My Motivation Quote


"It is no use saying, 'We are doing our best.' You have got to succeed in doing what is necessary." ~ Sir Winston Churchill


Monday, October 8, 2012

"Shtëpia e Kongresit te Manastirit është me ne fund ne hartën e Google" - Gazeta Shqip 08/10/2012

Këtë vere vendosem te vizitonim Bitolen ne Maqedoni me mikun tim Armand, pa fshehur faktin se një nga arsyet kryesore qe na shtynte te vizitonim këtë qytet, ishte shtëpia ku u mbajt Kongresi i Manastirit ne Manastir (sot Bitola) ne 14 nëntor 1908 për përcaktimin e Alfabetit te Gjuhës Shqipe. Bitola, megjithëse me 2 xhami te mëdha ne qendër te saj e shume elementë te tjerë kulturor qe tregonin se ne atë qytet kishte dominuar popullsia shqiptare. Sot nuk flitej për dominim, por ishte e vështirë te hasje dike qe fliste shqip, te paktën ne pamje te pare dhe për aq sa qëndruam dhe u interesuam ne. Këtu nuk flitet për nacionalizëm por thjesht prisnim dhe na e kishte qejfi qe përveç maqedonasve te gjenim lehtësisht edhe shqiptare, ne rruge, ne emërtime zyrtare te objekteve e rrugëve (siç qe ne Shkup psh), ne biznese turistike apo te tjera, dhe mbi te gjitha ne atë për te cilën ky qytet njihet ndërmjet shqiptaresh… Shtëpinë e Kongresit te Manastirit. Pyetem shume vendas qe takuam (maqedonas kuptohet) dhe pothuajse askush nuk dinte gjë për te (te paktën te tilla qene reagimet). Kërkuam ne hartën e Google dhe nuk kishte asnjë gjurmë. Vetëm në Wikipedia kishte diçka rreth historisë, dhe disa foto, por asnjë ADRESE (?!). Si ka mundësi qe gjithkush nga shqiptaret qe ka qene atje nuk shkruan ne internet te paktën adresën e sakte te kësaj shtëpie historike për ne?! Si ka mundësi qe shqiptaret e Bitolas (vendasit e hershem te Manastirit) te paret, por edhe shqiptaret e tjerë te Maqedonisë nuk promovojnë këto vende historike te paktën ne internet. Dhe pastaj ankohen gjithë ditën se po asimilohen dhe po u shkelen te drejtat, e po konsiderohen qytetarë te dorës se dyte?! Kush do ua qaj hallin e mbrojë te drejtat kur ata vete nuk promovojnë vetveten nëpërmjet edhe këtyre simboleve historike-kulturore?! The Congress of Manastir's House

Gjithsesi me shume te pyetura me ne fund e gjetëm Shtëpinë. Ishte një vile e bukur nga jashtë por e vetmja gjë qe te kujtonte qe ishte shtëpia e Kongresit te Manastirit ishin dy pllakate ne te, një i vene për 60 vjetorin dhe një tjetër me i vogël i vene për 100 vjetorin e Kongresit te Manastirit. Asgjë me shume! As ndonjë flamur, a ndonjë muze! Ne katin e pare madje dukej sikur shiteshin objekte hidrosanitare, pra mund te ishte një dyqan qe ishte i mbyllur. Për ironi ato dite dëgjova qe qeveria jone do te harxhonte disa miliona euro për një Muze te Bankës Shqiptare, ndërkohë qe ato leke mund te përdoreshin (mund te ishte bere kjo pune edhe me pare) për blerjen e kësaj godine dhe kthimin e këtij objekti ne një vend te nderuar te historisë Shqiptare. Te paktën te konsiderohej një fakt i tille, aq me tepër tani qe festojmë edhe 100 vjetorin e Pavarësisë i cili nuk do kishte ardhur pa pasur një gjuhe tonën e cila u caktua ne këtë Shtëpi.

Pasi i bëmë disa fotografi e shënuam adresën e saj te cilën po e shkruajmë ketu qe te mos vuajnë si ne ata qe nuk e dine dhe është: « Boulevard 1st of May, Nr 23, Bitola, Macedonia (FYROM)”. Ne kthim vendosa te punoj për caktimin e pikës se këtij objekti historik ne hartën e Google, e cila dihet qe është burimi pothuajse i vetëm ku kërkohen me miliarda adresa çdo dite ne te gjithë boten. Pra diçka e domosdoshme për çdokënd qe do te “gjendet” ne kohet e sotme dhe një reklamë e jashtëzakonshme. Pas disa komunikimeve me vlerësuesit e adresave te reja qe shtohen ne Google, ndërmjet tyre edhe Maqedonas te cilët kërkonin qe emërtimi zyrtar te shkruhej ne Maqedonisht dhe qe « Kongresi i Manastirit » te përkthehej ne « Kongresi i Bitolas », sot kam kënaqësinë e jashtëzakonshme qe te ndaj me te gjithë ju qe lexoni shqip, lajmin që Google e pranoi vendosjen e pikës ne hartë me emërtimin primar ne anglisht !. Pra nga sot e tutje kushdo qe do shkoje te vizitojë Shtëpinë e Kongresit te Manastirit, mjaft qe te kërkojë ne Google ne anglisht « The House of Congress of Manastir in Bitola » ose edhe vetëm « Congress of Manastir » dhe do gjej ne hartën e Google piken se ku ndodhet kjo shtëpi, me adresën e sakte dhe disa foto qe i bëra Shtëpisë dhe pllakave ne te. Pra mjaft ta printosh këtë harte ne internet apo te kesh një smartphone dhe nuk ke me nevojë te sillesh vërdallë për te gjetur arsyen kryesore për te vizituar Bitolen e sotme ose Manastirin e dikurshëm. Ka shume objekte historike-kulturore te rëndësishme për Shqipërinë, si rasti i Shtëpisë se Kongresit te Manastirit qe gjenden brenda apo jashtë kufijve te Shqipërisë te cilat nuk kane piketimin e tyre ne hartën e Google, ose e thënë ndryshe janë te harruara e larg vëmendjes te një tregu milionësh turistesh. Prandaj ndjehem mire, qe i bëra një dhuratë te vogël promovimit te kulturës dhe historisë sonë ne këtë 100 vjetor te Shpalljes se Pavarësisë, por mbi te gjitha dua te përcjell shembullin qe te gjithë ne mund te bëjmë shume për promovimin e kulturës tone jo domosdoshmërisht me para, por me pak sforco e shume dashuri.

Kliton Gerxhani
Konsulent turizmi

Saturday, December 10, 2011

"A ka shprese turizmi i Durresit?" - Gazeta Shqip, 10/12/2011


Të ulesh sot të shkruash diçka pozitive për turizmin e Durrësit është jo e lehtë. Këtu e kam fjalën kryesisht për zonën e Plepave, Shkëmbit të Kavajës dhe Golemit, pra zonën më të dëmtuar nga ndërtimet kaotike. Për një profesionist turizmi kjo bëhet akoma edhe më e vështirë, sepse diskutimi duhet të bazohet mbi vizionin e zhvillimit turistik të kësaj zone dhe jo lustra politike e mediatike sa për të kaluar radhën. Personalisht ndjej edhe një detyrim moral për t’u ulur dhe menduar alternativat e mundshme të zhvillimit të turizmit të kësaj zone, sepse jam pjesë e shumicës së njerëzve që e kanë kritikuar fort këtë zhvillim të deritanishëm të zonës së Durrësit, duke e marrë madje edhe për shembull si modelin me të keq të zhvillimit të një zone turistike i cili nuk duhet të përsëritet në zonat e tjera. Kam parasysh këtu sidomos modelin e Golemit nga i cili ka dal edhe termi negativ “Golemizim”. Pra nuk do të doja të bëja pjesë në grupin e atyre njerëzve të cilët pasi e keqpërdorin një destinacion të tillë për interesat e tyre, e flakin atë si limon i shtrydhur nga i cili nuk mund të nxjerrësh me përfitim, dhe për të cilin nuk duan të flitet më. Që të jem i qartë që në fillim: unë i ngelem idesë se Durrësit dhe sidomos zona e Golemit, ka nevojë për një zgjidhje radikale nëse do që të ketë një rinovim të plotë të produktit, për të filluar një cikël të ri të qëndrueshëm. Zgjidhje të cilën e kam përmendur edhe më parë në media, si modelet në Spanjë apo Portugali, ku ndërtime të tëra të shëmtuara dhe jo produktive u rrafshuan dhe mbi to u ngritën resorte të mëdha të qëndrueshme, ku bizneset e ligjshme të mëparshme u bënë bashkëortakë. Kurse me ketë shkrim dua të hedh disa mendime se si mund të shtohet jeta e këtij produkti me shumë më pak ndryshime, por e përsëris, pas disa kohësh, zgjidhja radikale do të ngelet si e vetmja alternativë.
Ketë vit turizmi shqiptar i plazhit përjetoi për herë të parë një rënie të ndjeshme me rreth 20-30% sipas burimeve të marra nga bizneset. Dy faktorët kryesorë negativ të cilët e shkaktuan këtë rënie qenë zgjedhjet lokale të Majit të cilat penguan marrjen e masave për sezonin e plazhit dhe krijuan një atmosfere të tensionuar politike, dhe liberalizimi i vizave që solli edhe një rrjedhje të konsiderueshme të tregut vendas drejt Greqisë, Italisë, Spanjës etj. Ndërkohë parashikimet e rritjes ekonomike në botë për 2012 nuk janë shumë pozitive. Frika e një krize në Eurozonë dhe e një recesioni të mundshëm të SHBA-së kanë ndikuar edhe uljen e parashikimit të rritjes së industrisë së turizmit për 2012 nga WTTC (Këshilli Botëror i Turizmit dhe Udhëtimit) nga 5% në 3%. Kjo situatë e përforcon faktin që ne jemi të detyruar t’i kthejmë sytë nga tregu turistik vendas ose shqipfolës.
Duke qenë destinacioni më lehtë i arritshëm, 30 min larg nga Aeroporti dhe duke pasur portin kryesor në vend, me plazhe ranore rreth 30 km të Gjirit të Durrësit (dhe po kaq të Gjirit të Lalëzit) pra me një potencial shumë të madh zhvillimi turistik, Durrësi ka qenë për fat të mirë dhe të keq eksperimenti i parë i turizmit të plazhit në vend. Kjo bëri që pas viteve 90’ por sidomos pas viteve 2000’ në Gjirin e Durrësit të lëshohej babëzia e të ashtuquajturve ndërtues të rinj që masakruan pyllin e ndërtuan kulla të shëmtuara vertikale, pa asnjë lloj kriteri teknik apo estetik, duke shënuar rekordin sot në pallate 20-30 katëshe 10 m larg bregut! I gjithë ky përdhunim i pasurisë sonë kombëtare, dhe mbi të gjitha i turizmit shqiptar, u bë për fat të keq me bekimin e politikës lokale dhe qendrore. Sot si për të fshehur mëkatin e saj dhe për të konfirmuar dritshkurtësinë në vizion ndaj turizmit, kjo politik i ndërtoi një rrugë me ndarëse të pakalueshme mes për mes asaj zone duke i falimentuar përfundimisht bizneset larg detit, dhe duke lënë me pak shpresë vetëm bizneset në krahun e detit, por edhe atë e izoluan vizualisht sikur nuk duan ta shohin me mëkatin që kanë bërë.


Disa faktorë të tjerë që ndikojnë në largimin e tregut turistik nga Durrësi (por jo vetëm) gjatë verës janë edhe ndotja e madhe e ujërave të zeza të cilët shkarkohen në det, ndotja nga plehrat, ndotja nga ndërtimet e pambaruara, ndotja akustike dhe vizuale, trafiku i rënduar, mbipopullimi me njerëz, mungesa e shërbimeve profesionale, mungesa e alternativave të argëtimit përveç plazhit ushqimit dhe fjetjes etj. Dhe kjo ndodh kryesisht gjatë korrikut dhe gushtit. Ndërkohë jashtë kësaj periudhe vizitorët pothuajse zhduken fare, dhe këtu fillon edhe shansi i këtij destinacioni nëse shihet nga një këndvështrim krejt tjetër nga ai tradicional i plazhit.
Mund të tingëlloi si paradoks por unë besoj se Durrësi ka një potencial më të madh turistik jashtë sezonit sesa gjatë dy muajve të verës. Duke mos pasur njerëz, ndotjet pothuajse reduktohen në minimum; nuk ka pothuajse fare ndotje të ujërave të zeza, ka me pak plehra, nuk ka trafik dhe është një qetësi absolute ku për herë të parë mund të shijosh zhurmën e dallgëve të detit. Shumica e bizneseve “të rastësishme” turistike mbyllen, dhe rrinë hapur vetëm bizneset që e kanë lidhur jetën me turizmin. Pra le të themi, për tregun e Tiranës, i cili punon 5-6 ditë të javës dhe është çdo fundjavë në dilemë se ku mund të çlodhet, larg zhurmës, trafikut, ndotjes së ajrit, mungesës së parqeve dhe gjelbërimit, Durrësi duhet të kthehet natyrshëm në alternativën e parë që të kënaqë këtë treg. Thelbi i këtij produkti duhet të jetë QETËSIA dhe ÇLODHJA, pra pushime relaksi me familjen.



Kush janë pikat e forta apo avantazhet? E para, hotelet që janë të hapura janë ato hotele të cilët kanë krijuar një përvojë në menaxhim, ndryshe nuk do e përballonin dot mbajtjen hapur të biznesit të tyre gjithë vitin, pra do të ishin sezonal. Kjo jep një garanci që shërbimi do të jetë më i miri që ajo zonë ofron sot për sot. E dyta, shumica e këtyre hoteleve ose e kane filluar biznesin e tyre si restorante ose kane punësuar kuzhinier me shumë përvojë, pra edhe ushqimi është nga më të mirët dhe kjo ngelet një nga pikat më të forta të turizmit shqiptar. E treta, shumë prej këtyre hoteleve kanë një hapësirë të pranueshme, gjelbërim dhe shpesh herë edhe pishina, për të krijuar një ambient të qetë e të bukur në buzë të detit ku mund të shijosh një pije, ushqimin apo ku edhe mund të lexosh i qetë një libër. E katërta, janë mbi 30 km plazh që janë krejt bosh për të shëtitur i qetë me familjen, apo për të vrapuar. E pesta, megjithë kusuret e veta, gjeografikisht Durrësi ngelet po aty, 40 km ose 30 minuta larg, distancë kjo më e vogla e mundshme për të shkuar diku në fundjavë për tregun gati 1 milionësh të Tiranës, si dhe pika më e afërt e plazhit për tregun 2.5 milionësh të Kosovës që me rrugën e re është 2-3 orë larg. Dhe e fundit, e gjithë kjo me një kosto minimale.
 Kush janë pikat të cilat duhen ndryshuar apo përshtatur për të tërhequr ketë treg jashtë sezonit? E para, bizneset duhet t’i përshtaten nga ana manaxheriale 100% një tregu të tillë, tregut të fundjavës pra, i cili ka shumë pak pika të përbashkëta me tregun e plazhit. Ky treg mund të jetë ditor dhe në ketë rast ka nevojë të kalojë vetëm një drekë të këndshme, ose me një apo dy netë fjetje, pra që vjen të premten dhe ikën të dielën (kjo e fundit duhet të jetë edhe synimi kryesor që duhet të arrijnë këto biznese). E dyta, çmimet e fjetjes duhet të jenë sa më të ulëta, mundësisht në kosto, që të mos jenë pengesë për këtë treg sidomos në prezantimin e parë të këtij produkti, dhe të ketë oferta të ndryshme për fëmijë. Fitimi në këtë rast duhet të llogaritet tek ushqimi dhe shërbimet e tjera. E treta, është e domosdoshme të investohet në shërbime shtesë relaksi dhe argëtimi, si pishina të mbyllura për të rritur dhe fëmijë, qendra SPA, sauna, banjo turke, jacuzzi etj. (ose turizmi i shëndetit dhe i mirëqenies), argëtime ne salla të mbyllura si bowling, bilardo, pingpong, salla lojërash, etj të cilat i mbajnë klientët të angazhuar në rastin e një kohë jo të mirë, por edhe fusha tenisi, minigolfi, kënde lojërash për fëmijë, biçikleta etj për aktivitete ne ambient të hapur në rast se koha është e mirë.

Në kushtet e sotme kur pallatet-hotele janë kurriz me kurriz kjo duket pothuajse e pamundur, por jam i sigurt se nëse tregu vendas do i rikthehet Durrësit nga shtatori ne qershor, pra për 10 muaj në vit, hotelet e suksesshme do të jene të interesuara të blejnë objektet dhe hapësirat përreth për t’u zgjeruar dhe shtuar shërbimet e munguara. E katërta pushteti lokal duhet absolutisht të pastroj çdo mbeturinë në atë zonë si dhe plazhin në mënyrë periodike, gjë të cilën e ka me të lehtë sepse ngarkesa e ndotjes është e vogël. Dhe e fundit një nga çelësat kryesor të suksesit të kësaj “ringjallje” produkti është marketingu. Nevojitët një marketing i mirëmenduar me karakter sensibilizues por edhe specifik për këtë produkt, në mediat lokale por edhe ato Kosovare, nga privatët por mbi të gjitha nga Bashkia, Prefektura dhe Ministria e Turizmit ose AKT.  Nëse shqiptarët do të informohen për një fundjavë në Durrës me kushtet e mësipërme do paguajnë 1/3 e asaj që paguajnë ne hotelet e Budvas, besoj se zgjedhja se ku mund të kalohet fundjava nuk do të jetë më e vështirë.

I vendosur në trajektoren e Ciklit të Jetës së Produktit Turistik të teorisë së Butler-it, Durrësi është sot për mendimin tim, për fat të keq, i pari produkt turistik në vend në “vdekje” apo rënie. Ky vizion nëse do realizohet në praktikë (me pak kosto financiare, por shumë vullnet nga të gjitha palët) do përbëjë kthesën pozitive  të kësaj zone në këtë trajektore, pra “rigjallërimin” e shumëpritur nga të gjithë deri në një afat të dytë kur të gjithë të jenë gati për një zgjidhje afatgjatë. E sigurt është që bizneset që do investojnë në kohë për t’i paraprirë adaptimit të turizmit të fundjavës, në mos do përfitojnë investimin e tyre mbrapsht po në kohë, do jenë pjesë e projektit të së ardhmes së zhvillimit turistik të kësaj zone.
Për arsyet qe përmenda në fillim të këtij shkrimi, ky model iu dedikua pjesës më të dëmtuar të turizmit të Durrësit. Por kjo nuk do të thotë se kjo nuk mund të aplikohet për zona të tjera turistike shqiptare me adaptimet përkatëse sipas karakteristikave të zonës.
Kliton Gërxhani
Ekspert Turizmi

Saturday, September 10, 2011

"Turizmi yne, i varfer" - Revista Monitor, 08/08/2011

Flet Kliton Gerxhani, ekspert i sektorit

Vizat dhe e drejta per te zgjedhur

Është e vërtet që shqiptarët vazhdojnë të preferojnë gjithnjë e më shumë që pushimet verore ti kalojnë jashtë Shqipërisë. Ka disa faktorë që shpjegojnë këtë fenomen. Me kryesori është që produkti ynë i plazhit është shumë i varfër. Është i njëjti produkt që ka qenë këto 10-15 vitet e fundit, ose ajo që ka qenë në Mesdhe 30—40 vite me parë, pra thjesht një hotel dhe plazhi. Ndërkohë që kërkesa e madhe që vjen gjatë korrikut dhe gushtit sjell rritjen e çmimeve që e bën ketë produkt jo konkurrues prej raportit cilësi/çmim për atë pjesë të tregut që e përballon ketë çmim ose që paguan edhe pak me shumë ne vendet e tjera të Mesdheut por merr mbrapsht po me shumë. Faktor tjetër është edhe mundësia me e madhe për të zgjedhur tani që u liberalizuan vizat, gjë që shton ne listën e konkurrentëve të plazheve shqiptare edhe vende si Greqia, Italia, Spanja, Kroacia etj. Pra është një miksim i dëshirës se madhe të një tregu të izoluar për pothuajse 60 vjet për të vizituar vende të reja, sidomos fqinje, dhe ndërgjegjësimit të këtij tregu që për pushimet vjetore çmimi është i rëndësishëm por jo me i rëndësishëm sesa shpërblimi për atë çmim, çlodhja, argëtimi, eksperienca dhe kujtimet që ngelen ne memorie gjatë atyre pushimeve.

Ndertimet dhe kapaciteti i akomodimit

Zhvillimi i pakontrolluar dhe kaotik i turizmit tone të deritanishëm do na dëmtojë të gjithëve edhe për shumë vite. Është e papranueshme të shikosh që edhe sot e kësaj dite ky zhvillim ka të njëjtën formë e përmbajtje të shëmtuar dhe ritëm të frikshëm si 10 vite me parë, dhe asnjë qeveri nuk ndërhyn të thojë atë “STOP”-in e shumëpritur. Askush nuk e kupton për fatin tone të keq që çdo ndërtim pa leje i bërë nga privati do të kërkoj nesër dyfishin e kostos se atij ndërtimi për tu prishur nga shteti, por ne atë rast jo më me leket e privatit por me leket e taksave tona. Ndërtime të tilla pa fund hotelesh me 10 dhoma nuk do i hyjnë kujt ne pune ne të ardhmen nëse kjo do të përbëj mbi 80% e tregut të hoteleve shqiptare. Ajo që ne kemi nevojë sot janë rezortet me mbi 200-300 dhoma që respektojnë natyrën dhe arkitekturën dhe që menaxhohen nga një staf i kualifikuar ne hoteleri. Por ndërsa e gjithë industria e turizmit shqiptar ka nevoje të dëshpëruar për staf të kualifikuar, paradoksi ne Shqipëri është që për turizëm studiojnë vetëm 10-20 të rinj ne vit. Shkollat e turizmit pothuajse po mbyllen ngaqë nuk kane student mjaftueshëm, sepse ata për “fat të keq” nuk i dëgjojnë lajmet e politikes ku trumbetohet që turizmi është “prioritet mbi prioritet” që mund ti besojnë të ardhmen e tyre këtij sektori, ose i dëgjojnë por “nuk duan ta hane atë kokërr ulliri” kur shikojnë që realiteti është i ndryshëm nga ai çka thotë politika.


Dy skenaret e zgjidhjes

Ka dy rruge për daljen nga kjo situatë dhe përmirësimin e turizmit shqiptar: e para është lënia e këtij sektori të eci vetë pa i dhënë asnjë lloj ndihme siç nuk është bërë deri tani nga shteti me ligjet, politikat dhe stimujt financiar të duhur. Nëse sektori privat del nga rutina dhe përshtatja me ketë ambient, dhe i organizuar kërkon me forcë ta ndryshoje ketë situatë ne dobi të forcimit të vetes, atëherë mundësit janë për një kthesë pozitive. Por nëse vitet ikin pa ndonjë ndryshim dhe ndërhyrje ne përmirësimin e kësaj gjëndje, atëherë ka rrezik që falimentimet ta dobësojnë këtë sektor dhe turizmi të mos të jetë me një fushë interesantë ku mund të investohen paratë.

Skenari i dytë është që shteti dhe politika “të shkundet” dhe të jetë ajo udhëheqësja e një procesi transformimi të sektorit të turizmit drejt një industrie të vërtet të qëndrueshme dhe kryesore ne ekonominë e vendit.

Personalisht shikoj tek skenari i dytë potencialin e rrugës më të shpejt për të pasur një turizëm konkurrues dhe që e meriton të qënit pjesë e ofertës së Mesdheut.