My Motivation Quote


"It is no use saying, 'We are doing our best.' You have got to succeed in doing what is necessary." ~ Sir Winston Churchill


Monday, September 3, 2018

"Dilema e turizmit: Çfarë modeli duhet të ndjekim" - Revista Monitor 03/09/2018

Kërkesa “e pakërkuar” e tregut lindor dhe skandinav e ka gjetur tregun turistik vendas të papërgatitur, në varësi të plotë të përcaktimit të çmimeve dhe politikave nga këta operatorë të huaj.

Nga Kliton Gërxhani*

Për gati 20 vite rresht kam shkruar dhe folur në media për rëndësinë që duhet të marrë turizmi në zhvillimin ekonomik të vendit tonë. Në fillim jam munduar të sensibilizoj politikëbërësit, që t’i kushtojnë vëmendje më të madhe këtij sektori që në kohën kur pothuajse nuk flitej për turizëm të mirëfilltë, kur ne flisnim ende për emrat dhe kombësitë e turistëve dhe jo për numrat e tyre, dhe kur sezoni i plazhit ishte vetëm 40 ditë me vështirësi. Ishte koha kur e keqja e madhe e luftës së Kosovës solli të mirën e njohjes së bregdetit shqiptar nga vëllezërit tanë kosovarë dhe kërkesën e tyre për të kaluar pushimet e plazhit në Shqipëri. Por kjo kërkesë e gjeti Shqipërinë pa kapacitetet e nevojshme akomoduese, si dhe pa një plan zhvillimi të zonave bregdetare. E këtu i pati fillesat turizmi i paplanifikuar shqiptar që solli prerjen e pyjeve të Golemit për të ndërtuar simbolin e parë të shëmtuar (jo)turistik që ne e quajmë “golemizim”.
Për të mos e përshkruar të gjithë këtë rrugë të shtrembër 20-vjeçare, sepse është po e njëjta rrugë e gabuar e zhvillimit të paplanifikuar të turizmit, e cila prodhoi betonizimin e Sarandës (dhe praktikisht edhe shkatërrimin e produktit turistik të Sarandës), deri diku të Vlorës, Shëngjinit etj., ajo që është shumë e vështire për t’u kuptuar është mosdija dhe mosdashja e shtetit edhe sot e kësaj dite për të ndërhyrë radikalisht në këtë sektor dhe planifikuar atë.

Kërkesa e rritur
Këto 3-4 vitet e fundit po përballemi me fenomenin e rritjes së kërkesës nga tregu i Europës Qendrore dhe Lindore si dhe ka një interes edhe nga tregu skandinav. Kjo pati një të mirë që u dha shpresë këtyre zonave problematike të betonizuara që mezi sajoheshin në informalitet me një muaj e gjysmë sezon në vit, por nga ana tjetër, po përcjell një imazh të rremë tek ata që nuk e kuptojnë ose bëjnë sikur nuk e kuptojnë, që me ketë rast u zgjidhën edhe problemet e betonizimit dhe mosplanifikimit, të cilat aktualisht janë po aty dhe koha do t’i nxjerrë përsëri “mbi ujë”. Kjo kërkesë “e pakërkuar” e tregut lindor dhe skandinav e ka gjetur tregun turistik vendas të papërgatitur, në varësi të plotë të përcaktimit të çmimeve dhe politikave nga këta operatorë të huaj. Nga ana tjetër, tregu patriotik që përbën ende rreth 80% të totalit të pushuesve po shikon që nuk është më treg prioritar për shumë hotele dhe ne rrezikojmë të humbasim gradualisht këtë treg, nëse nuk do të marrim një vendim se çfarë turizmi do të bëjmë në 10 vitet e ardhshme. Prandaj mendoj se ka ardhur koha të vendosim nëse do të bazohemi te dominanca e tregut vendas dhe shqipfolës, të cilët i kemi “dhuratë” prej shumë faktorëve, apo do synojmë tregun e huaj që paguan më shumë, por që praktikisht nëse vjen në numra të mëdhenj sjell edhe rritjen e çmimeve, gjë që pastaj krijon problem për popullsinë vendase që ka të ardhurat nga më të ulëtat në Europë? Sepse praktikisht nga ata që sot i quajmë të huaj, po të analizosh me vëmendje, kreun e tabelës e zënë tregje me shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë, ose emigrantët tanë në Greqi, Itali, Gjermani etj. Numri më i lartë i vërtetë i të huajve është nga polakët me rreth 100 mijë turistë, ose vetëm rreth 5% e totalit të turistëve. Pra sido që t’i rrotullosh, numri real i turistëve të huaj nuk kalon më shumë se 15-20% të totalit. Prandaj duhet të zgjohemi nga ëndrrat e bukura dhe pikërisht nga këtu duhet ta fillojmë analizën.

Dilema
Ka ardhur koha të vendosim nëse do të bazohemi te dominanca e tregut vendas dhe shqipfolës, të cilët i kemi “dhuratë” prej shumë faktorëve, apo do synojmë tregun e huaj që paguan më shumë, por që praktikisht nëse vjen në numra të mëdhenj sjell edhe rritjen e çmimeve, gjë që pastaj krijon problem për popullsinë vendase që ka të ardhurat nga më të ulëtat në Europë?

Është e parakohshme të gëzohesh për suksesin e rritjes së numrave të turistëve, në qoftë se kjo rritje e turistëve, që kalon gati dyfish numrin e popullsisë vendase, nuk shoqërohet me gjithë spektrin e masave për ta akomoduar dhe mirëmenaxhuar këtë prurje. Nëse ne po përballemi me një kërkesë në rritje për turizmin e plazhit, hotelet ekzistuese apo edhe të reja që do hapen, kanë nevojë për një industri agropërpunuese mbështetëse, për një infrastrukturë turistike më të zhvilluar që të përballojë këtë fluks, si dhe për një numër në rritje punonjësish të edukuar dhe të kualifikuar në turizëm në shkolla profesionale të turizmit. Sepse tregu aktual turistik është totalisht i paorganizuar, dhe ka nevojë të ketë standarde profesionale, të trajnohet dhe orientohet për ta përballuar me sukses këtë trend. Nëse nuk i bëjmë të gjitha këto, por ushqimin e importojmë, punonjësit do t’i marrim nga Maqedonia dhe Serbia dhe rrugët, kanalizimet, ujin e pijshëm, ndotjen e plazheve dhe ambientit do ta lëmë siç e kemi, jemi duke fryrë një tullumbace që shpejt do të çahet dhe copat e saj do të na bien fytyrës.
Nga ana tjetër duhet të jemi realist në leximin e shifrave, sepse ky fluks në rritje vazhdon të ketë ende një shpërndarje të deformuar në treg, ngaqë ka një mbingarkesë të numrit të turistëve në zonat afër dy aeroporteve, atij të Tiranës dhe Korfuzit, pra kryesisht në Durrës dhe Sarandë, por ndërkohë vazhdon mungesa e turistëve në të gjitha zonat e tjera, dhe perla si Riviera Shqiptare janë duke pasur turizmin tradicional të 45 ditëve në vit. Ose e thënë ndryshe, numrat dhe sasia e turistëve është me tepricë të dëmshme në 20-30% të territorit dhe është krejt i pamjaftueshëm në 70-80% të territorit që ngelet. Ndërkohë që ne nuk kemi as ndonjë plan për të rritur kapacitetet akomoduese atje ku ka kërkesë dhe as plan si të shtojmë numrin e turistëve atje ku nuk është kjo kërkesë e rritur.
Çfarë turizmi duam
Tashmë ka ardhur koha që edhe statistikat e turizmit t’i ngremë nga niveli i krahasimit historik me vitet e mëparshme, sa për konsum mediatik, në nivelin e parashikimit ose pritshmërisë së rezultateve të turizmit. Ose thënë ndryshe, nga krahasimi sasior te krahasimi cilësor. Kjo bën të domosdoshme gjithçka shkrova më sipër, pra vizionin, planifikimin, zbatimin, standardet, edukimin dhe incentivimin e këtij sektori për të kaluar nga turizmi sasior në turizmin cilësor. Sepse duhet të mendojmë nëse duam t’i kemi hotelet plot me 5 Lekë apo t’i kemi më pak plot por me 10 Lekë. Nëse do të krahasohemi me destinacione turistike të përafërta do të kuptojmë diferencën. Sllovenia, me sipërfaqe dhe popullsi të përafërt me ne, por me më shumë përvojë dhe potencial në turizëm, pret më pak se 4.5 milionë turistë, pra më pak se Shqipëria, por ndërkohë merr prej tyre rreth 2.5 miliardë euro, ose 550 euro për turist. Edhe Bullgaria që mbahet për një nga modelet e këqija të zhvillimit të turizmit masiv, edhe pse ka investuar shumë sidomos në turizmin e skive, por edhe të plazhit, ka gati katërfishin e sipërfaqes sonë, përsëri pret rreth 9 milionë turistë, pothuajse sa popullsia e vet dhe merr rreth 4 miliardë euro të ardhura, ose rreth 450 euro për turist. Por ka edhe vende si Kroacia që merr rreth 700 euro për turist, Portugalia rreth 1000 euro për turist apo Izraeli më shumë se 2000 euro për turist! Ndërkohë për 5.5 milionë turistë (dyfishi i numrit të popullsisë) dhe  1.6 miliardë euro që fiton Shqipëria, del që marrim më pak se 300 euro për turist. Pra nëse duam të flasim për rekorde, ky po, vazhdon të jetë një rekord, por negativ sepse janë të ardhurat më të ulëta në rajon për turist. Dhe nëse do të vazhdojmë këtë mburravecërinë e kësaj rritje të zhdrejtë të numrit të turistëve që nuk ndiqet nga të ardhurat, kjo mesatare do të vazhdojë duke u ulur.
Turizmi sasior sapo na ka ardhur, sepse nuk gjeti në shtëpinë tonë as dyer dhe as dritare për të trokitur dhe kur miku të bëhet zot shtëpie (jo për faj të tij në këtë rast për të qenë korrekt) situata e miqësisë nuk zgjat shumë dhe ka veç pasoja negative. Pakënaqësitë e para janë duke ardhur prej presionit të kërkesës më të madhe se oferta. Në një shtëpi me 10 krevate, nëse duan të futen 20 miq, e para njëherë do të dalë i zoti i shtëpisë bashkë me familjen të flejë jashtë, dhe e dyta miqtë do të flenë dy veta në një krevat. Që do të thotë që të dyja palët do të ngelen të pakënaqura. Ky fenomen quhet “overtourism” ose turizëm i tepruar, dhe shumë qytete të famshme turistike po e vuajnë ketë gjë, si p.sh. Venecia, Barcelona apo Dubrovniku fqinj. Madje media të famshme si CNN po publikojnë tashmë artikuj “antipromovues” me tituj të tillë: “12 vende që duhen shmangur së vizituari” ku në listë janë edhe fqinjët tanë si Dubrovniku, Santorini apo Venecia. Por qeveritë e tyre apo bashkitë nuk mburren me numrin e turistëve, por po marrim masa urgjente për ta zgjidhur këtë problem, dhe kanë filluar të vendosin limit në numrin e kroçerave dhe turistëve që i vizitojnë këto qytete. Në 2016 Dubrovnikun e vizituan rreth 800 mijë turistë nga kroçerat e mëdha, dhe shumica e tyre qëndron vetëm 3 orë në qytet, duke mos konsumuar asgjë. Prandaj dhe prej rrezikut të këtij turizmi të tepruar, qyteti ka vendosur që limiti i turistëve të jetë deri në 4000 persona në ditë. Këtë situatë e kemi edhe ne në Sarandë apo Durrës aktualisht ku jemi duke paguar tani kostot e betonizimit dhe mosplanifikimit të turizmit, sepse infrastruktura rrugore apo turistike nuk është bërë për të pritur flukse 10-fish më të mëdha turistësh që vijnë me anije gjigante (të cilat janë edhe nga problemet më kryesore) dhe tashmë edhe me çartera. Ndjesë që po krahasoj shëmtinë që i bëmë ne Sarandës tonë të gjorë me bukurinë e Dubrovnikut, por nëse UNESCO kërcënon Dubrovnikun që ta heqë nga lista e vet nëse nuk lufton turizmin e tepruar dhe CNN-it “i bën zemra” të këshillojë të mos e vizitoni atë, është e kuptueshme në ç’situatë të mjerueshme gjendet dhe mund të shkojnë modelet e “golemizimit” si Saranda e Durrësi të politikes sonë shumë të keqe. Atëherë nëse që tani po e shikojmë që situata ka dalë jashtë kontrollit, a vlen të ftojmë ende çdokënd tjetër në shtëpi, apo duhet më parë të mblidhemi urgjent dhe të ndërtojmë siç duhet shtëpinë tonë e t’i vendosim edhe dyert e dritaret si çdo shtëpi tjetër normale e këtij lloji?
Pra cila është zgjidhja? Personalisht mendoj se për hapësirën fizike, peshën në tregun mesdhetar të turizmit dhe shumëllojshmërinë e potencialit turistik, ne duhet të synojmë një turizëm cilësor dhe jo sasior. Qeveria nuk mund të bëjë as indiferentin në këtë situatë, as të paditurin, sepse po flasim për një sektor që zë 40% të eksporteve duke sjellë në vend 1.5 miliardë euro, dhe që punëson 1 në 4 persona në vend. Teoritë “liberale” që qeveria nuk duhet të ndërhyjë në këtë sektor dhe çdo gjë duhet ta zgjidhë vetë biznesi, përveçse i bëjnë “nder” institucioneve shtetërore që merren me turizëm të mos bëjnë asnjë punë, nuk kanë sjellë ndonjë dobi sepse “liberal” kemi qenë gjithë këtë kohë dhe gjendja është në këtë kaos që po shpjegojmë. Qeveria duhet të kërkojë të ketë kontroll të plotë të situatës në këtë sektor, sidomos në vendosjen ligjeve e standardeve, të ofrojë politika stimuluese apo edhe penguese sipas rastit nëse do të zhvillojë apo të frenojë mbingarkesën apo ndonjë lloj të caktuar turizmi dhe të caktojë vizion të qartë se çdo të bëjë me turizmin në të ardhmen. Modelet e mira janë aty, shumë prej tyre na i kanë thënë edhe ekspertët e huaj që kemi ftuar për të na dhënë mënd. Por duhen hapur dhe zbatuar ato çka është shkruar në ato letra, që ta marrim situatën në dorë sa s’është vonë që të parandalojmë efektet negative të turizmit dhe të vjelim efektet shumë të rëndësishme pozitive. Sepse turizmi nuk është problem, por është potencial, prandaj janë njerëzit që e kanë në dorë ta përdorin për keq apo për mirë atë.
Rekomandimi
Për hapësirën fizike, peshën në tregun mesdhetar të turizmit dhe shumëllojshmërinë e potencialit turistik, ne duhet të synojmë një turizëm cilësor dhe jo sasior. Qeveria nuk mund të bëjë as indiferentin në këtë situatë, as të paditurin, sepse po flasim për një sektor që zë 40% të eksporteve duke sjellë në vend 1.5 miliardë euro, dhe që punëson 1 në 4 persona në vend.


*Konsulent turizmi/Kryetar i ATOA (Shoqata e Turoperatorëve Shqiptarë) 

Friday, July 27, 2018

"Shërbimi në turizëm, pika e dobët që nuk josh pushuesit"- Gazeta Shekulli 27/07/2018

Kliton Gërxhani nga Shoqata e Turoperatorëve flet për problemet që po hasen në bregdet në kulmin e sezonit. Sipas tij, qeveria nuk ka përfillur nismën për shkollat e turizmit dhe subvencionimin e punonjësve sezonalë
Në pikun e sezonit, turizmi në vend vijon të shoqërohet nga problemet e vjetra, të cilat shabllon i përcillen vendasve dhe të huajve, herë me reklama negative për shërbime dhe çmime jashtë standardit, e herë me imazhe të jashtëzakonshme të diktuara nga formati “High Definition” që përcjell teknologjia e kohës. Në një situatë të tillë, edhe shoqatat e tur-operatorëve duket se e kanë të vështirë për të diktuar realitetin e sezonit, ndërkohë që tentojnë të japin një sërë këshillash, edhe këto të thëna e të stërthëna, e që nuk e marrin firmën e qeverisë dhe organeve ligjvënëse për zbatim. Kryetari i Shoqatës së Turoperatorëve dhe Agjencive Turistike, Kliton Gërxhani, në një intervistë për “Shekulli”-n, flet për ambicien e qeverisë, dhe hapat e saj të gabuar, të paktën në dy prej sugjerimeve që shoqata ka dhënë. Po ashtu, Gërxhani këshillon si një politikë të domosdoshme, shtrirjen e sezonit në një periudhë më të gjatë se 2 apo 3 muaj.

Z. Gërxhani, në pikun e sezonit turistik, duket se klima e paqëndrueshme është një faktor bllokues. Por, realisht, të dhënat e kësaj periudhe a flasin për rënie shifrash apo mbetemi në balancën e vitit të kaluar?
Mendoj se jemi në ritmin e rritjes që kemi pasur çdo vit, me pak diferenca dhe mendoj se ky trend do të vijojë edhe për pak kohë. Nuk di të ketë rënie të numrit, në raport me vitin e kaluar, por mund të them se ka probleme në zona të caktuara për arsye të caktuara. Tekat e kohës nuk shihen si faktor pengues, pasi njerëzit kanë prenotuar që në muajt e parë të vitit dhe detyrimisht vijnë. Po ashtu, edhe muaji i Ramazanit për besimtarët myslimanë është një arsye e vogël për të  ndikuar në totalin e madh të pushuesve. Mendoj se mes të sezonit, jemi në ritmin e vitit të kaluar.
Cilësia e shërbimit, kryesisht në bregdet, e cila në shumësinë e gjykimeve vlerësohet me notë jokaluese, këtë vit po shihet me performancë pozitive, apo  vijon të mbetet e dobët në standard?
Nga viti i kaluar, mund të themi se kemi një vit me më shumë përvojë, por nuk shohim se ka ndonjë evolucion në trajnimin e stafit apo hapje të shkollës së turizimit. Duke mos pasur, iniciativa të tilla, cilësia mbetet një pikë e dobët, sepse njerëz të pa trajnuar e kanë të pamundur të mbajnë një shumësi turistësh në të njëjtën kohë, të kënaqur.  Në periudhën e pikut, kjo bëhet e pamundur në restorante apo hotele me mbi 100 njerëz dhe një shërbim i mirë për ta kërkon trajnime dhe kualifikime. Problematikë kryesorë për mungesën e cilësisë është edhe ndërrimi i përvitshëm i stafit. Ne kemi dhënë propozimet tona te ministri Ahmetaj, që të subvencionohen sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për punonjësit e biznesit sezonal. Kjo është një nismë që vendet fqinje e kanë, por tek ne mbeti vetëm në letër. Problem, po ashtu mbetet edhe ego e të rinjve që nuk pranojnë të bëhen punonjës në turizëm, dhe tregu mund të seleksionojë më të mirët për ta mbajtur këtë drejtim. Kjo në mungesë të shkollave, që vendet fqinje si Maqedonia, Greqia, Mali i Zi i kanë prej kohësh.
Qeveria ka orientuar politika për të nxitur ardhjen e turistëve nga jashtë, ndërkohë nga ana tjetër qytetarët shqiptarë me të drejtë bëjnë edhe anti-reklamë për çmimet e ekzagjeruara dhe pa asnjë logjikë tregu. Mbi këtë paradoks, cila fushatë orienton realitetin në vend?
Ne kemi rënë viktimë e sezonalitetit të ulët. Gjithmonë në korrik-gusht dalin disa paradokse, (jo në të gjitha bizneset) të një çadre që kushton 2000 lekë, të një veze që blihet 900 lekë etj. Janë çmime që kapërcejnë çdo standard, por këto zgjidhen nëse do të shtrijmë sezonin në kohë dhe nëse do të rrisim kapacitetin pritës. Kjo ndodh rëndom në plazhet e jugut, në zona të caktuara, ku kapaciteti pritës është relativisht i ulët.  Në zona të tilla, në rast se nuk jepet mundësi zhvillimi me ngritjen e hoteleve të tjerë, ato cmime do të mbesin të tilla dhe ata që kanë mundësi, le t’i frekuentojnë e paguajnë.
Kategorizimi i hoteleve a vijon të mbetet problem?
Kategorizimi me yje më shumë se problem është mungesë vullneti nga ana e qeverisë për t’u bërë, sepse po të kishte filluar kur u vendos në ligj në vitin 2015, sot do të kishte mbaruar dhe do të ishte kthyer në dobi të standardeve të turizmit.
Turizmi elitar
Çfarë po bëjnë dhe çfarë duhet të bëjnë më shumë agjencitë turistike shqiptare që në bashkëpunim me këto hotele të rrisin numrin e turistëve cilësorë në vend?
Agjencitë turistike, së bashku me hotelet, edhe pse kanë një përvojë të pakët në trajtimin e turizmit elitar, e kanë shumë të vështirë që të kenë sukses të vetëm, nëse, siç thashë më lartë, nuk shoqërohet me një destinacion dhe infrastrukturë turistike elitare.
Si kanë ndikuar politikat fiskale për hotelet me 4 dhe 5 yje sa i përket nxitjes së turizmit cilësor dhe çfarë duhet të bëjë më shumë qeveria?
Politikat fiskale natyrisht ngjallin një reagim të parë, por kjo nuk do mjaftojë nëse qeveria nuk do të dëgjojë ekspertët e turizmit dhe nëse nuk do e marrë seriozisht turizmin.

https://shekulli.com.al/sherbimi-ne-turizem-pika-e-dobet-qe-nuk-josh-pushuesit/ 

Sunday, July 22, 2018

"E domosdoshme infrastruktura turistike në nivelin 4-5 yje! Flet kreu i Shoqatës Shqiptare të Turoperatorëve dhe Agjencive Turistike"- SCAN Magazine, 22/07/2018

Ndërsa sipërmarrja private po bën hapa drejt ofrimit të një turizmi elitar, a po punon qeveria paralelisht për ta kompletuar ofertën turistike?  Në një intervistë për revistën “SCAN“, Kliton Gërxhani, kryetar i Shoqatës Shqiptare të Turoperatorëve & Agjencive Turistike ka rezerva në këtë drejtim dhe kërkon më shumë investime nga pushteti qendror apo vendor për të mundësuar një infrastrukturë të plotë turisike. Ndërsa thekson se mungesa e vullnetit për kategorizimin e hoteleve është një handikap i madh në këtë drejtim.
Sezoni veror ka filluar, në çfarë gjendje është sektori i turizmit  këtë vit dhe sa i gatshëm për të pritur numrin në rritje të turistëve të huaj?
Sektori i turizmit është i mbushur me të njëjtat problematika të pazgjidhura si vite më parë. Dhe për aq kohë sa problematikat nuk zgjidhen, pritja e turisteve bëhet në mënyrë të sforcuar, aq më tepër kur volumi rritet.
Sa i përket turizmit elitar, si e përkufizoni këtë term dhe a ka filluar vendi ynë të ofrojë një turizëm të mirëfilltë elitar?
Turizmi elitar është një turizëm kryesisht në numra të vegjël, në nivele maksimale standardi e shërbimi, dhe i kombinuar me eksperienca unike. Vendi ynë është shumë larg të ofruarit të një turizmi elitar, përveç rasteve sporadike.
Duket se së fundmi janë shtuar përpjekjet në këtë drejtim me hapjen e hoteleve luksoze me 5 yje. Ndërsa janë edhe disa projekte që po ndërtohen në formën e resorteve të mëdha, sa të mundur do ta kenë këto struktura për të rritur nivelin e turizmit elitar në vend? Cili është problem që ka sektori dhe që pengon këtë lloj turizmi aktualisht? 
Po, ka një përpjekje për të stimuluar ndërtimin e hoteleve me 4 dhe 5 yje, por vetëm stimuli fiskal nuk mjafton. Hoteleve të këtij niveli u duhet krijuar një klime pozitive biznesi, dhe kjo arrihet kur destinacioni ynë ngrihet në nivelin e 4-5 yjeve dhe jo vetëm hoteli. Dhe e gjithë kjo shoqërohet me një infrastrukturë të plotë turistike të nivelit 4-5 yje.
Kategorizimi i hoteleve a vijon të mbetet problem?
Kategorizimi me yje më shumë se problem është mungesë vullneti nga ana e qeverisë për t’u bërë, sepse po të kishte filluar kur u vendos në ligj në vitin 2015, sot do të kishte mbaruar dhe do të ishte kthyer në dobi të standardeve të turizmit.
Çfarë po bëjnë dhe çfarë duhet të bëjnë më shumë agjencitë turistike shqiptare që në bashkëpunim me këto hotele të rrisin numrin e turistëve cilësorë në vend?
Agjencitë turistike, së bashku me hotelet, edhe pse kanë një përvojë të pakët në trajtimin e turizmit elitar, e kanë shumë të vështirë që të kenë sukses të vetëm, nëse, siç thashë më lartë, nuk shoqërohet me një destinacion dhe infrastrukturë turistike elitare.
Si kanë ndikuar politikat fiskale për hotelet me 4 dhe 5 yje sa i përket nxitjes së turizmit cilësor dhe çfarë duhet të bëjë më shumë qeveria?
Politikat fiskale natyrisht ngjallin një reagim të parë, por kjo nuk do mjaftojë nëse qeveria nuk do të dëgjojë ekspertët e turizmit dhe nëse nuk do e marrë seriozisht turizmin.
Bisedoi: Elisabeta Dosku/ SCAN Magazine

http://www.scan-tv.com/e-domosdoshme-infrastruktura-turistike-ne-nivelin-4-5-yje-flet-kreu-i-shoqates-shqiptare-te-turoperatoreve-dhe-agjencive-turistike/