisë tonë për të bërë punët si duhet nuk mund t’ia shkarkojmë në kurriz turizmit, siç ndodhi psh me logjikën e ndalimit të mjeteve lundruese.

Ne nuk duam të marrim më shumë se na takon nga tregu turistik: nëse kemi 400 km bregdet ajo që duam të synojmë është që të marrim numrin optimal të turisteve që mund të akomodohen në këto 400 km gjatë një viti. Dhe këtu jemi thjesht duke u fokusuar tek turizmi i plazhit pa përmendur turizmin kulturor, atë të natyrës, të interesit të veçantë etj. Të gjithë po i përtypim lustrat mediatike boshe për turistë që shtohen nga 1 milionë çdo vit ndërkohë që askush nuk plotëson asnjë formular në pikat e kufirit për të deklaruar qëllimin e udhëtimit; po përtypim akuzat për nihilizëm; po përtypim deklarata për zhvillime marramendëse në turizëm (pa bërë asgjë për të). Por të gjitha këto janë më të pranueshme sesa ti biem me qafë turizmit dhe potencialit që ai ka për shkak të kusureve njerëzore tonat.

Unë mendoj se autori përsërit të njëjtin gabim duke i rënë në qafë natyrës për gabimet e njerëzve, kur thotë se “një njeri që flet për plazhe shqiptare të virgjëra e të pashkelura, për një perlë në Mesdhe, është pa dyshim një romantik i padalë dhe i keq informuar". Njerëzit që kanë bërë gabimin të reklamojnë plazhet e virgjëra shqiptare kanë qenë gazetarë të mediave prestigjioze perëndimore që kanë ardhur dhe i kanë vizituar vetë këto vende. Por ata kanë shkruar për plazhin e Dhërmiut dhe jo atë te Golemit apo Sarandës (të cilët kanë që po aq të virgjër dhe të bukur përpara sesa të lëshohej mbi to batërdia “ e investimeve publike dhe privatë” siç thotë autori.)
Meqë përmenden ishujt e Kroacisë: në ishullin Lopud ndodhet një plazh të cilin vendasit e reklamonin si një nga 70 plazhet më të bukura në botë. Dhe e dini çfarë kishte të veçantë ky plazh: ishte plazh ranor me rreth 100 metra i gjatë dhe 10 metra i gjere. Dhe kjo e bënte atë të veçantë, sepse ne të gjithë ato 5000 km bregdet të Kroacisë plazhe te tilla numëroheshin me gishtat e njërës dorë. Për të vajtur në “plazhin e 70 më të bukur në botë” ne na u desh të paguanim autobusin për të vajtur tek anija, të paguanin anijen për të vajtur tek ishulli, të paguanim makinën elektrike në ishull për të vajtur në krahun tjetër të tij ku ndodhej plazhi, dhe atje të paguanim çadrën e shezlonin, dhe të gjitha këto me një çmim 10 herë më të lartë sesa në Shqipëri. Nuk e di nëse autori e ka provuar këtë ndjenjë zhgënjimi të thellë, jo shumë me plazhin dhe çmimet sesa me atë që ne shqiptarët po i bëjmë turizmit tonë duke na detyruar të bredhim si çifutët në shkretëtirë për të kërkuar një plazh me rërë sikur të ishim eskimezë. Më lejoni t’ju kujtoj se ne kemi rreth 300 Km plazh ranor në Adriatik me jo 10 m gjerësi por që shkon edhe deri në 100-200 m. Por ne këtë “potencial të vobektë” e kemi quajtur si “plazh për popullin” sepse “elita” do kishte plazhin e Jonit. Dhe e dini çfarë ka bërë “përqendrimi i investimeve publike dhe privatë” në këto 300 km të rralla për Kroacinë, por të tepërta për ne: e ka rrethuar me depozita nafte nga Shëngjini në Vlorë, i ka planifikuar një TEC gjigand në Durrës dhe ca të tjerë në Vlorë, i ka planifikuar portin më të madh të mallrave në Mesdhe e fabrika të panumërta çimentoje rreth e rrotull, ka krijuar formën më të shëmtuar të turizmit masiv, kaotik, në çdo vend ku është ndërtuar, duke treguar që Golemi nuk qe një gabim rastësor, por modeli sesi ne duam të bëjmë turizëm. A e mendojmë njëherë se çdo të ndodhte po të shkëmbenim ne bregdetin tonë me atë kroat? Mendoni se rezultati do ishte siç është sot? Jo, ju garantoj që jo vetëm kroatët por kushdo (përveç nesh) do kishte bërë mrekullira me këtë bregdet dhe këtë vend që ne kemi.
Është e vërtet që në bregun tonë nuk gjendet qoftë edhe një hotel apo resort i vetëm i ndonjë prej kompanive të mëdha ndërkombëtare hotelerike. Po kjo konfirmon se sa shumë vëmendje i është kushtuar turizmit tek ne për të thithur investime të huaja që pothuajse janë zero.

Kompania e vetme me emër mbas Sheratonit, Club Med, zgjodhi të investonte në Shqipëri jo se ne nuk kemi potencial turistik e plazhe të virgjëra, por se potenciali qe Kakomeja ofronte ja kalonte shumë fqinjëve tanë. Por për fat të keq Club Med deklaroi i lodhur se heq dorë nga investimi në Shqipëri jo se në turizëm ka “një inkurajim të tepruar të politikave qeveritare” apo se gjithnjë e më shumë burime çohen në këtë “sektor të gabuar të ekonomisë, që vështirë se është shumë premtues për një vend si Shqipëria” dhe jo se “turizmi është epiqendra e investimeve publike dhe privatë”. Club Med-i iku pikërisht sepse realiteti është krejt i kundërt me te gjithë ato çfarë citohen më sipër.

Çfarë politikash stimuluese qeveritare ka ndaj turizmit tonë kur një hotel në Shqipëri paguan rreth 40 % të xhiros së tij në shtet (20%TVSH, + 5% taksa e bashkisë, + 10% tatim fitimi, + 3-4 % bankave për pagesat me kartë kredit, pa përmendur taksat e gjelbërimit, të pastrimit, të tabelës, taksën e të drejtës së autorit që po kërkohet të vihet tani, etj.etj.), ndërkohë që fqinjët tanë paguajnë maksimumi deri në 10% taksë?! Kjo është ndihma për të qenë konkurrues në tregun ndërkombëtar? Ne vend te këtyre shteti krijoj edhe “shpikjen” e fundit për te ulur pragun e xhiros se biznesit te vogël ne 4 milion Lek ne vit (nga 8 milion qe ka qene me pare) duke bere qe edhe hotele me 5 dhoma te quhen biznes i madh tani, duke zhdukur praktikisht çdo biznes te vogël ne turizëm (ne vend qe te konsolidohej ai dhe te mendohej edhe për krijimin e një shtrese biznesi te mesëm) dhe duke bere qe çdo biznes ne turizëm ta paguaj atë 20% TVSH pa pasur shansin ta marri mbrapsh ndonjëherë atë, duke e kthyer kështu ne një taks te pastër. Dhe nuk mund të vazhdojmë të bëjmë sikur harrojmë që të ardhurat nga turizmi janë mbi 1 miliard Euro në vit duke qenë kështu më të mëdhatë në vend dhe duke bërë turizmin sektorin me volumin më të madh të eksporteve në vend (rreth 50% të totalit të eksporteve), ndërkohë që nga ana tjetër nuk përfiton asnjë incentive nga shteti siç përfitojnë degët e tjera të eksportit.

Nëse është ndërtuar një rrugë kombëtare me ndikim direkt në turizëm është rruga e bregut Vlorë-Sarandë, sepse pothuajse të gjithë rrugët e tjera janë bërë me qëllim zhvillimin e industrisë. Nuk ka si të shpjegohet ndryshe zgjerimi i rrugës të Shkëmbit të Kavajës përveçse si rrugë transporti që do lidhte Portin e Vlorës me veriun dhe sidomos me rrugën Durrës-Kukës. Për dëmin që do shkaktonte kjo rrugë u ngritën dhe të gjithë bizneset e turizmit të asaj zone por askush nuk i dëgjoi.
Jam dakord me mendimin e autorit se ideja e shtimit të dhomave do stimulojë ndërtimet kaotike por përsëri: kjo nuk tregon se po investohet në turizëm por që zhvillimet në turizëm vazhdojnë të ngelen kaotike dhe të pa drejtuara dhe kontrolluara nga shteti, sepse në të kundërt, përpara se të ndërtohej rruga e bregut dhe të gjendeshim të papërgatitur për mungesën e kapacitetit (gjë që ishte e logjikshme që do vinte) kishim menduar si të shtonim kapacitetin njëherë pastaj të ndërtonim rrugën.

Jam plotësisht dakord me autorin për analizën që i bën tregut turistik që viziton Shqipërinë, dhe konkluzionin që ky treg është “dhuratë” e faktorëve objektiv dhe jo një rezultat i një përpjekje të studiuar mirë nga Ministria e Turizmit. Por nuk jam dakord me idenë që nëse këta faktorë objektivë do ndryshojnë në 2-3 vjet dhe numri i turistëve pritet të pësojë rënie, atëherë fajin e ka prapë turizmi dhe ne nuk duhet t’i kushtojmë vëmendje këtij sektori. Sfida është t’i paraprihet këtyre ndryshimeve që jo vetëm të mbajmë maksimumin e këtij tregu që kemi por të shtojmë edhe treg të ri kryesisht të huaj.

Si përfundim: këtu nuk flitet për simpatinë ose jo ndaj turizmit të njërit apo tjetrit. Përzgjedhja e turizmit si sektori kryesor ekonomik në vend është i detyrueshëm për vete rrethanat gjeografike të vendit tonë dhe potencialin e pasur turistik që vendi ynë mbart duke kaluar çdo burim tjetër natyror që Shqipëria ka dhe që mund të garantoj një zhvillim afatgjatë dhe të qëndrueshëm. Turizmi ka aftësinë e jashtëzakonshme që të krijoj të ardhura edhe në zonat më të thella ku investimi publik apo privat është thuajse i pamundur, ka aftësinë që të rrisë punësimin shumë herë më shumë se çdo sektor tjetër edhe për shkak të efekteve të tij stimuluese sekondare në sektorët e lidhur me të, dhe të “sjell” një treg të gatshëm në vend për të lehtësuar shitjen e produkteve të industrisë së lehtë. Prandaj turizmi i kombinuar me industrinë e lehtë krijon një bazë të shëndoshë të ekonomisë tonë duke shmangur eksperimentet tashmë të provuara si të dështuara siç është industria e rëndë.

Kliton Gërxhani, President i Shoqatës Shqiptare të Turizmit (ATA)

Wednesday, June 10, 2009

"Turizmi apo industria?" - Gazeta Shqip 10.06.2009

Në këtë kohë fushate elektorale, një nga çështjet që ka filluar të diskutohet pavarësisht se jo shumë qartësisht, është edhe modeli i zhvillimit ekonomik të vendit. Meqë shumë parametra të këtij zhvillimi tashmë janë pozitiv, është e domosdoshme që tani të përcaktojmë se ç ’drejtim duam t’i japim ekonomisë së vendit tonë në 5-10 vitet e ardhshme. Mendoj se një vendim i tillë shumë i rëndësishëm për të ardhmen tonë, nuk mund të përcaktohet nga një politikan i vetëm apo grup politikanësh, por duhet të jetë një e drejtë që ta kenë të gjithë grupet e interesit me qellim që të arrihet një vendim i pjekur dhe të dalë një rezultante që t’i kënaqë të gjithë qytetaret shqiptarë që duan të jetojnë në këtë vend. Nuk e kemi pasur luksin që të kemi një demokraci të tillë deri tani, por besoj se të gjithë jemi dakord se njerëzit janë sot shumë më të vetëdijshëm se më parë për rëndësinë që ka pjesëmarrja e tyre në përcaktimin e fateve të vendit. Po t’i referohemi disa sondazheve të fundit meqë jemi në kohe fushate, është pikërisht ai 10-20% i njerëzve të pavendosur që nuk dëshiron të shkojë ku ta çojë partia, por do që të përcaktojë vetë fatet e jetës së tij. Dhe meqë të gjithë jemi dakord se pikërisht ky grup i të pavendosurve do të përcaktojë fatet e zgjedhjeve, politikanët pasi bindën me dogma politike grupin e tyre të militanteve, u duhet të fitojnë tashmë betejën më të vështirë: të bindin të pavendosurit (që janë kryesisht intelektualë, teknokratë, biznesmenë etj) se ç’ programe reale ofrojnë dhe ç’ drejtim duan t’i japin zhvillimit të vendit.
Një nga sektorët kryesor të ekonomisë është edhe turizmi. Bizneset e turizmit (që shumica e tyre përfaqësohen në Shoqatën tonë Shqiptare të Turizmit-ATA me rreth 130 anëtarë), po presin se çfarë kanë menduar politikanët të bëjnë me këtë sektor nëse do të vijnë në pushtet.
Flitet shpesh, për fasadë, se turizmi është sektor prioritar i ekonomisë. Por nëse është dashur të merret një vendim ndërmjet industrisë dhe turizmit, vendimi është marrë gjithmonë në dëm të këtij të fundit. Po ta marrim hartën turistike nga veriu në jug, kudo ku ka potenciale turistike. Mesa duket “lobingu anti-turizëm” është kujdesur ta shkatërrojë atë: Shëngjini është betonizuar dhe ka depozita nafte ne bregdet, Krujës po i marrin frymën fabrikat e çimentos, Golemi dhe Shkëmbi i Kavajës janë pionierët e modelit të shëmtuar të betonizimit masiv të bregdetit, (dhe në vend të mendonim si ta lehtësonim këtë zonë, autostrada që po i bëhet do e mbingarkojë me njerëz dhe trafik dhe do ja shkurtojë më shumë jetën), Saranda e shëmtoi vetveten me ndërtime pa asnjë kriter duke përforcuar faktin se industria e ndërtimit është me prioritare se turizmi, dhe së fundmi i vihet vula me projektin e ndërtimit të një porti të madh mallrash në Vlorë (përsëri industria e naftës kishte më shumë prioritet se turizmi), ndërkohë që Mali i Zi ndërton portin më të madh të Jahteve në Adriatik me kapacitet rreth 800 Jahte dhe mega Jahte. Po t’i shtosh këtyre ligjin për ndalimin e mjeteve lundruese që u zgjat në kohë megjithëse afati i ka skaduar, (sepse parlamentaret tanë nuk patën kohë që të merreshin me shfuqizimin e këtij ligji, por na e lanë ”dhuratë” edhe këtë vit duke dëmtuar sërish turizmin); ligjin e të huajve që penalizoi hyrjet e shtetasve nga disa vende të rajonit dhe vende me shumë interes turistik si Rusia, Ukraina etj, po ashtu edhe heqjen e licencim/kategorizimit në turizëm, duket qartë se turizmi është i fundit në listën e prioriteteve të politikës.
Një fakt tjetër mbi dogmën se turizmi është prioritar, është se ka mbi 10-15 vjet që një nga investimet e vetme serioze ndërkombëtare, ai i Club Med në Kakome është tejzgjatur deri në lodhje prej konflikteve të pronës dhe konflikteve me komunitetin (duke i lëne pothuajse në zero investimet e huaja në turizëm), ndërkohë që të gjithë investimet industriale janë mbyllur shumë më shpejt megjithëse shumë prej tyre kanë pasur po ashtu konflikt me komunitetin.

Nuk mund të jetë prioritet turizmi kur Ministria e Turizmit ka qenë e fundit për të cilën “është bërë luftë” për t’u marrë (dhe për tu mbajtur), nga ata që kanë qenë në pushtet, dhe për më tepër Ministrat e kësaj Ministrie (që lëvizin edhe me shpesh se çdo Ministër tjetër) nuk kanë patur asnjë lidhje apo edukim mbi turizmin dhe për rrjedhojë asnjë vizion se çfarë do bëhej me këtë sektor të rëndësishëm. Ndërkohë që në Kroaci, Ministri i turizmit kërkoi dorëheqjen, sepse qeveria nuk i pranoi kërkesën e bërë nga Shoqata e Turizmit për uljen e TVSH në 6% për akomodimet dhe 10% për shërbimet e tjera turistike (sa për informacion Shqipëria është i vetmi vend në rajon që paguan 20 % TVSH në akomodim). Nuk mund të jetë prioritar turizmi kur buxheti që i akordohet MTKRS për zhvillimin e turizmit është rreth 800 mije Euro, (duke qenë dhe me i ulët sesa te gjithë sektorët e tjerë që ajo ministri mbulon), dhe nga ky buxhet për marketingun e vendit janë vetëm 300 mijë Euro (sa një spot publicitar në CNN!), ndërkohë që Mali i Zi caktoi këtë vit 500 mijë Euro vetëm për promovimin e vendit në fqinjët e tij, dhe për mos të përmendur këtu që Turqia ka një buxhet prej 100 milionë Euro vetëm për marketingun!

Nëse sektori kryesor në vend është bujqësia dhe sektori me rritjen me të madhe (rreth 20%) është turizmi, logjika ta thotë që fusha kryesore ku ne duhet të fokusohemi në të ardhmen duhet të jetë një kombinim i zhvillimit te industrisë së lehtë (agrikultura, industria ushqimore etj) dhe shërbimeve, ku rolin kryesor duhet ta zërë turizmi. Por duke injoruar ketë bazë ekzistuese te ekonomisë, është zhgënjyese për të gjithë industrinë tonë të turizmit që të shikojmë se investimet kryesore dhe deklaratat e disa politikaneve kanë fokus kryesor industrinë e rëndë. Ne kemi fatin e madh që të jemi në grupin e vendeve të Mesdheut i cili synohet nga i gjithë tregu turistik botëror, dhe na ka falur natyra këtë klime të mrekullueshme, këtë diversitet relievi, mbi 400 km bregdet dhe këtë kulture unike. Atëherë si ka mundësi ta injorojmë gjithë këtë potencial për zhvillimin e vendit dhe të kërkojmë të ndërtojmë të ardhmen nga hiçi, nga industritë e rënda, të naftës, TEC-eve, fabrikave të çimentos, e deri tek centralet bërthamore?! Nuk është e ndershme të luhet me varfërinë e njerëzve duke i detyruar ata të pranojnë çdo lloj investimi mjaft që të kenë një vend pune. Për të parë se çfarë të mirash na solli industria në ekonomi dhe sidomos në mjedis mjaft që të kujtojmë helmin që shpërndante metalurgjiku i Elbasanit ne qiellin e këtij qyteti, ndotjen e Fabrikës së Sodës në Vlorë, të Azotikut ne Fier, Superfosfatit në Laçit, ndotjen e naftës në Roskovec dhe Ballsh etj. Kjo pavarësisht “fatit të madh” që ne kemi që gjithmonë na sjellin teknologjinë më të fundit në botë që nuk është aplikuar askund me parë (edhe këto investime te kohës se komunizmit mund të kenë qenë në kohën e tyre teknologji moderne, fundin e tyre negativ e shikojmë të gjithë). E përsëris, ne kemi me bollëk diell, det, e gjelbërim, nuk kemi naftë, qymyr e uranium, atëherë kush është logjika e këtyre investimeve dhe e kësaj të ardhmeje?! Mos duam të kompensojmë tani revolucionin industrial që bota e ka bërë 100 vjet më parë, duke vazhduar të jemi 100 vjet mbrapa, ndërkohë që theksi sot në botë vihet tek mjedisi dhe zhvillimi i qëndrueshëm i ekonomisë?

Një nga pikat me problematike të zhvillimit të deritanishëm ka qenë dhe papunësia. Avantazhi me fantastik i turizmit është se krijon efekte pozitive të shumëfishta dhe dytësore edhe në sektorët e tjerë ndihmës që kanë lidhje me të, si bujqësia, industria përpunuese ushqimore, prodhimet artizanale, tekstilet, etj. Pra sektori i turizmit që sot punëson rreth 140 mije punonjës ndihmon që të shtohen të punësuarit në të gjithë sektorët e tjerë që kanë lidhje me turizmin. Nëse ne do ndërtojmë TEC-e në bregdet apo porte mallrash, kjo nuk është ndonjë zgjidhje për hallet e qytetarit të Kolonjës, Skraparit apo Tropojës sepse nuk besoj se do të donim që edhe ata qytetarë që kanë ngelur andej të vinin nga halli të punonin hamall në Vlore apo në TEC-et e Durrësit. Kurse avantazhi i turizmit është që u jep punë edhe deri zonave më të thella si në modelin e Thethit psh, sepse turisti është kurioz të vizitojë të gjithë vendin. Atëherë si ka mundësi që politikanet “u qajnë hallin” të punësuarve që nga Tregu Çam e deri tek rrobaqepësia e lagjes, dhe asnjë nuk denjon të pyesë se ç’hall kanë ata që punojnë në turizëm? Si ka mundësi që bëjnë gara se kush do hapë me shumë vende pune dhe nuk mendojnë se rruga më e lehtë dhe e logjikshme për të arritur ato numra vendesh të reja pune është nëpërmjet zhvillimit të turizmit? Nëse do marrim një shembull: bujqësia është fokusi kryesor i shumë partive sot, dhe turizmi u sjell një treg të gatshëm prej rreth 1.5 milionë turistësh (po të marrim një shifër pak me realiste sesa ajo mediatike) fshatarëve që t’u shesin prodhimet e tyre, një mundësi që nuk do te arrihej nëse do të synonin të çanin tregun e huaj në mënyrë që të shesim po të njëjtat prodhime në vendin e origjinës së këtyre turistëve.

Turizmi zë rreth 50% të totalit të eksporteve në vend, mbi rreth 11% të numrit të punësuarve, zë 4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në industri dhe rreth 14% të PBB-së në ekonomi (të dhënat e marra nga WTTC (Këshilli Botëror i Udhëtimeve dhe Turizmit) i cili përcakton si PBB të turizmit në industri kontributin direkt në industri, kurse PBB-ja e turizmit në ekonomi përfshin kontributin direkt dhe indirekt të turizmit nga bizneset e turizmit dhe nga bizneset që u ofrojnë prodhimet dhe shërbimet sektorit te turizmit (si bujqësia, prodhimet artizanale etj). Koncepti i PBB-së te turizmit në ekonomi përdoret kur duam të kuptojmë impaktin e vërtet dhe total të turizmit në ekonominë e një vendi.
Të ardhurat nga turizmi llogariten mbi 1 miliardë Euro në vit duke kaluar edhe remitancat (të ardhurat që vijnë nga emigrantet). Pra të gjithë parametrat e zhvillimit të turizmit në vend janë me të larta se çdo sektor tjetër, atëherë si ka mundësi që të injorohet një sektor i tillë nga politikanët tanë?! Dhe të mos harrojmë që këto parametra pozitive janë fryt i një zhvillimi pothuajse spontan dhe kaotik i turizmit. Po sikur vërtet ta konsiderojmë këtë sektor me prioritarin e zhvillimit të vendit (dhe ta zhvillojmë ashtu siç duhet), e mendoni sa shumë më pozitive do të jenë shifrat e mësipërme?
Unë e kuptoj se ne kemi një përvoje të pakët në turizëm, (rreth 15 vjet) gjë që bën që njerëzit të jenë më pak të vetëdijshëm në avantazhet e turizmit, dhe që politikanët të rezervohen në atë që thonë për turizmin pikërisht prej mungesës së njohurive dhe ekspertizës, por duke e shmangur atë problemi nuk zgjidhet, sepse nuk është faj të mos dish por të mos pyesësh.
Politikanët tanë nuk mund të vazhdojnë të kenë me luksin të fusin në vend mbi 1 miliard Euro nga turizmi dhe nga ana tjetër të investojnë për turizëm me pak se 0.1% e asaj që i marrin. Po ia morëm frymën me investime të industrisë së rëndë, dhe po nuk u investuan shuma të paktën 10 herë me të mëdha sesa investohet sot në zhvillimin e turizmit (natyrisht sipas një strategjie të qartë), ne nuk do kemi një produkt turistik me të cilin mund të konkurojmë, dhe shpejt nuk do flitet me as për rritje spontane apo kaotike. Dhe nëse ndonjë konkurrent fqinj do na urojë për këtë zgjedhje, fëmijët tanë do na mallkojnë që nuk kemi ditur ta vlerësojmë dhe zhvillojmë këtë vend për atë që natyra na ofron me bollëk.
Nëse ky sektor na referohet si prioritar në zhvillimin e vendit nga organizata serioze ndërkombëtare, nëse fqinjët tanë (dhe të gjithë vendet t Mesdheut) kanë të gjithë fokusin kryesor në zhvillimin e turizmit, dhe nëse siç thashë, me një zhvillim deri tani kaotik, të gjithë parametrat janë shumë premtues dhe pozitiv, atëherë përse kërkojmë të jemi superfuqi atje ku nuk na takon, pse kërkojmë ta vazhdojmë akoma modelin e zhvillimit të vendit me industrinë e rëndë si atëherë kur ndërtonim metalurgjik, superfosfate dhe deri tek traktorë me forcat tona?! Si ka mundësi që injorojmë një sektor kryesor me parametra të tillë duke tentuar të krijojmë nga zero zhvillime industriale në dëm të turizmit që na sjell pjesën më të madhe të të ardhurave?! Efektet negative në mjedis dhe investimet më të mëdha që industria e rëndë kërkon janë një disavantazh i madh nëse do krahasoheshin me investimet më të vogla, dhe jetëgjatësinë më të madhe të investimeve në turizëm.

Besoj se të gjithë jemi dakord që modelin e zhvillimit duhet ta marrim nga vendet që kanë dalje në Mesdhe që janë anëtare të BE-së dhe që kanë madhësinë e territorit dhe popullsisë afërsisht sa të vendit tonë (prandaj nuk e kuptoj dot logjikën e dobët të krahasimit me portin e Roterdamit në Holandë apo TEC-et me qymyr ne Gjermani). Nëse shikon Malin e Zi, Kroacinë, Greqinë, Portugalinë, Slloveninë, (pa llogaritur Maltën dhe Qipron), asnjë nga këto nuk është superfuqi industriale, por kanë të gjithë prioritet turizmin. Industria e transportit detar ne Greqi zë vetëm 4.5% e PBB megjithë mundësit fizike dhe përvojën e gjate për ta bere dominant këtë sektor ne krahasim me turizmin. Në 2007 në Kroaci, 7.2% e ekonomisë e zinte agrikultura, 32.8% e zinte industria (ndërtimi i anijeve, industria e përpunimit të ushqimeve etj) dhe 60.7 % nga sektori i shërbimeve (nga këto turizmi zë 23% e PBB-së në ekonomi dhe 26% e numrit të të punësuarve).
Në Mal të Zi turizmi zë 21% e PBB-së në ekonomi dhe 24% e numrit të punësuarve, në Greqi turizmi zë 16% e PBB në ekonomi dhe 20% e numrit të të punësuarve, në Portugali turizmi zë 15.6% e PBB-së ne ekonomi dhe 19% e numrit të të punësuarve, në Slloveni turizmi zë 12% e PBB në ekonomi dhe 13% e numrit të të punësuarve (në Qipro turizmi zë 21% e PBB në ekonomi dhe 27% e numrit të të punësuarve).
Por edhe në vende gjigande te ekonomisë evropiane apo edhe botërore si Franca, Italia dhe Spanja turizmi zë një vend dominant në ekonomi (në France turizmi zë 11% e PBB në ekonomi dhe 13% e numrit të të punësuarve, Itali turizmi zë 10% e PBB në ekonomi dhe 11% e numrit të të punësuarve dhe Spanjë turizmi zë 16% e PBB në ekonomi dhe 17% e numrit të të punësuarve).

Ndoshta ne një perspektivë afatgjate, nuk do sugjeroja kopjimin ekzakt të modelit të Kroacisë, Malit te Zi, Qipros apo Maltës ku turizmi është shumë dominant në ekonomi (gjë që e bën atë të varur nga ky sektor) dhe nuk mbështetet shume nga një sektor modern bujqësor, dhe degë të tjera të shërbimeve, si sistemi bankar, ai i sigurimeve, tregtia, etj) por gjithsesi në fazën e një vendi në zhvillim të gjithë këto vende që përmendëm më sipër janë duke futur një sasi te madhe valute në vend (psh Kroacia rreth 9 miliard Euro në vit!) i cili është aq jetik për gjallërimin e ekonomisë.

Ajo që ne duhet të synojmë është zvogëlimi i dominancës së sektorit të bujqësisë në ekonomi duke e modernizuar atë, por kjo jo të zëvendësohet me industrinë e rëndë por me shërbimet dhe kryesisht me turizmin. Shqetësimi kryesor sot duket se po vjen nga investimet në industrinë e rëndë që përmenda, të cilat jo vetëm nuk do ndihmojnë në rritjen e turizmit por do rrezikojë edhe atë volum të konsiderueshëm që turizmi zë sot në PBB. Megjithatë, ka një hapësirë për një rritje të masës së turizmit në PBB dhe sidomos në punësim në vlerat e 20% gjithmonë nëse do zhvillojmë një turizëm cilësor dhe të qëndrueshëm.

Kliton Gërxhani, President i Shoqatës Shqiptare të Turizmit (ATA)