My Motivation Quote


"It is no use saying, 'We are doing our best.' You have got to succeed in doing what is necessary." ~ Sir Winston Churchill


Tuesday, January 29, 2013

Turizmi i “varur” nga zgjedhjet - Revista Monitor, Janar 2013


Turizmi është një nga degët e ekonomisë së Shqipërisë, e cila pati rritje gjatë vitit 2012, por me ritme të ngadalta, ashtu sikundër edhe pritej. Kriza financiare dhe ekonomike “rrudhi” të ardhurat, aq sa sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë për 9-mujorin ishin 873 milionë euro, pothuajse sa e njëjta periudhë e një viti më parë dhe më të ulëta se periudha 2008-2010. Kjo pavarësisht ardhjes së turistëve që u vlerësuan si rekord. Rënia e shpenzimeve arsyetohet me faktin se pjesa më e madhe e tyre janë kosovarë, të cilët vlerësohet se shpenzojnë më pak se të tjerët gjatë pushimeve të tyre.
Por, a do të ndryshojë panorama? Ky është një vit plot me sfida për turizmin. Në pjesën e parë do të duhet të “përballet” me situatën parazgjedhore (zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në muajin qershor), ecuria e së cilës do të reflektojë edhe vazhdimësinë për pjesën tjetër. Operatorët turistikë shpresojnë te përmirësimi, ndërsa ekspertët thonë se merren masa për një turizëm të qëndrueshëm. Parashikohet që gjatë 2013-s të shkojë në Kuvend ligji i ri për turizmin dhe të marrë formë të plotë strategjia e re shtatëvjeçare.

Flet Kliton Gërxhani, ekspert turizmi:

Sektori i turizmit shqiptar në vitin 2012 ishte pak a shumë në të njëjtat kushte si dhe një vit më parë. Një sektor që mbijeton pa ndonjë mbështetje minimale nga shteti, që operon në kushtet e një tregu informal dhe që përballet me të njëjtat probleme për vite me radhë.

Ura-e-mesit-Shkodra-Albania
Cilat kanë qenë problemet kryesore që janë shfaqur? Çfarë mund të bëhet për përmirësimin e tyre?
Ne po kalojmë një situatë krize ekonomike botërore pothuajse gati 5-vjeçare, e cila jep efektet e veta edhe në industrinë e turizmit, ndërkohë që edhe situata e brendshme nuk ka qenë më e mirë. Bizneset turistike vendase kanë ndier fort largimin e një pjese të madhe të tregut vendas drejt destinacioneve të huaja, kryesisht fqinjëve. Dëmin më të madh e kanë shkaktuar mbetjet urbane, problemet e kanalizimeve dhe ujërave të zeza, informaliteti dhe mungesa e standardeve, taksat e larta etj. Vitet e fundit, turizmi shqiptar është detyruar të përballet me konkurrencën e fortë të vendeve fqinje, sepse Ballkani gjithnjë e më shumë po shihet si një destinacion i vetëm turistik nga shumë tur-operatorë të huaj, europianoperëndimorë, të Amerikës së Veriut apo Azisë së largët. Për përmirësimin e këtyre problemeve nuk ka një zgjidhje të vetme, pra duhen marrë një sërë masash, shumica e tyre i përkasin politikës dhe qeverisë.

Si e parashikoni ecurinë gjatë vitit 2013?
Sfidat me të cilat sektori i turizmit do të përballet në vitin 2013 do të jenë për fat të keq të njëjtat me këto të këtij viti, duke shtuar “bonusin” e një viti ku do mbahen zgjedhjet elektorale, të cilat politika ka treguar që nuk i ka kaluar kurrë pa tensione. Uroj që të kemi një vit të mbarë deri në qershor dhe të tregojmë për herë të parë që zgjedhjet janë diçka normale në një vend demokratik dhe që nuk ndikojnë në tensionimin e situatës, duke dëmtuar kështu imazhin e vendit dhe sektorin turistik.

Çfarë masash duhet të merren për të pasur një rritje të qëndrueshme?
Që të kemi një rritje të qëndrueshme duhet që shteti të marrë në dorë situatën e turizmit, pra të marrë përsipër përgjegjësitë e veta, duke kërkuar zbatimin e një strategjie vizionare për sektorin e turizmit, duke hartuar dhe duke miratuar ligjin e turizmit, duke e zbatuar atë, duke i bërë standardet të detyrueshme, duke luftuar informalitetin dhe duke ulur taksat në raport edhe me vendet fqinje.

Shifrat të interpretohen qartë
Flet Ismail Beka, ekspert GIZ
Industria e dytë, më e rëndësishme, ajo e turizmit, pa diskutim ka pasur rritje, por të kufizuar.
Të ardhurat nga sektori i turizmit vazhdojnë të rriten me nivele të ulëta, po kështu edhe veprimtaria ekonomike e sektorit të hoteleri-turizmit dhe tur-operatorëve turistikë, por kjo nuk i përgjigjet numrit të madh të qytetarëve të huaj dhe shqiptarë që hyjnë dhe dalin në pikat doganore. Në qoftë se do të nisemi nga numri i hyrje- daljeve në kufi, mësojmë se mbi 4 milionë qytetarë të huaj dhe emigrantë hynë në Shqipëri në vitin 2012, ndërsa mbi 450 mijë qytetarë shqiptarë dolën jashtë vendit, duke shijuar kalimin pa viza.
Edhe këto shifra interpretohen si të dhjetëfishuara në krahasim me 6 vjet më parë.
Por, nga ana tjetër, 4 milionë hyrje në kufi nuk janë 4 milionë turistë. Ka shumë shqiptarë emigrantë, që kanë dokumente të huaja dhe vijnë në shtëpitë e tyre; ka shumë të huaj që hyjnë transit e kalojnë nga Kukësi për të shkuar në Mali të Zi ose nëpërmjet Portit të Durrësit për të shkuar në vendet europiane.
Kjo reflektohet në veprimtarinë ekonomike të sektorit të hoteleri-turizmit. Në vitin 2011, erdhën në Shqipëri 2.9 milionë turistë të huaj, nga këta vetëm 136,000 ishin turistë (ose rreth 4,6%) që qëndruan në hotele, me 356,000 net-qëndrimi gjithsej ose 2,6 net-qëndrimi mesatar për turist. Referuar kapacitetese rreth 4,6 ve akomoduese, rreth 19,000 shtretër rezultuan një shfrytëzim shumë i ulët për rreth 19 net-fjetjeje për shtrat në vit nga turistët e huaj.

Biznesi, turizmi ka nevojë për politika nxitëse
Nëse edhe ky vit për biznesin do të jetë po kaq gri, atëherë do të duhet të gjenden rrugët e duhura jo vetëm për të thithur sa më shumë turistë, kryesisht ata që janë të gatshëm të “hapin” pa drojë portofolin. Presidenti i ATA-s, Enver Mehmeti, thotë se industria e turizmit duhet të përqaset me një vizion të ri, të qëndrueshëm, që nën ndikimin edhe të krizës do ta bënte më konkurrues në rajon. Sipas tij, të gjithë aktorët duhet të bashkëveprojnë, të rifreskojnë dhe të përshtatin dinamikat. Pranohet se gabimet që janë bërë në turizmin shqiptar nuk kanë qenë të vogla, prandaj ka ardhur koha e modeleve të reja, por edhe e iniciativave ndihmëse fiskale, që nënkupton një sistem më fleksibël, që ndihmon konkurrencën dhe ofrimin e një produkti më të lirë.
Për operatorët e turizmit, certifikimi është gjithashtu një element i rëndësishëm, i cili rrit besueshmërinë e tyre në një treg ndërkombëtar. Sipas Indeksit të 3-të të Turizmit, rreth 80% e bizneseve të pyetur vlerësojnë se certifikimi është i nevojshëm dhe do të ndihmojë në përmirësimin e standardeve. Ata janë shprehur se ulja e Taksës mbi Vlerën e Shtuar do të ndihmonte konkurrencën e shërbimeve me rajonin.
Sipas të dhënave të publikuara nga ATA për Indeksin e Turizmit 2012, ata që vijnë në Shqipëri kanë kryesisht qëllime biznesi
(50%) ose për bregdetin (49%). Në kërkim të aventurës kanë qenë rreth 29% e turistëve, ndërsa ata që janë joshur nga parqet natyrore shqiptare 23%. Kultura ka bërë për vete 25% të turistëve që kanë ardhur në vendin tonë.
Të tjerë tregues flasin për “ngërçin” që po shkakton informaliteti i lartë, veçanërisht në zonën bregdetare ku rreth 95% e operatorëve turistikë e konsiderojnë mjaft shqetësuese situatën.
Pothuajse të gjithë operatorët e turizmit ndjejnë si mjaft të nevojshme rritjen e cilësisë në shërbim. Çdo destinacion vuan nga mungesa e standardeve në këtë pjesë të industrisë. Grumbullimi i mbeturinave, infrastruktura rrugore (veçanërisht parkingjet) dhe sinjalistika janë problemet që mbarten çdo vit dhe kërkojnë zgjidhje të menjëhershme. Në nivel të mirë vlerësohet furnizimi me energji, mbulimi me internet dhe telefoni. Pjesëmarrësit në anketim shprehen se duhet bërë më shumë në marketing, në dhënien e shërbimit të informacionit turistik, mbrojtjen e mjedisit dhe në sigurinë e turistëve.
Po kështu, atraksionet kanë nevojë për përmirësim në promocion, shpjegim më të qartë dhe akses në orientim dhe infrastrukturë.
Një tjetër handikap vlerësohet mungesa e profesionalizmit te burimet njerëzore që operojnë në këtë industri. Sipas indeksit të turizmit, pjesa më e madhe e njësive turistike kanë të punësuar deri në 10 veta. Ata e vlerësojnë nivelin e stafit të tyre me “mesatar” dhe “të ulët“. Sipas bizneseve ka shumë nevojë për trajnim në fushën e shërbimeve, menaxhim, marketing etj.
Sipas tyre, reflektimi i parë gjatë këtij viti duhet të lidhet me trajtimin më me seriozitet i turizmit, pasi ka të bëjë me të gjithë. Biznesi thotë se për të garantuar qëndrueshmërinë e kësaj industrie duhet të artikulohet më shpesh fjala konkurrencë dhe sipas teorisë së menaxhimit kjo përkthehet në strategji të bazuara në analiza tregu dhe punë për të eliminuar pikat e dobëta. Për të ndërtuar strategji në nivel destinacioni turistik, duhet të ketë konsensus dhe bashkëpunim të gjerë publik e privat. Sipas tyre nëse zhvillimi deri tani nuk është bazuar mbi këto koncepte (analiza tregu, strategji, plane, bashkëpunim, vizion i përbashkët afatgjatë, angazhime konkrete) nuk mund të fantazohet se si turizmi mund të bëhet konkurrues në të ardhmen.
Masat që duhet të merren gjatë këtij viti janë përmirësimi i vazhdueshëm i infrastrukturës, ulja e taksave dhe rregullimi i tregut që janë edhe problemet më të mprehta të industrisë turistike. Ekspertët thonë se zonat bregdetare kanë nevojë për ndërhyrje urgjente në infrastrukturë. Në tërësi turizmit i duhen politika specifike dhe prioritare. Është e nevojshme, sipas tyre, të identifikohet në kohë problematika dhe të merren masat e duhura për të shmangur efektet negative, në një kohë krize të thellë ekonomike.


28%, rritja e numrit të turistëve të huaj në janar-nëntor 2012

Vlora, destinacioni që shënoi rënien më të madhe në numrin e turistëve

80% e bizneseve deklaruan se në vitin 2012, xhiroja e tyre u ul

50% e klientëve turistikë kishin si qëllim kryesor biznesin dhe bregdetin, 29% aventurën, 23% parqet kombëtare dhe 2% kulturën

http://www.monitor.al/turizmi-i-varur-nga-zgjedhjet-2/

Wednesday, January 16, 2013

Promovimi pa koke dhe me 300 mije Euro i turizmit shqiptar


Ka disa dite qe dy faqet shteterore te promovimit te turizmit shqiptar, www.albaniantourism.com dhe www.akt.com.al ne pronesi te Agjenisis Kombetare te Turizmit (AKT) nuk shfaqen online. AKT eshte institucioni kryesor shtetëror ne varesi te Ministrise se Turizmit (MTKRS) i cili ka si nje nga qëllimet kryesore promovimin e turizmit tone. Por ben habi qe Portali Shqiptar i Turizmit, sic cilësohet www.albaniantourism.com ne faqen zyrtare te MTKRS (qe lavdi Zotit funksion akoma deri me sot) nuk hapet fare online dhe nuk ka asnje njoftim per te, as online as zyrtarisht, se pse ky portal kaq i rendesishem per turizmin shqiptar nuk funksion. Nga nje kerkim ne internet shihet qe  domaini albaniantourism.com skadon me 3 korrik 2013 pra AKT e ka ne pronesi akoma dhe disa muaj kete domain. Atehere mund te jete problemi tek serveri apo ndonje problem tjeter organizativ i brendeshem?! Sido qe te jete, ky institucion mbahet me taksat e bizneseve te turizmit te cileve duhet tu sherbej ne gjene me minimale qe i kerkohet, pra promovimin e tyre dhe te vendit. Vertet qeveria vazhdon t’i japi ne menyre te turpshme ketij institucioni vetem 300 mije Euro per te promovuar vendin, por per mirembajtjen e nje faqeje interneti kostot jane modeste edhe me kete buxhet.. Nese eshte problem financiar, do te ishte me mire qe AKT apo Ministria e Turizmit tu kerkonte mbeshtetje bizneseve te turizmit, sesa ta linte vendin pa burimin kryesor dhe zyrtar te reklamimit online. Dhe ketu po flasim thjesht dhe vetem per promovimin nepermjet nje faqeje interneti sepse sa per promovimit nepermjet formave te tjera online si rrjetet sociale psh as qe behet fjale sepse duhet te jene ose gje shume e avancuar ose shume e ngeshme per AKT dhe MTKRS.

Por une mendoj se shkaku i vertet eshte qe ketij institucioni (pra bashke me te edhe MTKRS) i mungon nje strategji se cfare duan te bejne me turizmin shqiptar, si duan ta bejne kete, kush duhet te bej cfare dhe si mund te perdoren me mire fondet e limituara qe kane. Pra i mungon nje strategji por edhe pergjegjesia qe kane marre, i mungojne fondet por edhe njohurite bashke me to. Ne keto vende vazhdojne te punesohen "kuneterit e shokut Xhemal" sepse vendet drejtuese (sidomos ne turizem) duken si pozicionet qe mund ti bej cdokush, ku ske asgje per te bere, ka dhe rroge, dhe s'te kerkon kush llogari sepse nuk bije ne sy, as te medias, as te opozites dhe as te vete qeverise qe te ka vendosur aty. Pra "pune koti me pages" por qe ka ne dore promovimin e sektorit qe duhet te jete lokomotiva e ekonomise shqiptare, pra turizmit. Te pakten keshtu po thone politikante kohet e fundit per turizmin.

@klitongerxhani

Monday, October 8, 2012

"Shtëpia e Kongresit te Manastirit është me ne fund ne hartën e Google" - Gazeta Shqip 08/10/2012

Këtë vere vendosem te vizitonim Bitolen ne Maqedoni me mikun tim Armand, pa fshehur faktin se një nga arsyet kryesore qe na shtynte te vizitonim këtë qytet, ishte shtëpia ku u mbajt Kongresi i Manastirit ne Manastir (sot Bitola) ne 14 nëntor 1908 për përcaktimin e Alfabetit te Gjuhës Shqipe. Bitola, megjithëse me 2 xhami te mëdha ne qendër te saj e shume elementë te tjerë kulturor qe tregonin se ne atë qytet kishte dominuar popullsia shqiptare. Sot nuk flitej për dominim, por ishte e vështirë te hasje dike qe fliste shqip, te paktën ne pamje te pare dhe për aq sa qëndruam dhe u interesuam ne. Këtu nuk flitet për nacionalizëm por thjesht prisnim dhe na e kishte qejfi qe përveç maqedonasve te gjenim lehtësisht edhe shqiptare, ne rruge, ne emërtime zyrtare te objekteve e rrugëve (siç qe ne Shkup psh), ne biznese turistike apo te tjera, dhe mbi te gjitha ne atë për te cilën ky qytet njihet ndërmjet shqiptaresh… Shtëpinë e Kongresit te Manastirit. Pyetem shume vendas qe takuam (maqedonas kuptohet) dhe pothuajse askush nuk dinte gjë për te (te paktën te tilla qene reagimet). Kërkuam ne hartën e Google dhe nuk kishte asnjë gjurmë. Vetëm në Wikipedia kishte diçka rreth historisë, dhe disa foto, por asnjë ADRESE (?!). Si ka mundësi qe gjithkush nga shqiptaret qe ka qene atje nuk shkruan ne internet te paktën adresën e sakte te kësaj shtëpie historike për ne?! Si ka mundësi qe shqiptaret e Bitolas (vendasit e hershem te Manastirit) te paret, por edhe shqiptaret e tjerë te Maqedonisë nuk promovojnë këto vende historike te paktën ne internet. Dhe pastaj ankohen gjithë ditën se po asimilohen dhe po u shkelen te drejtat, e po konsiderohen qytetarë te dorës se dyte?! Kush do ua qaj hallin e mbrojë te drejtat kur ata vete nuk promovojnë vetveten nëpërmjet edhe këtyre simboleve historike-kulturore?! The Congress of Manastir's House

Gjithsesi me shume te pyetura me ne fund e gjetëm Shtëpinë. Ishte një vile e bukur nga jashtë por e vetmja gjë qe te kujtonte qe ishte shtëpia e Kongresit te Manastirit ishin dy pllakate ne te, një i vene për 60 vjetorin dhe një tjetër me i vogël i vene për 100 vjetorin e Kongresit te Manastirit. Asgjë me shume! As ndonjë flamur, a ndonjë muze! Ne katin e pare madje dukej sikur shiteshin objekte hidrosanitare, pra mund te ishte një dyqan qe ishte i mbyllur. Për ironi ato dite dëgjova qe qeveria jone do te harxhonte disa miliona euro për një Muze te Bankës Shqiptare, ndërkohë qe ato leke mund te përdoreshin (mund te ishte bere kjo pune edhe me pare) për blerjen e kësaj godine dhe kthimin e këtij objekti ne një vend te nderuar te historisë Shqiptare. Te paktën te konsiderohej një fakt i tille, aq me tepër tani qe festojmë edhe 100 vjetorin e Pavarësisë i cili nuk do kishte ardhur pa pasur një gjuhe tonën e cila u caktua ne këtë Shtëpi.

Pasi i bëmë disa fotografi e shënuam adresën e saj te cilën po e shkruajmë ketu qe te mos vuajnë si ne ata qe nuk e dine dhe është: « Boulevard 1st of May, Nr 23, Bitola, Macedonia (FYROM)”. Ne kthim vendosa te punoj për caktimin e pikës se këtij objekti historik ne hartën e Google, e cila dihet qe është burimi pothuajse i vetëm ku kërkohen me miliarda adresa çdo dite ne te gjithë boten. Pra diçka e domosdoshme për çdokënd qe do te “gjendet” ne kohet e sotme dhe një reklamë e jashtëzakonshme. Pas disa komunikimeve me vlerësuesit e adresave te reja qe shtohen ne Google, ndërmjet tyre edhe Maqedonas te cilët kërkonin qe emërtimi zyrtar te shkruhej ne Maqedonisht dhe qe « Kongresi i Manastirit » te përkthehej ne « Kongresi i Bitolas », sot kam kënaqësinë e jashtëzakonshme qe te ndaj me te gjithë ju qe lexoni shqip, lajmin që Google e pranoi vendosjen e pikës ne hartë me emërtimin primar ne anglisht !. Pra nga sot e tutje kushdo qe do shkoje te vizitojë Shtëpinë e Kongresit te Manastirit, mjaft qe te kërkojë ne Google ne anglisht « The House of Congress of Manastir in Bitola » ose edhe vetëm « Congress of Manastir » dhe do gjej ne hartën e Google piken se ku ndodhet kjo shtëpi, me adresën e sakte dhe disa foto qe i bëra Shtëpisë dhe pllakave ne te. Pra mjaft ta printosh këtë harte ne internet apo te kesh një smartphone dhe nuk ke me nevojë te sillesh vërdallë për te gjetur arsyen kryesore për te vizituar Bitolen e sotme ose Manastirin e dikurshëm. Ka shume objekte historike-kulturore te rëndësishme për Shqipërinë, si rasti i Shtëpisë se Kongresit te Manastirit qe gjenden brenda apo jashtë kufijve te Shqipërisë te cilat nuk kane piketimin e tyre ne hartën e Google, ose e thënë ndryshe janë te harruara e larg vëmendjes te një tregu milionësh turistesh. Prandaj ndjehem mire, qe i bëra një dhuratë te vogël promovimit te kulturës dhe historisë sonë ne këtë 100 vjetor te Shpalljes se Pavarësisë, por mbi te gjitha dua te përcjell shembullin qe te gjithë ne mund te bëjmë shume për promovimin e kulturës tone jo domosdoshmërisht me para, por me pak sforco e shume dashuri.

Kliton Gerxhani
Konsulent turizmi

Saturday, December 10, 2011

"A ka shprese turizmi i Durresit?" - Gazeta Shqip, 10/12/2011


Të ulesh sot të shkruash diçka pozitive për turizmin e Durrësit është jo e lehtë. Këtu e kam fjalën kryesisht për zonën e Plepave, Shkëmbit të Kavajës dhe Golemit, pra zonën më të dëmtuar nga ndërtimet kaotike. Për një profesionist turizmi kjo bëhet akoma edhe më e vështirë, sepse diskutimi duhet të bazohet mbi vizionin e zhvillimit turistik të kësaj zone dhe jo lustra politike e mediatike sa për të kaluar radhën. Personalisht ndjej edhe një detyrim moral për t’u ulur dhe menduar alternativat e mundshme të zhvillimit të turizmit të kësaj zone, sepse jam pjesë e shumicës së njerëzve që e kanë kritikuar fort këtë zhvillim të deritanishëm të zonës së Durrësit, duke e marrë madje edhe për shembull si modelin me të keq të zhvillimit të një zone turistike i cili nuk duhet të përsëritet në zonat e tjera. Kam parasysh këtu sidomos modelin e Golemit nga i cili ka dal edhe termi negativ “Golemizim”. Pra nuk do të doja të bëja pjesë në grupin e atyre njerëzve të cilët pasi e keqpërdorin një destinacion të tillë për interesat e tyre, e flakin atë si limon i shtrydhur nga i cili nuk mund të nxjerrësh me përfitim, dhe për të cilin nuk duan të flitet më. Që të jem i qartë që në fillim: unë i ngelem idesë se Durrësit dhe sidomos zona e Golemit, ka nevojë për një zgjidhje radikale nëse do që të ketë një rinovim të plotë të produktit, për të filluar një cikël të ri të qëndrueshëm. Zgjidhje të cilën e kam përmendur edhe më parë në media, si modelet në Spanjë apo Portugali, ku ndërtime të tëra të shëmtuara dhe jo produktive u rrafshuan dhe mbi to u ngritën resorte të mëdha të qëndrueshme, ku bizneset e ligjshme të mëparshme u bënë bashkëortakë. Kurse me ketë shkrim dua të hedh disa mendime se si mund të shtohet jeta e këtij produkti me shumë më pak ndryshime, por e përsëris, pas disa kohësh, zgjidhja radikale do të ngelet si e vetmja alternativë.
Ketë vit turizmi shqiptar i plazhit përjetoi për herë të parë një rënie të ndjeshme me rreth 20-30% sipas burimeve të marra nga bizneset. Dy faktorët kryesorë negativ të cilët e shkaktuan këtë rënie qenë zgjedhjet lokale të Majit të cilat penguan marrjen e masave për sezonin e plazhit dhe krijuan një atmosfere të tensionuar politike, dhe liberalizimi i vizave që solli edhe një rrjedhje të konsiderueshme të tregut vendas drejt Greqisë, Italisë, Spanjës etj. Ndërkohë parashikimet e rritjes ekonomike në botë për 2012 nuk janë shumë pozitive. Frika e një krize në Eurozonë dhe e një recesioni të mundshëm të SHBA-së kanë ndikuar edhe uljen e parashikimit të rritjes së industrisë së turizmit për 2012 nga WTTC (Këshilli Botëror i Turizmit dhe Udhëtimit) nga 5% në 3%. Kjo situatë e përforcon faktin që ne jemi të detyruar t’i kthejmë sytë nga tregu turistik vendas ose shqipfolës.
Duke qenë destinacioni më lehtë i arritshëm, 30 min larg nga Aeroporti dhe duke pasur portin kryesor në vend, me plazhe ranore rreth 30 km të Gjirit të Durrësit (dhe po kaq të Gjirit të Lalëzit) pra me një potencial shumë të madh zhvillimi turistik, Durrësi ka qenë për fat të mirë dhe të keq eksperimenti i parë i turizmit të plazhit në vend. Kjo bëri që pas viteve 90’ por sidomos pas viteve 2000’ në Gjirin e Durrësit të lëshohej babëzia e të ashtuquajturve ndërtues të rinj që masakruan pyllin e ndërtuan kulla të shëmtuara vertikale, pa asnjë lloj kriteri teknik apo estetik, duke shënuar rekordin sot në pallate 20-30 katëshe 10 m larg bregut! I gjithë ky përdhunim i pasurisë sonë kombëtare, dhe mbi të gjitha i turizmit shqiptar, u bë për fat të keq me bekimin e politikës lokale dhe qendrore. Sot si për të fshehur mëkatin e saj dhe për të konfirmuar dritshkurtësinë në vizion ndaj turizmit, kjo politik i ndërtoi një rrugë me ndarëse të pakalueshme mes për mes asaj zone duke i falimentuar përfundimisht bizneset larg detit, dhe duke lënë me pak shpresë vetëm bizneset në krahun e detit, por edhe atë e izoluan vizualisht sikur nuk duan ta shohin me mëkatin që kanë bërë.


Disa faktorë të tjerë që ndikojnë në largimin e tregut turistik nga Durrësi (por jo vetëm) gjatë verës janë edhe ndotja e madhe e ujërave të zeza të cilët shkarkohen në det, ndotja nga plehrat, ndotja nga ndërtimet e pambaruara, ndotja akustike dhe vizuale, trafiku i rënduar, mbipopullimi me njerëz, mungesa e shërbimeve profesionale, mungesa e alternativave të argëtimit përveç plazhit ushqimit dhe fjetjes etj. Dhe kjo ndodh kryesisht gjatë korrikut dhe gushtit. Ndërkohë jashtë kësaj periudhe vizitorët pothuajse zhduken fare, dhe këtu fillon edhe shansi i këtij destinacioni nëse shihet nga një këndvështrim krejt tjetër nga ai tradicional i plazhit.
Mund të tingëlloi si paradoks por unë besoj se Durrësi ka një potencial më të madh turistik jashtë sezonit sesa gjatë dy muajve të verës. Duke mos pasur njerëz, ndotjet pothuajse reduktohen në minimum; nuk ka pothuajse fare ndotje të ujërave të zeza, ka me pak plehra, nuk ka trafik dhe është një qetësi absolute ku për herë të parë mund të shijosh zhurmën e dallgëve të detit. Shumica e bizneseve “të rastësishme” turistike mbyllen, dhe rrinë hapur vetëm bizneset që e kanë lidhur jetën me turizmin. Pra le të themi, për tregun e Tiranës, i cili punon 5-6 ditë të javës dhe është çdo fundjavë në dilemë se ku mund të çlodhet, larg zhurmës, trafikut, ndotjes së ajrit, mungesës së parqeve dhe gjelbërimit, Durrësi duhet të kthehet natyrshëm në alternativën e parë që të kënaqë këtë treg. Thelbi i këtij produkti duhet të jetë QETËSIA dhe ÇLODHJA, pra pushime relaksi me familjen.



Kush janë pikat e forta apo avantazhet? E para, hotelet që janë të hapura janë ato hotele të cilët kanë krijuar një përvojë në menaxhim, ndryshe nuk do e përballonin dot mbajtjen hapur të biznesit të tyre gjithë vitin, pra do të ishin sezonal. Kjo jep një garanci që shërbimi do të jetë më i miri që ajo zonë ofron sot për sot. E dyta, shumica e këtyre hoteleve ose e kane filluar biznesin e tyre si restorante ose kane punësuar kuzhinier me shumë përvojë, pra edhe ushqimi është nga më të mirët dhe kjo ngelet një nga pikat më të forta të turizmit shqiptar. E treta, shumë prej këtyre hoteleve kanë një hapësirë të pranueshme, gjelbërim dhe shpesh herë edhe pishina, për të krijuar një ambient të qetë e të bukur në buzë të detit ku mund të shijosh një pije, ushqimin apo ku edhe mund të lexosh i qetë një libër. E katërta, janë mbi 30 km plazh që janë krejt bosh për të shëtitur i qetë me familjen, apo për të vrapuar. E pesta, megjithë kusuret e veta, gjeografikisht Durrësi ngelet po aty, 40 km ose 30 minuta larg, distancë kjo më e vogla e mundshme për të shkuar diku në fundjavë për tregun gati 1 milionësh të Tiranës, si dhe pika më e afërt e plazhit për tregun 2.5 milionësh të Kosovës që me rrugën e re është 2-3 orë larg. Dhe e fundit, e gjithë kjo me një kosto minimale.
 Kush janë pikat të cilat duhen ndryshuar apo përshtatur për të tërhequr ketë treg jashtë sezonit? E para, bizneset duhet t’i përshtaten nga ana manaxheriale 100% një tregu të tillë, tregut të fundjavës pra, i cili ka shumë pak pika të përbashkëta me tregun e plazhit. Ky treg mund të jetë ditor dhe në ketë rast ka nevojë të kalojë vetëm një drekë të këndshme, ose me një apo dy netë fjetje, pra që vjen të premten dhe ikën të dielën (kjo e fundit duhet të jetë edhe synimi kryesor që duhet të arrijnë këto biznese). E dyta, çmimet e fjetjes duhet të jenë sa më të ulëta, mundësisht në kosto, që të mos jenë pengesë për këtë treg sidomos në prezantimin e parë të këtij produkti, dhe të ketë oferta të ndryshme për fëmijë. Fitimi në këtë rast duhet të llogaritet tek ushqimi dhe shërbimet e tjera. E treta, është e domosdoshme të investohet në shërbime shtesë relaksi dhe argëtimi, si pishina të mbyllura për të rritur dhe fëmijë, qendra SPA, sauna, banjo turke, jacuzzi etj. (ose turizmi i shëndetit dhe i mirëqenies), argëtime ne salla të mbyllura si bowling, bilardo, pingpong, salla lojërash, etj të cilat i mbajnë klientët të angazhuar në rastin e një kohë jo të mirë, por edhe fusha tenisi, minigolfi, kënde lojërash për fëmijë, biçikleta etj për aktivitete ne ambient të hapur në rast se koha është e mirë.

Në kushtet e sotme kur pallatet-hotele janë kurriz me kurriz kjo duket pothuajse e pamundur, por jam i sigurt se nëse tregu vendas do i rikthehet Durrësit nga shtatori ne qershor, pra për 10 muaj në vit, hotelet e suksesshme do të jene të interesuara të blejnë objektet dhe hapësirat përreth për t’u zgjeruar dhe shtuar shërbimet e munguara. E katërta pushteti lokal duhet absolutisht të pastroj çdo mbeturinë në atë zonë si dhe plazhin në mënyrë periodike, gjë të cilën e ka me të lehtë sepse ngarkesa e ndotjes është e vogël. Dhe e fundit një nga çelësat kryesor të suksesit të kësaj “ringjallje” produkti është marketingu. Nevojitët një marketing i mirëmenduar me karakter sensibilizues por edhe specifik për këtë produkt, në mediat lokale por edhe ato Kosovare, nga privatët por mbi të gjitha nga Bashkia, Prefektura dhe Ministria e Turizmit ose AKT.  Nëse shqiptarët do të informohen për një fundjavë në Durrës me kushtet e mësipërme do paguajnë 1/3 e asaj që paguajnë ne hotelet e Budvas, besoj se zgjedhja se ku mund të kalohet fundjava nuk do të jetë më e vështirë.

I vendosur në trajektoren e Ciklit të Jetës së Produktit Turistik të teorisë së Butler-it, Durrësi është sot për mendimin tim, për fat të keq, i pari produkt turistik në vend në “vdekje” apo rënie. Ky vizion nëse do realizohet në praktikë (me pak kosto financiare, por shumë vullnet nga të gjitha palët) do përbëjë kthesën pozitive  të kësaj zone në këtë trajektore, pra “rigjallërimin” e shumëpritur nga të gjithë deri në një afat të dytë kur të gjithë të jenë gati për një zgjidhje afatgjatë. E sigurt është që bizneset që do investojnë në kohë për t’i paraprirë adaptimit të turizmit të fundjavës, në mos do përfitojnë investimin e tyre mbrapsht po në kohë, do jenë pjesë e projektit të së ardhmes së zhvillimit turistik të kësaj zone.
Për arsyet qe përmenda në fillim të këtij shkrimi, ky model iu dedikua pjesës më të dëmtuar të turizmit të Durrësit. Por kjo nuk do të thotë se kjo nuk mund të aplikohet për zona të tjera turistike shqiptare me adaptimet përkatëse sipas karakteristikave të zonës.
Kliton Gërxhani
Ekspert Turizmi